Home Kulture Mihal Ciko, mjeshtri që bashkoi artin me atdhetarinë

Mihal Ciko, mjeshtri që bashkoi artin me atdhetarinë

Nga Shpendi Topollaj

(Rreth librit “Mihal Ciko një zë nga fillesa” të Thimi Çollakut)

Lexoja jetën e maestro Mihal Cikos në librin e Thimi Çollakut dhe për asnjë çast nuk më ndaheshin tingujt e Rusallkës, asaj poemës të njohur të Pushkinit, që aq bukur e kishte përshtatur në muzikë Dargomizhkij, dhe që atë ditë kremtimi të Pavarësisë të vitit 1953 në Tiranë, shënonte fillimin e operistikës shqiptare dhe kurorëzimin e Teatrit tonë të Operas dhe Baletit. Lexoja dhe mendoja se ç`do të ishim ne, këtu në mes të Evropës, pa punën sizifiane dhe përkushtimin e atyre artistëve që të parët e kishin kuptuar rolin e kulturës në përgjithësi dhe të muzikës në veçanti, në qytetërimin e një populli të porsa dalë nga terri shekullor i sa e sa pushtimeve dhe fatkeqsive historike. Pra, i atyre artistëve që edhe pse i njihnin mungesat dhe vështirësitë e kohës, jo vetëm donin të ringjallnin traditën dhe dashurinë e popullit tonë për muzikën, por dhe ta çonin shumë më përpara atë; pse jo, edhe në lartësinë e veprës së gjigantëve si Moxarti, Bet`hoveni, Verdi, Puçini, Maskanji, Donixeti, Shtrausi, Vagneri, Vivaldi, Belini etj. Nga shumë gjëra të mençura që ka thënë F. Niçe, ja vlen të sjellim ndërmend atë se “Pa muzikë jeta do të ishte gabim”. Mjafton të kujtojmë gjithashtu, se çfarë rëndësie i kanë vënë njerëzit muzikës qysh në kohët e lashta, kur në mitologji, zunë vend Apoloni me lirë në dorë, si perëndi i muzikës, Efterpi si mbrojtëse e muzikës, Pani me fyellin e tij, këngët magjepsëse të sirenave, Orfeu, babai i këngës, Orgjitë (festat e Dionizit) që shoqëroheshin me këngë e muzikë, e plot të tjera. Prandaj, asnjëherë nuk do të mungojë nderimi e respekti për ata artistë që bënë aq shumë për ne dhe njëkohësisht duke u rritur edhe vetë profesionalisht si virtuozë të vërtetë. Dhe, natyrisht që midis tyre zë një vend të veçantë Mihal Ciko, të cilin shumica e këngëtarëve, kompozitorëve dhe instrumentistëve, me të drejtë e kanë quajtur mësuesin e tyre. Autori Thimi Çollaku, na e përshkruan jetën e Mihalit nëpërmjet fakteve të njohura botërisht. Mihali nuk është i shkëputur nga koha kur jetoi, nga ngjarjet që rrodhën, nga shokët që e rrethonin dhe nga klima, nevojat dhe kërkesat për mbijetesë që vendi kishte. E parë kështu, autori na jep lidhjen e fortë të përpjekjeve të këtij intelektuali për përhapjen e muzikës, jo vetëm si qetësuese e shpirtrave të trazuara të shqiptarve, por edhe si mjet ndërgjegjësimi të ndjenjës së atdhedashurisë. Vetë ai, qysh herët në Rumani, ku kishte shkuar familja e tij, dhe kish nisur studimet për muzikë, me përkrahjen e Viktor Eftimiut, u aktivizua në rrethet patriotike, si shoqëria “Liria”. Pikërisht këtu, sikurse shprehet autori “Ai shihte te kënga e muzika, te skena e arti, vlerat që e ngrenë lart prestigjin e kombit, forcën, që emancipon dhe fisnikëron shpirtrat e njerëzve.” Ndaj si bariton, këndon kudo që mundet, këngë shqiptare, fiton simpatinë dhe duartrokitjet e dëgjuesve dhe kthehet në vendlindje, ku së bashku me mërgimtarë të ardhur edhe nga SH. B. A. dhe gjithë sa gjeti aty, japin koncerte muzikore mbresëlënëse dhe me një ndikim të pazëvendësueshëm. Tani Mihali luan edhe në pjesë teatrore, si fjala vjen në dramën “Vdekja e Pirros”, të cilat gjithashtu kishin frymë të theksuar patriotike. I organizonin këto pjesë të zgjedhura për qytetarë e fshatarë, a për nxënës shkollash, pa asnjë përfitim, madje duke shpenzuar nga mundësitë e tyre. Ishte kohë idealesh dhe nuk kishte mënyrë tjetër argëtimi, ndaj interesimi dhe pjesëmarrja qe aq e madhe. Me kohë, Mihal Ciko vazhdon studimet në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” të Milanos, ku jo vetëm njeh personalitete të artit muzikor dhe jep koncerte nëpër vende të ndryshme, por dhe i fton ata në Shqipëri. Sa hare sillnin ato arie operash të mrekullueshme, të kënduara si nga mjeshtrit italianë ashtu dhe  nga artistë shqiptarë si Mihali apo veprimtari i njohur dhe mbështetësi i tij Thoma Nasi me shokë. Në libër ndeshim një konstatim të goditur: “Muzika ka qenë dhe mbetet gjuhë e përbashkët e popujve, gjuha që kuptohet nga të gjithë, e dëshëruar prej të gjithëve, ilaçi që i zbut zemrat dhe shpirtrat, i afron ato, pavarësisht nga mosha, ngjyra e lëkurës, pavarësisht nga kombësia dhe shtetësia, pavarësisht nga besimet dhe filozofitë.” Këtë moto ndoqi Mihali edhe kur punoi si drejtues i formacioneve muzikore në Radio Tirana, duke vazhduar të përhapë në eter tingujt e majave të krijimtarisë botërore. Gjithashtu, ai krijoi korin e radios, ka ndihmuar dhe aktivizuar këngëtarët që më pas bënë emër, u angazhua vetë në çdo program, krijoi dhe sistemoi fonotekën e radios, dha një kontribut të çmuar në krijimin e radiostacioneve lokale, krijoi shkollën e këngës dhe muzikës, u shqua si pedagog, bashkëpunoi me këshillin antifashist nacional – çlirimtar, interpretoi gjithmonë deri në skenat ballkanike, me nivel shumë të lartë muzikën popullore, të huaj dhe atë lirike, punoi me vullnet të rrallë edhe për ngritjen e teatrit, pra ashtu sikurse shprehet energjiku Gaqo Avrazi …emrin e Mihal Cikos “e gjen në themelin dhe në historikun e institucioneve më të rëndësishme muzikore, në Filarmoninë e shtetit dhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në teatrin e operas e baletit dhe në Institutin e Lartë të Arteve, kudo ku mbillej dhe një “pemë e re” për lulëzimin e artit tonë, kudo ku kërkohej mund e dije, për të realizuar ato aspirata, të cilat për Cikon, sado entuziast atëherë, kur nisi rrugën e artit, ishin të paimagjinueshme.” Vështirë të gjesh një të dytë si ai në tërë historinë e artit tonë. Duhej një kulturë superiore që fare mirë pasqyrohet tek i biri, maestro Zhani Ciko që ka ecur plot dinjitet në gjurmët e të atit, por dhe dashuri e veçantë për atdhe dhe sidomos përkushtim pa rezerva ndaj asaj që mund të bësh për vendin tënd. Dhe Mihal Ciko që jetoi në dy sisteme, i kishte të treja këto veti, pasi jo më kot, qysh në tetor të vitit 1924 është cilësuar si lulja e djalërisë korçare në ideal dhe në art. Me kohë, ai u bë lulja e burrërisë shqiptare në ideal dhe në art, aq sa meriton fjalët e arta të Gëtes se “Pavdekësia është mundësia e së kaluarës për të vepruar në mënyrë të frytshme në të tashmen.”