Home Sport Mick: Krenar që do të rikthej mbiemrin Schumacher

Mick: Krenar që do të rikthej mbiemrin Schumacher

Pasi triumfoi këtë vit në botërorin e Formula 2, piloti 21-vjeçar gjerman Mick Schumacher do të garojë sezonin e ardhshëm në Formula 1 me makinën Haas.

Ai është djali i legjendës Michael Schumacher, 7 herë kampion bote në F1, ndaj prania në pistë e Mick shihet me shumë kureshtje nga të gjithë.

Në një intervistë për “Bild”, Mick Schumacher tha: “E di që ndaj meje do të ketë shumë presion, por nuk e vë re shumë këtë gjë. E dua këtë sport, e pëlqej atë që bëj, ndaj e shoh të lehtë të punoj dhe të realizoj ëndrrat e mia. Për mua është një nder që rikthej në këtë sport mbiemrin Schumacher”.

Piloti i ri gjerman u shpreh se gjatë këtyre muajve do të rishohë të gjitha garat që ka zhvilluar babai i tij, si një pjesë e përgatitjes për debutimin në Formula 1.

“Mendoj se të shohësh garat e vjetra ka kuptim edhe pse ky sport është zhvilluar shumë. Unë nuk do të shoh vetëm ato të babait tim, por edhe ato të viteve të fundit”, tha Mick Schumacher.

SOURCEBulevard News
Previous articleRrini disa çaste në ditë vetëm
Next articleFrika nga një valë e re infektimesh, Hong Kongu përgatitet për masa të rrepta