Home Aktualitet Ndëshkim prokurorëve që mbajnë dosjet në sirtare

Ndëshkim prokurorëve që mbajnë dosjet në sirtare

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, paraqiti përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportin për funksionimin dhe administrimin e sistemit të organit të akuzës. Çela foli me tone të ashpra për punën e drejtuesve të prokurorive, për shkak se kanë performancë të dobët.

“Kemi drejtorë prokurorie që nuk e kanë kuptuar rolin e tyre, që kujtojnë, mendojnë se janë drejtuesit e dikurshëm dhe harrojnë që ka një marrëdhënie institucionale që ata duhet ta respektojnë. Nuk është drejtues prokurorie ai i cili mendon se është drejtues duke i mbajtur dosjet për vite të tëra në zyrën e vet. Këta janë drejtuesit që meritojnë të ndëshkohen, sepse cenojnë pavarësinë e prokurorëve”.

Kryeprokurori e vendosi theksin tek boshllëqet që janë krijuar në sistem dhe se nuk ka kusht të kontrollojë punën e prokurorisë si institucion.

“Performanca e institucionit i kontrolleve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ai kontrollon performancën individuale, po performancën e zyrës kush e kontrollon? Kush jep vlerësimet për mënyrën se si ka funksionuar prokuroria e Dibrës, prokuroria e Tiranës apo e Gjirokastrës? Askush. Është një boshllëk sot në sistem”, tha ai.

Olsian Çela para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë deklaroi se duhet kontrolluar edhe puna që kryejnë oficerët e Policisë Gjyqësore.

“Ne për fat të keq, sot kemi oficerë të cilët nuk japin llogari për punën e tyre. Oficerët kanë shkëputje të mëdha në kuptim të vazhdimësisë së hetimit në një dosje konkrete duke shkaktuar patjetër zvarritjen. Vetëm përmes sigurimit të llogaridhënies, ne mundet të rrisim eficencën e oficerëve të Policisë Gjyqësore”, shtoi Çela.

Kryeprokurori Çela ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të emërohen prokurorët e rinj në vendet vakante në prokurorinë e Kavajës, Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës, duke shtuar se këto prokurori kanë performancën më të ulët në krahasim me të tjerat.

SOURCEbulevard news
Previous articleTurqia do të prodhojë vaksinat ruse
Next articleA e sajoi Franca lajmin për Maneskin, flet përfaqësuesja e tyre në Eurovizion