Home Politike Meta në një universitet në Prishtinë: ‘Open Balkan’ rikthen fantazmën e Millosheviçit

Meta në një universitet në Prishtinë: ‘Open Balkan’ rikthen fantazmën e Millosheviçit

“Shqiptarët, faktor stabiliteti në Ballkan”, ka qenë tema e një aktiviteti të zhvilluar sot në Prishtinë ku ka marrë pjesë edhe Presidenti Ilir Meta. Meta ka mbajtur një fjalë të rastit ku ka theksuar se Shqipëria dhe Kosova ndajnë shumë e më shumë se interesa të përbashkëta strategjike. Gjatë fjalës së tij, Meta komentoi dhe nismën “Ballkani i Hapur” pjesë e të cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Presidenti Meta theksoi se Shqipëria duhet të përmbushë angazhimet e saj si vend anëtar i NATO-s, dhe Kosova duhet të punojë pa u lodhur për anëtarësimin në NATO dhe rrugën drejt BE-së.

“Po konstatojmë halucinacione të padobishme si në drejtim të marrëdhënieve me Kosovën dhe BE  e kam fjalën për të ashtë-quajturin “Open Balkan”. Është me rëndësi që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjata.  Si mund ti besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviçit”, tha Meta.

“Kosova gjaku që nuk falet kurrë. Një eksod i heshtur që po ndodh mes shqiptarësh në rajon mbetet shqetësimi im i madh. Dua të theksoj rëndësinë e ndërgjegjësimit nga të gjithë ne drejtuesit por edhe elitat intelektuale për ti inkurajuar të rinjtë për të qëndruar në Kosovë, Shqipëri në trojet tona, për të ndaluar shpopullimin e heshtur. Si ju në Kosovë dhe ne në Shqipëri dhe të gjithë shqiptarët duhet të përpiqen që aty ku jetojnë të mbizotërojë ligji. Zgjedhjet në Kosovë kanë qenë një mësim dhe tregojnë se kjo shoqëri është vigjilente dhe kërkuese. Këto tipare e vlerësojnë shtetin e  Kosovës. Kam përshëndetur vendosjen e traditës së bashkëpunimit. Jemi të vetëdijshëm se Shqipëria dhe Kosova ndajmë shumë më shumë se interesa të përbashkëta strategjike. Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë kundër asnjë rajoni tjetër”, vijoi presidenti.