Home Slideri Mësuesi i arsimit 8-vjeçar jep leksionet e masterit në universitet

Mësuesi i arsimit 8-vjeçar jep leksionet e masterit në universitet

filip gjonciNga Xhevo Gradica / Drejtori i arsimit në Durrësit Filip Gjonçi bëhet pedagog në universitetin “Aleksandër Moisiu” ndonëse nuk ka mundur të marrë asnjë nga kreditet për të qenë i tillë. Lajmi fillimisht është marrë si një pohim jo i saktë deri edhe humor, por më pas studentët kanë thënë se Gjonçi jo vetëm që jep leksione në universitetin e Durrësit, por është edhe në stafin më të lartë. Drejtori i arsimit në Durrës, tashmë pedagog, nuk ka hequr dorë nga ushtrimi detyrës të cilët e ka marrë edhe në këtë rast pa asnjë konkurs dhe në kundërshtim me ligjet arsimore të emërimit në postet e larta drejtuese të arsimit në nivel qarku. Që nga dhjetori vitit 2012 ai jep lëndën Menaxhim dhe drejtim i institucioneve në Fakultetin e Edukimit në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Lënda në fjalë zhvillohet për të gjithë studentët të cilët kanë kryer studimet e larta dhe vijojnë leksionet për Master. Madje drejtorit të arsimit i është besuar kjo lëndë pikërisht tek studentët që presin të marrin diplomën e Masterit Shkencor. Personat që e kanë emëruar pedagog mësuesin Gjonçi, diploma e të cilit është për të dhënë lëndën e Biologjisë në arsimin 8-vjeçar (sot 9-vjeçar), i kanë caktuar madje edhe “kualifikimin” e studentëve të cilët kanë ambicie për të thelluar njohuritë shkencore. Studentët kanë pohuar se Gjonçi në ato pak orë leksioni që ka mbajtur u ka thënë atyre se ka përfunduar studimet jashtë shtetit ( por pa u treguar se në cilin universitet) dhe se ka kryer edhe master. Realisht ai jo vetëm që nuk ka përfunduar universitetin jashtë vendi dhe as nuk ka kryer ndonjë kualifikim pasuniversitar brenda apo jashtë vendi, por prej vitit 1992 nuk ka dhënë asnjë orë mësimi në arsimin 8-vjeçar a të mesëm. Burime shumë të sigurta thonë se për të arrirë deri këtu Gjonçi ka pasur mbështetjen e drejtorit të arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Fatmir Vejsiu, eksponenti i cili ka të lidhura ngushtësisht interesat e tij në Durrës. Ky i fundit ka ndërhyrë tek ministri Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës duke justifikuar këtë ndërhyrje me faktin se lënda Menaxhim dhe drejtim institucioni arsimor i shkon përshtat pasi Filip Gjonçi është drejtor arsimi në qarkun e Durrësit dhe se bëhet fjalë për studentë të universitetit në këtë qark. Dosja e tij e arkivuar është ndër më të varfërat për shkak se Gjonçi duke mos shërbyer në arsim në 20 vite nuk i është nënshtruar asnjë kualifikimi dhe nuk ka asnjë kredit në drejtim e menaxhim dhe as si mësimdhënës. Në formularët e bërë publik edhe në internet përmes faqes së univeritetit të Durrësit www.uamd.edu.al cilësohet se kandidati duhet të plotësojë disa kritere minimale që përbëjnë detyrim për t’u përfshirë në stafin akademik. Domosdoshmërisht kandidati duhet të ketë përfunduar studimet e larta me rezultate shumë të mirë, të ketë fituar diplomë të nivelit të dytë në Mastër dhe të jetë përfshirë në punime me karakter shkencor. Dosja e Gjonçit është shumë e varfër pasi ai nuk ka mundur të sigurojë as tri letra rekomandimi nga pedagogë apo udhëheqës shkencorë për faktin e vetëm se ai nuk i është nënshtruar asnjë kualifikimi e shkollimi për të fituar vet Masterin apo gradë shkencore, ndërkohë që nuk bëhet fjalë që ai të ketë shkruar artikuj shkencor të publikuar në revista ndërkombëtare profesionale shkencore ose punime të tjera. Shumë pedagogë në Durrës kanë punuar për ngritjen e tyre profesionale duke arrirë të fitojnë doktoraturë, bashkëpunëtor shkencor, profesor, ndërsa thellojnë njohuritë me pjesmarrje në kualifikime e konferenca ndërkombëtare brenda e jashtë Shqipërisë. Edhe pse lënda që i është besuar ka shumë rëndësi kryesisht për të gjithë studentët që në një të ardhme do të kenë mundësi të drejtojnë institucione, Gjonçi është mjaftuar vetëm me udhëzimet se ku mund të gjenden leksionet. Deri më tani studentët nuk kanë bërë asnjë ballafaqim a kolekium siç ndodh me lëndët e tjera, për shkak se vet Gjonçi e ka të pamundur të përballet profesionalisht. Në master shkencor janë regjistruar edhe shumë studentë që kanë përfunduar studimet e larta disa vite më parë dhe që kërkojnë të kenë një dëshmi, diplomë e çertifikatë më shumë. Pikërisht kjo kategori e ka lehtësisht të mundshme për të bërë diferencën e ndryshimit mes pedagogëve të përkushtuar dhe Gjonçit. Në mesin e të regjistruarve për mastër shkencor ka edhe mësues e drejtues shkollash të cilët janë të detyruar të heshtin për të ruajtur vendet e punës. Diploma e Gjonçit nuk e ka të shënuar titullin nëse do të jap mësim në shkollë të mesme apo 8-vjeçare (sot 9-vjeçare). Një ndarje të tillë e bën nota mesatare që ka marrë në fakultet gjatë viteve të studimit. Duke qenë se ai nuk ka mundur të sigurojë rezultat e duhura udhëzimet e arsimit para viteve 90 i jepnin mundësi të jepte mësim vetëm në arsimin e detyruar. Ardhja në krye të arsimit në qark e Filip Gjonçit është bërë në saj të ndërhyrjeve politike dhe jo të konkurimit të dosjes profesionale, ndërsa ka mundur të depërtojë në stafin akademik të universitetit të Durrësit duke u fshehur pas pozicionit të punës si drejtues arsimi. Për t’u bërë pedagoge ka aplikuar edhe Mira Bllani, edhe ajo nën justifikimin se ka qenë drejtore arsimi. Por thuhet se Bllanit i është refuzuar kërkesa duke i bërë të ditur se kishte mesatare të ultë dhe nuk plotësonte kriteret e tjera. Përfitmi statusit të pedagogut nga Filip Gjonçi ka hapur një precedent të ri në stafin akademik. Çdokush që do të marrë karrigen e drejtorit të arsimit në nivel qarku pritet të kërkojë të njëjtën gjë që po bën edhe Gjonçi i cili duket se do e ushtrojë të drejtën e pedagogut deri në përfundim të vitit akademik. Nëse 23 qershori do të sjellë edhe një mazhorancë të re qeverisëse në vend Gjonçi duhet të lërë mandatin e pedagogut pasi ai nuk do të ketë më as postin e kreut të arsimit në nivel qarku

Previous articlePakistan, protestuesit arrijnë marrëveshje me Qeverinë
Next articleMë mirë vonë se kurrë