Home Slideri Met Dervishi 40-vite mes prozës moderne dhe kritikës antikonformiste

Met Dervishi 40-vite mes prozës moderne dhe kritikës antikonformiste

babi dy vetemNë datë 23 prill, ditën botërore të librit, në sallen “Odeon” të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit u zhvillua auditoriumi “Met Dervishi 40-vite mes prozës moderne dhe kritikës antikonformiste…”. Ky aktivitet erdhi si një bashkëpunim mes universitetit “Aleksandër Moisiu”, qendrës së kulturës dhe bibliotekës publike Durrës. Ishte e para herë ku një aktivitet i këtij lloji zhvillohej me iniciativën e vetë studentëve, të cilët nisur nga vlerësimi i lartë kritik për romanin “Endrra e sandaleve me gurë Sëarovski” të shkrimtarit e njëkohësisht profesorit të tyre, patën propozuar prej kohësh një aktivitet të tillë. Aktiviteti u moderua nga pedagogia e katedrës së letërsisë, Dr. proc Alisa Velaj. Fillimisht hapja e aktivitetit konsistoi me një prezantim të profilit krijues dhe publicistik të shkrimtarit Met Dervishi nga moderatorja e këtij aktiviteti. Më pas pati recitime të studentëve Anjeza Sina dhe Esmeralda Poleshi të disa pjesëve tepër mbresëlënëse nga romani “Endrra e sandaleve me gurë Sëarovski”. Si një intermexo dhe suprizë e mrekullueshme për autorin erdhën edhe poezitë e tij për detin, të recituara nga studentja Alda Sula, të cilat duket se zgjeruan edhe më lirisë, ato kufij qe vetë autori kërkon t’i zgjërojë edhe në prozën e tij. Diplomantaja e Masterit Elinda Nako dhe studenti i vitit të dytë të letersisë Dik Daci kishin përgatitur secili dy analiza tepër koncize dhe të përpikta për romanin. Elinda Nako e vuri theksin në psikologjinë e personazheve, të cilët i ndau në tri grupe, personazhe kufoma, ata që shpirtërisht kanë vdekur dhe gjenerojnë vetëm si makineri, shkaktarët e vërtetë të diktaturës, njerëzit hije që kanë mbetur vetëm një ish kujtim i humanizmit të tyre, pasi diktatura i ka degraduar pak nga pak dhe njerëzit e vërtetë, ata që duan të jetojnë jetën me të vërtetat e saj, të gjallët të cilët kufomat përpiqen përditë t’u marrin shpirtin. Studenti dik Daci u shpreh: “Megjithëse arti është amoral do të thoja se ky tekst ka të pranishme një gjuhë seksuale. Ashtu si kjo e fundit është tepër intime, e fshehtë, dhe jo e mirë përderisa në të nuk ka dashuri, ashtu nëpërmjet kësaj gjuhe autori depërton në fenomenet më të errëta të shoqërisë shqiptare, ato fenomene të shëmtuara që krijojnë kornizën e saj degjeneruese”. Pas këtyre dy analizave auditoriumi vazhdoi si një bashkëbisedim mes studentëve dhe shkrimtarit Met Dervishi, si edhe peshtypjet që studentëve u kishte lënë ky roman. Studentja Adela Abili foli për dramën e individit në shoqërinë shqiptare si edhe për konceptim e lirisë në kohën para dhe pas diktaturës. Studentja Mariana Ciku vuri theksin në atë se asnjëherë më parë në letersinë shqipe një autor nuk i kishte thënë aq hapur të vërtetat. Enxhi Duka tha se realizmi i veprës ishte tronditës. Eksodi i viteve 90 vjen në këtë vepër si një tablo rrëngjethëse. Madje unë vetë tha ajo, edhe pse kam lindur pas viteve 90 dhe ngjarje të tilla i kam parë vetëm nëpër televizione apo lexuar nëpër gazeta, sa për një cast e ndjeva veten pjesë të të arratisurve në këtë vepër. Një arritje e madhe besoj, tha studentja, është kjo që kur lexuesi e ndjen veten si njëri prej personazheve, arti edhe në rastin konkret letërsia e ka arritur qëllimin e vet. Agnajta Shahini e pyeti autorin se mos vallë zhargoni që ai perdor shpesh në veprën e tij, shpesh i mbarsur me fjalë banale, është si një lloj maske pas të cilit duhet të zbulojmë banalitetin e shoqërisë sonë. Lidhur me këtë pyetje Met dervishi përgjigjet: “Në veprën time nuk ka narrator, por vetërrëfim të gjithësecilit. Nuk mendoj se ka banalitet. Eshtë njëri prej këtyre “gjithsecilëve” që rrëfen vetveten në atë mënyrë”. Më pas ai u dha këtë mesazh studentëve të tij: “mos u përpiqni të keni frikë nga e vërteta. Une kam qenë përherë rebel, madje edhe në kohën e komunizmit, ku gjithcka ishte e ndaluar. Jam qytetar që kam reaguar, kështu kam qenë dhe student e tani po ha haraçin e reagimeve të mia… dhe për këtë nuk jam bërë kurrë pishman”. Në fund moderatorja Alisa Velaj tha se përtej ngjarjeve reale që servir ky roman, në interteksin e tij të mezidukshem jepen shkaqet e lindjes dhe shuarjes së qytetërimeve. Si e lidhni ju utopinë me qytetërimin profesor? ishte pyetja e saj. Pergjigjja e Met Dervishit ishte: “Kur një utopi mbaron atëherë vdes edhe një qyteterim. Përsa i përket rolit të shkrimtarit në metropolet që pjellin këto qytetërime, metropolet nuk i duan shkrimtarët, vecse pas vdekjes, për pasoje nuk ka shkrimtar të lumtur”. Aktiviteti u mbyll sërish me një poezi për detin dhe me një premtim që rradhës tjetër Met Dervishi duhet t’I mbledhë sërish studentët e tij në një tryezë të rrumbullakët, me një përmbledhje të poezive te tij ndër vite, të cilat kanë lënë gjurmë në periodikët letrar të kohës, por që tani duhet ti serviren edhe brezit të ri të lexuesve”

Previous articleHashim Kërtusha, një shkrimtar anatomist i shpirtit njerëzor
Next articleVazhdojnë denoncimet e skandaleve të investimit të Berishës në arsim