Home Rajoni Milatoviç: Janë të papranueshme përpjekjet për të ndërhyrë nga jashtë në formimin...

Milatoviç: Janë të papranueshme përpjekjet për të ndërhyrë nga jashtë në formimin e Qeverisë

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç tha se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose indirekt me aktorët e huaj nga rajoni apo pjesa tjetër e botës në formimin e Qeverisë së re në Mal të Zi.

“Si president e konsideroj të papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt apo tërthorazi në krijimin e Qeverisë në Mal të Zi”, shkroi ai në Twitter.

Ai ka shtuar se pret që formimi i Qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirisht të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, në prioritetet programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE dhe rritjen e standardit jetësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës.

Ky reagim i tij vjen pasi ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviç, theksoi se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Kanë bërë një gabim që e kanë promovuar Kosovën si shtet të pavarur. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake”, ka pretenduar ai gjatë një interviste televizionin pro qeveritar, TV Pink.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.

Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.

Javën e kaluar, lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, ka diskutuar për formimin e qeverisë së re më përfaqësuesit e partive politike që e kanë mbështetur për mandatar.

Pas negociatave, ai ka thënë se takimi ka qenë shumë i mirë, dhe se ka pasur mendime të ndryshme për pjesëmarrjen e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për qëndrimet e tyre pro-ruso-serbe – në qeveri dhe se nuk është diskutuar për ndarjen e posteve ministrore.

Previous article“Il libero”: Edi Rama, artisti i famshëm që punon si kryeministër
Next article​Reagon Lista Serbe për arrestimin e Virijeviç dhe i quan arrestimet të montuara politikisht