Franca është totalisht e falimentuar. Kështu ka deklaruar dje një zyrtar i lartë i qeverisë.
Michel Sapin, ministër i Punësimit, e bëri të qartë se politikat e qeverisë për taksat dhe shpenzimet nuk po funksionojnë.
Një vit e gjysmë pasi partia e tij erdhi në pushtet, Sapin u tha dëgjuesve të radios: “Ka një shtet, por është një shtet totalisht i falimentuar”.
“Për këtë arsye ne vendosëm të hartojmë një plan për reduktimin e deficitit dhe asgjë nuk do na stepë nga ky objektiv,” shtoi ai.
Edhe pse deklaratat e tij nuk duken të qëllimshme, ato nxjerrin në pah shqetësimin e madh që ekziston për gjendjen ekonomike në Francë.
Që kur Francois Hollande erdhi në pushtet, papunësia dhe kostot e jetesës kanë vazhduar të jenë në një spirale, ndërkohë që masat kundër të pasurve kanë bërë që disa sipërmarrës të largohen nga vendi.
Presidenti Hollande po përpiqet që të ngjallë ekonominë duke shkurtuar shpenzimet dhe duke rritur taksat për pesë vitet në vazhdim.
Banka e Francës ka lajmëruar se pasanikët dhe kapitali po largohet.
Mes atyre që kanë ikur është edhe Bernard Arnault, njeriu më i pasur në vend. 63- vjeçari ka aplikuar për një pasaportë belge.
Po ashtu ka pasur raportime se edhe ish- presidenti, Nicolas Sarkozy, do të vendoset në Londër, së bashku me gruan e tij të tretë, Carla Bruni.
Ministri i Financave, Pierre Moscovici, menjëherë u përpoq të zbusë deklaratat e Sapin, duke thënë se ato janë të papërshtatshme.
“Frana është një vend i besueshëm, Franca është një vend që ka nisur ta marrë veten,” tha ai.
Franca është ekonomia e dytë më e madhe në Europë, ndërkohë që shifrat flasin për një papunësi në rritje.
GDP e Francës u rrit vjet me 0.2 përqind.