Home Aktualitet “Mesazh apo kërcënim?”/ Veliaj: Duka mund të jetë i pavarur por jo...

“Mesazh apo kërcënim?”/ Veliaj: Duka mund të jetë i pavarur por jo i paprekshëm

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi askush nuk është i paprekshëm nëse abuzon me fondet dhe taksat e qytetarëve. Në një konferencë që u zhvillua për “Sistemin e kontrollit të brendshëm në mirëmenaxhimin e financave publike”, Veliaj tha se UEFA dhe FIFA kanë dhënë shembujt më të mirë se kush abuzon do të dalë para drejtësisë.

“Pavarësia dhe paprekshmëria janë dy gjëra të ndryshme; mund të jesh i pavarur, por nuk je i paprekshëm. Dhe meqë FIFA dhe UEFA janë në Zvicër, leksioni më i madh në fakt na vjen nga Zvicra, ku fakti që ruhet sekreti bankar, të dhënat personale, që respekton të drejtat e njeriut, nuk nënkupton se njerëzit janë të paprekshëm, qofshin këta edhe vipat e futbollit. Ti mund të jesh futbollist i shkëlqyer si Platini, por Zvicra nuk të jep imunitet. Zvicra të ndjek, të auditon, të kërkon llogari dhe ti nuk je i paprekshëm. Sepp Blatter ishte mbreti i futbollit, por të qënit në Zvicër nuk i dha askujt imunitet. Në momentin që ti dështon në proceset e auditit, të transparencës, atëherë as në Zvicër, që është sot modeli i ruajtjes së pavarësisë dhe privatësisë, nuk shpëton dot”, theksoi Veliaj.

Veliaj në fjalën e tij gjithashtu theksoi se asnjë njeri nuk ka imunitet dhe për të treguar këtë gjë, ai mori shembull ministrat dhe ish-ministrat që të cilat po përballen me drejtësinë.

“Fakti që ka ministra dhe ish-ministra në paraburgim dhe do të përballen me drejtësinë, do të thotë që s’kanë imunitet. Fakti që ka zyrtarë të të gjitha niveleve, do të thotë se në Shqipëri është bërë një pakt me drejtësinë. Auditi i Bashkisë së Tiranës, i brendshëm, është më i rreptë se KLSH-ja, do të thotë se e kemi rritur ‘piacën’ në çdo segment të shoqërisë. Nuk mund të kemi ishuj apo enklava të pavarura. I pavarur mund të jesh, por jo i paprekshëm”, theksoi Veliaj.

Më tej, Veliaj tha se ata duhet të sigurohen që paratë e donatorëve si dhe taksapaguesve duhet të shkojnë në vendin e duhur dhe jo të vidhen.

“Edhe angazhimin tonë në këto betejat e fundit, jo thjesht si një nga pronarët, por edhe investuesit kryesorë të terreneve sportive në qytet, e shohim edhe si përgjegjësi audituese. Janë para që dikush i ka paguar, një donator ose taksapaguesi, dhe duhet të sigurohemi që shkojnë në vendin e duhur dhe nuk humbasin”, ai.

Në fund të fjalës së tij, Veliaj tha se të gjitha bashkitë do të organizohen dhe të vihen në sinkron në një shoqatë të vetme.

“Kemi pasur dy shoqata: një shoqatë me 60 anëtarë, dhe një shoqatë tjetër me zero anëtarë. Shoqata me zero anëtarë përfaqësonte Shqipërinë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, një butafori epike. I kemi dhënë edhe ne seriozitet, fillimisht vetes sonë, duke thënë se Bashkitë e Shqipërisë janë një. Jam sot shumë krenar për mënyrën sesi 60 bashkitë tona janë vetëkorrigjuar, janë në sinkron. Mund të them se kur shikoj bashkitë e tjera në rajon, ne jemi padyshim në avangardë”, përfundoi Veliaj.