Home Politike Meta dekreton dy marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria shqiptare dhe e Kosovës

Meta dekreton dy marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria shqiptare dhe e Kosovës

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

7 prill 2022

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjet e mëposhtme:

1 – Ligj nr. 26/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave”.

Zbatimi i lehtësirave në procedurat doganore, duke eliminuar burokracinë nga të dy anët e kufirit, është një masë tjetër e vonuar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të nxisë rritjen e qarkullimit të mallrave dhe lehtësojë veprimtaritë e agjencive doganore shqiptare dhe kosovare.

2 – Ligj nr. 27/2022 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”.

Kjo marrëveshje jo vetëm ishte domosdoshmëri për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke zgjeruar bashkëpunimin juridik edhe në çështjet civile dhe tregtare, por do të ndihmojë në realizimin më efikas të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të qytetarëve në Shqipëri dhe Kosovë, që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë, trashëgiminë dhe marrëdhënie të tjera civile ose tregtare.
Gjithashtu, përjashtimi nga detyrimi për legalizim të dokumenteve të autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, është një lehtësi më shumë për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë.