Home Kulture Muharrem Fejzo ndahet nga jeta, regjisorët: Me filmat e tij la një...

Muharrem Fejzo ndahet nga jeta, regjisorët: Me filmat e tij la një pasuri kombëtare artistike dhe historike

Regjisori Muharrem Fejzo u nda nga jeta në moshën 87- vjeçare. Regjisori u nda nga jeta të dielën teksa ishte i shtruar në një spital në Itali, pasi vuante nga një sëmundje. Lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit dhe artistit të njohur e bëri të ditur djali i tij, Joe Fejzo. Artistë të shumtë, miq dhe kolegë vlerësuan kontributin e regjisorit të njohur, i cili me filmat e tij la një pasuri kombëtare artistike dhe historike. Regjisori Mevlan Shanaj tregon bisedat e bëra me regjisorin Fejzo gjatë verës, ku vazhdonte dhe punën me pikturën. Përmes një postimi në Facebook, më tej Shanaj shkruan se u largua nga jeta një njeri, që mbillte fisnikëri. “Muharrem Fejzo, iku! I ka ikur ekranit shqiptar një burrë i pashëm mendje hapur! Sa mirë ishte, këtë verë. Punonte ende në pikturë. Gjatë gushtit më tha dua të kesh dhuratë kompozim portretin tënd. Ditë covidi o Leme, e shtyjmë për më vonë! Emër i pasur me vepra! Regjisor i filmave “Mësonjtorja”, “Operacioni Zjarri”, “Një emër mes njerëzve”, “Muri i gjallë”, “Guna përmbi tela”, “Fije që priten”, “Kapedani” (bashkëautor), etj. Skulptor, piktor! Njeri i ditur, mik i pastër, sqimtar! Iku një njeri që mbillte fisnikëri, buzëqeshja ishte pronë e tij! Shqiptarët humbën njeriun Muharrem Fejzo. Të jesh njeri, është bekim i madh”, shprehet regjisori Shanaj. Në reagimin tij, Mevlan Shanaj sjell kujtimet vite më parë, kur Muharrem Fejzo luante edhe me kitarë. “Lamtumirë Leme, kur të kam njohur luaje në kitarë! I veshur bukur! Ashtu ke mbetur për mua! Mik i miqësisë së qeshur! Shqipëria prej sot do të jetë më varfër në kuptimin fizik, por e pasur në atë madhështi krijuese, që i ke dhënë shqiptarëve. Artit, historisë! Një pasuri kombëtare artistike dhe historike, duke u nisur nga tre filmat historik me skenarët e Natasha Lakos, “Mësonjtorja” , “Muri i gjallë” dhe “Një emër mes njerëzve”, janë treguesi më i mirë i forcës krijuese për ta dëshmuar artin me bëmat historike”, shprehet Shanaj. Edhe për regjisorin Kujtim Gjonaj është një lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e regjisorit Muharrem Fejzo. “U shua dhe një emblemë e filmit artistik shqiptar, bashkautori i kinokomedisë më të suksesshme shqiptare “Kapedani”, regjisori që vuri dhe konsolidoi themelet e filmit historik shqiptar, me shumë vepra dinjitoze, ku shkëlqen “Mësonjtorja”. Të gjithë do të shuhen një ditë, por rëndësi ka emri dhe vepra që lë pas. Mik le një emër të madh dhe të ndritur në regjisurë, skulpturë, pikturë, skenaristikë dhe artin e grimit”, shprehet regjisori Gjonaj.

Puna me kinematografinë

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së tij, regjisori i njohur Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden:  “Mësonjtorja”, “Operacioni Zjarri”, “Një emër mes njerëzve”, “Muri i gjallë”, “Guna përmbi tela”, “Fije që priten”. Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989. Regjisori Muharrem Fejzo mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i Madh”.

SOURCEBulevard News
Previous articleMeta kujton referendumin e ‘98 dhe shton kërcënimet ndaj qeverisë: Populli do t’ua kthejë legjitimitetin institucioneve përmes zgjedhjeve të 25 prillit
Next articleIzolimi i presidentit, PS rishikon draftin dhe forcon akoma më tej nenet