Home Slideri Miho Gjini, kryetar i Liter-Artt në Athinë: Jubileu i Teatrit...

Miho Gjini, kryetar i Liter-Artt në Athinë: Jubileu i Teatrit të Durrësit, festë që ka të bëjë me shpirtin njerëzor

miho gjiniTok me këtë fillim viti paksa të ftohtë , përvjetori i Teatrit tuaj sjell një ngrohtësi të natyrshme, si një festë që ka të bëjë me shpirtin njerëzor. Duke qënë larg jush , si mik i Teatrit tuaj (edhe pse me profesionin “e mallkuar” të kritikut, që askush nuk e do!), them që e kam dashur dhe e dua atë Teatër , që jo vetëm se mban emrin e të madhit “ALEKSANDER MOISI”, por edhe se me të më lidhin shumë kujtime…Kujtime që fillojnë qysh kur isha nxënës në shkollën 7 vjeçare “10 korriku” në Durrës dhe frekuentoja shfaqjet tuaja të para, por edhe kur u rritëm e mbaruam shkollën e lartë për aktorë , shokët e mi të klasës u bënë kontigjenti i parë profesional i këtij teatri sikundër qenë Donika Barçi, Filika Dimo, Aishe Stari, Milto Profi, Mario Ashiku, dhe më pas Haxhi Rama dhe Guliejlm Radoja, ish studentët e mi Mirush Kabashi e Karafil Shene, dhe akoma më pas ish nxënësja ime Sanie Hoti, shfaqjet e të cilëve, në bashkëpunim krijues me aktorët më të vjetër, unë i ndiqja me kënaqësi të veçantë. Se kishit aktorë me të vërtetë të shquar si Teodor Rupin, Vangjel Hebën, Spiro Urumin, Lulin e këndshëm , Meropin dhe Verën , Marthën dhe Lumen, Ballhysën dhe Fadil Hasën, si dhe shumë të tjerë më të rinj , që tani nuk më kujtohen.Por patët midis jush një aktor brilant si Artisti i Popullit Nikolin Xhoja . Ai binte në sy në gjithë teatrin shqiptar si mjeshtër i artit të aktrimit , për organicitetin e tij të rrallë, për nurin skenik dhe vërtetësinë e pashoqe të krijimit, i cili më ka shtirë në ethe të forta për të bërë monografinë e jetës dhe veprës së tij, duke më dhënë njëkohësisht kënaqësi të paparë! Por unë trishtohem pa masë kur kujtoj kolegun tuaj dhe shokun tim të vuajtjeve në BURGUN POLITIK të Ballshit, Enver Likmetën , me të cilin rastiste të pinim ndonjë kafe elbi (kur ja sillte familja në të rrallë, pastaj thonte i pikëlluar se: “ edhe pak dhe ne do të hingëllijmë si kuajt” ) . O ZOT I MADH , çfarë kohërash të tmerrshme kemi kaluar! Kafe si këto ai pinte dhe me dramaturgun tuaj Minush Jero, para se të veja unë dhe do të kujtonim së bashku atë gjyq të fortë që na bënë në një sallë të katit të dytë të Teatrit tuaj, pas shfaqjes së dramës së tij, “ Njolla të murrme” , ku si prokuror qe anëtari i Byrosë Politike, Rita Marko dhe si të akuzuar ishte Minushi i gjorë si autor dhe unë si kritik e si “fajtori kryesor “ që e solli atë në Festivalin e Teatrove, gjoja për të shqetësuar Enver Hoxhën…E kujtova këtë episod edhe kur isha në zyrën e drejtorit tuaj, dramaturgut Bashkim Shehu, si diçka të largët , që gjithsesi është pjesë e historisë dhe nuk harrohet dot…E megjithatë në këtë përvjetor të madh ka dhe shumë krijues të tjerë që duhen respektuar duke i kujtuar me respekt që nga regjizor Panajoti, Mistoja, Mario, Haxhiu, regjizorja e re që nuk i kujtoj dot emrin e deri te Artisti i Popullit, Gjergj Vlashi, njëherësh regjizor, komediograf dhe shkrimtar. Kemi pra miq të dashur me çfarë krenohemi sot, në këtë ditë të madhe për ju dhe për gjithë teatrin shqiptar.

Previous articleBashkim Hoxha: Trupa e teatrit do të jetë shumë shpejt në nivelet e viteve të arta
Next articlePushteti dhe intelektualët mercenarë