Home Politike Në burg për blerje votash, Fredi Beleri del të hënën para Gjykatës...

Në burg për blerje votash, Fredi Beleri del të hënën para Gjykatës së Posaçme

Fredi Beleri do të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme. Dosja e Fredi Belerit, i cili është në burg për blerje votash, i ka kaluar SPAK dhe të hënën në orën 13:00 do të mbahet seanca e parë në GJKKO. Gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiri.

Fredi Beleri, i akuzuar për blerje të 8 votave për 40 mijë lekë, do të qëndroj në masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Vlorës, e cila pas vendimit shpalli mos kompetencë dhe dosja hetimore tashmë kalon në SPAK. Në burg është lënë edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë.

E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Në sallën e gjyqit, kandidati i Berishës dhe Metës që kërkon një mandat në Himarë, deklaroi se nuk ka lidhje me akuzën.

Beleri pretendoi para trupës gjykuese se në lokal, momentin kur u arrestua nga agjentët e policisë, ishte me të afërm të tij dhe se me lekët nuk kishin qëllim blerjen e votave.

Pazaret për blerjen e votave çuan në pranga kandidatin e koalicionit Berisha- Meta për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri më 12 maj. Ai u arrestua bashkë me truprojën e tij Panajot Kokoveshi, pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për votat e 8 personave.

Kartmonedhat u sekuestruan ndërsa pas arrestimit, disa qytetarë nga Himara thanë se Beleri u ka ofruar deri në 10 mijë lekë për votë, por ato nuk i kanë marrë.
Previous articleNjë përgjigje Jozefina Topallit dhe atyre që thonë se Berisha humbi se s’kishte logo dhe vulë
Next articleFitorja e vërtetë e Ramës