Home Kulture Ndahet nga jeta Sanie Baçova, zbutësja e kafshëve që kishte ‘nxënës-qen’ dhe...

Ndahet nga jeta Sanie Baçova, zbutësja e kafshëve që kishte ‘nxënës-qen’ dhe i mësoi të bënin fluturime akrobatike para spektatorëve

Sanie Baçova, artistja që zbuste kafshët e cirkut shqiptar është ndarë nga jeta. Përfaqësues të Cirkut Kombëtar kanë ndarë lajmin e hidhur duke treguar se Baçova ishte gruaja e parë që kishte profilin e mësuesve me “nxënës-qen”.

Teksa shkruajnë historinë se si Sania iu bashkua cirkut të Tiranës, thonë se arriti të mësonte qentë të bënin fluturime akrobatike që lanë pa fjalë spektatorët.

“Ishte viti 1964 në korridoret e Cirkut të Tiranës, mes akrobatëve, zhonglerëve, ekuilibristëve, klounëve, u duk edhe një vajzë e re, e veshur rroba akrobatësh. Në dorë mbante një shkop të hollë, të vogël, duke zhvilluar një orë mësimi në një klasë, me banka, dërrasë të zezë, “nxënësit’ e saj ishin; Rrapi, Xhina, Diana dhe Luçi. Mësuesja e tyre, Sania i drejtonte të sistemoheshin nëpër banka të rrinin urtë e të silleshin mirë, të kishin mendjen në mësim.

Ishte ora e matematikës. Mësuese Sania shkruante numra në dërrasën e zezë dhe “nxënësit-qen” me lehjet e tyre plot zë të lartë, jepnin zgjidhjen e veprimit matematikor. Kur u shfaq ky numër para spektatorëve, në premierën “Fluturime akrobatike”, jo vetëm u prit me kureshtje, por edhe u duartrokit shoqëruar edhe me të qeshura. Spektatorët kishin parë në cirk, një zbutëse kafshësh femër! Kjo ishte ngjarja që do të mbetet në kujtesën e historisë, si zbutësja e parë e kafshëve dhe e vetme në Artin e Cirkut Shqiptar”, thuhet në mesazhin e përfaqësuesve të cirkut.

Previous articleMicrosoft do të shkurtojë 10.000 vende pune
Next articleReshjet e shiut në Lezhë, përmbyten oborret e shkollave