Home Opinion Misteri i një fushate zgjedhore pa fushatë mediatike

Misteri i një fushate zgjedhore pa fushatë mediatike

Nga Carlo Bollino

Të gjithë fushatat zgjedhore në demokracitë e mëdha të botës, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara, karakterizohen nga një “bombardim” me spote politike televizive. Ndërsa fushata për zgjedhjet e 14 majit po nis me një karakteristikë që deri më tani po e bën të ndryshme nga çdo fushatë tjetër: mungesa e një fushate mediatike. Me përjashtim të Partisë Socialiste, që ka nisur të transmetojë ndonjë spot, forcat kryesore të opozitës të cilat do të duhej të investonin në këtë garë të gjithë energjitë e tyre, deri më tani kanë bërë të ditur se nuk kanë fonde të disponueshme. Nuk e dimë nëse kjo do të jetë një gjë që do të ndryshojë me kalimin e ditëve, por padyshim, të konstatosh parti që sondazhet i paraqesin si të dobëta, që  duket se nuk kanë nevojë të shfrytëzojnë çdo hapësirë kohore për të promovuar idetë e tyre dhe projektet përballë zgjedhësve, ushqen ndonjë dyshim.

Dyshimi i parë është se si dhe ku shpenzohen fondet më të mëdha që nga buxheti i Shtetit kanë kaluar në arkat e partive pikërisht se bëhet fjalë për një vit zgjedhor. Flasim për mbi 4 milionë euro të cilave iu shtohen edhe fondet që çdo parti është e lirë të mbledhë nga donatorët privatë, edhe se me detyrimin e deklarimit.

Dyshimi i dytë lidhet me transparencën mbi origjinën e fondeve të shpenzuara. Kodi Zgjedhor parashikon që partitë nuk mund të transmetojnë më shumë se 90 minuta spote gjatë muajit të fushatës zgjedhore. Këtë vit Ilirjan Celibashi këmbënguli me forcë që ky limit të respektohet me përpikmëri. Çdo televizon ka deklaruar në KQZ vlerën e çdo spoti dhe për këtë arsye autoritetet kontrolluese janë në gjendje përmes monitorimit të spoteve të transmetuara, të llogarisin edhe shumën që ka shpenzuar çdo parti. Përse pikërisht këtë vit KQZ këmbëngul kaq shumë mbi këtë pikë duke bërë ftesë edhe për “kursim fondesh”? Dhe si shpjegohet që asnjë parti deri më tani nuk guxon të transmetojë asnjë spot publicitar? Shkaku mund të fshihet në praninë hibride të Sali Berishës, që në këto zgjedhje garon me emër fals.

Duke mos qenë një subjekt zgjedhor dhe duke mos pasur asnjë financim nga Shteti për ta përdorur në fushatë zgjedhore, Berisha nuk di si të justifikojë origjinën e fondeve (lehtësisht të llogaritshme) të shpenzuara në spote televizive për koalicionin dhe kandidatët e tij që në të vërtetë marrin pjesë në emër të Ilir Metës. Pra Sali Berisha nuk ka fonde legjitime per ta bërë fushatën. Ngaqë Berisha ka vështirësi të blejë spote televizive, duke pasur frikë të dyshohet për pastrim parash si dhëndrri i tij, edhe forcat e tjera të opozitës heqin dorë nga fushata mediatike. Por, nëse është e vështirë të kuptohet se pse Ilir Meta i përshtatet kësaj “dobësie” të aleatit të tij (edhe pse ka marrë 140.000 euro nga buxheti i Shtetit), është absolutisht e pabesueshme që e njejta sjellje të imitohet nga Partia Demokratike e cila jo vetëm që ka 920.000 euro fonde shtetërore, por mbi të gjitha duke pasur vetëm pak kandidatë-kryebashkiakë në garë, do të kishte mundësinë të përqëndronte mbi ta forcën e fushatës së saj mediatike, duke maksimalizuar rezultatet. Por asgjë: Gazmend Bardhi, në vend që të përfitojë nga dobësia e Sali Berishës, bën të ditur se edhe ai nuk ka fonde. Por çfarë kutpimi ka gjithë lufta e bërë për ta mbajtur logon e PD edhe në flete votimi, nëse pastaj nuk e reklamon?

Sjellja e Gazmend Bardhit për të fshehur praninë e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit duke shmangur fushatën televizive, duket se është pjesë e të njëjtës strategji të dyshimte që e shtyu të mos vendosë kandidatë-kryebashkiakë me logon e PD-së në garë kundër Sali Berishës. Deri në pikën sa nuk i bëri as edhe një urim publik Roland Bejkos ditën e hapjes së fushatës zgjedhore në Tiranë.

Të bësh një fushatë zgjedhore me pak lekë do të ishte një e mirë po të mos ndizte edhe një dyshim të tretë: Nëse partitë e opozitës nuk përpiqen të bindin zgjedhësit e pavendosur përmes propagandës publike, si mendojnë t’i përmbysin parashikimet e sondazheve dhe të fitojnë zgjedhjet? Kështu që ose opozita ka hequr përfundimisht dorë nga çdo shpresë fitoreje, dhe në këtë mënyrë përballë humbjes së sigurt preferon të kursejë para’. Ose, për të provuar të fitojë, preferon të ndjekë rrugë jo konvencionale, duke anashkaluar transparencën e kostove të përfaqësuara nga spotet televizive dhe duke përdorur para’ të pista. Shpresojmë që thirrjet e bëra nga KQZ për një fushatë shumë ekonomike, të mos transformojnë këto zgjedhje në një festival informaliteti.

Previous articleVIDEO virale e Edi Ramës duke kërcyer me të moshuarën
Next articleIsh drejtuesi i Policisë, Mit’hat Havari: Topalli, ushtare e Berishës, e lidhur me krimin në Shkodër! Fatos Nano më tha…!