Home Slideri Në fundjavë 350 automjete kapen me shkelje nga policia

Në fundjavë 350 automjete kapen me shkelje nga policia

policia-durresNga Xhevo Gradica / Fundjava e kaluar ka shënuar edhe startimin e kontrolleve të shpeshta përgjatë vijës bregdetare që nga Ura e Dajlanit dhe deri në vendin e quajtur Përroi Agait, zonë ndarëse me nënprefekturën e Kavajës. Me shtimin e fluksit të lëvizjes që lidhet me frekuentimin në rritje të zonave bregdetare nga turistë vendas e të huaj përgjatë fundjavës në Durrës,komisariati i policisë së trafikut rrugor Durrës ka përforcuar masat në drejtim të garantimit të fluiditetit në trafik, disiplinimit të tij, parandalimit të aksidenteve rrugore dhe sanksionimit të drejtuesve të mjeteve të cilët duke mos qenë të pajisur me dokumentacionin e domosdoshëm, bëhen shkas për aksidente apo incidente rrugore. Për këtë arsye, patrullimi në linja apo pikat fikse të kontrollit  janë bërë më të shpeshta. Nga kontrollet e ushtruara vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar administrativisht 340 drejtues mjetesh për shkelje të tilla të parashikuara në Kodin Rrugor si ecja me shpejtësi tej normave të lejuara, parakalimet e gabuara, parkimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit apo kaskës në motoçikleta, mosrespektimi i sinjalistikës, etj.Ndërkohë për shkelje më të rënda,në 15 raste shqyrtimi i këtyre shkeljeve do të kryehet nga  komisioni administrativ pranë DPQ Durrës. Gjithashtu, përgjatë fundjavës,në disa raste janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetas të cilët gjatë kontrolleve rezultoi se drejtonin automjete pa qenë të pajisur me dëshmi aftësie për drejtimin e tyre. Në funksion të menaxhimit të trafikut dhe parandalimit të aksidenteve rrugore,shërbimet e komisariatit të policisë së trafikut rrugor ndërveprojnë edhe me shërbimet e patrullës së përgjitshhme. Policia e Durrësit ka nisur, sipas burimeve zyrtare, të përgatisë një plan masash në prag të fillimit të sezonit turistik me qëllimin e vetëm atë të krijimit të sigurisë rrugore, sigurisë në mjediset e pushimit, argëtimit dhe akomodimit. Durrësi është një nga zonat më të frekuentuara nga pushues vendës, kosovarë dhe shqiptarë të Maqedonisë ndaj edhe policisë do i duhen përgatitje të shumta deri në finalizimin e detyrimeve të saj.

Previous articleSpitali i Durrësit një institucion vlerash
Next articleXhaxhi militanti shpjegon me foto ndjeshmërinë e Kile gores me Damir Fazlliçin