Home Top Lajmet Mes njerëzve të dijes dhe të kulturës

Mes njerëzve të dijes dhe të kulturës

kolektivi shkolles ishemNga Bashkim Minga / Reportazh nga zona e Ishmit, Durrës

Natyra e zonës së Ishmit në qarkun e Durrësit ka një bukuri të veçantë. Çdo vizitor do të shijojë bukurinë e kurorës së gjelbër që shtrihet në të dy anët e rrugës së asfaltuar. Larmia e drurëve të shumtë, gjethet e verdha me ngjyrë floriri, e bëjnë këtë natyrë më madhështore, më tërheqëse e adhuruese. Edhe pse kanë rënë shira të shumta natyra e kësaj zone është e gjallë e plot freski. E tillë është ajo në çdo stinë të vitit e në çdo pjesë të ditës. Këtë bukuri mahnitëse e shijojnë mbi dy mijë familje me rreth 9000 banorë. Komuna e Ishmit përfshin fshatrat: Shkafanë, Lalëz, Bizë, Rrotull, Draç, Likmetaj, Kapedanaj dhe Gjuricë. Në qendër të Komunës është ndërtuar një spital, me të gjitha pajisjet. Për fëmijët e kësaj zone funksionojnë: një shkollë e mesme dhe 5 shkolla 9-vjeçare. Vijojnë rregullisht shkollën mbi 3000 nxënës. Ishmi dallohet për vlera të rralla kulturore, artistike e etnografike. Populli i kësaj zone këto ditë është në festë. Më 5 prill 1913 u çel shkolla e parë shqipe me mësues Sulejman Zalla (Shqipja). Pra këtë vit mbushen plot 100 vjet, sa shumë! Plot një shekull! Të gjithë banorët, mësuesit, nxënësit, drejtuesit kanë të drejtë të krenohen. Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë 72 mësues, 60 agronomë, 12 zooveterinerë, 9 ushtarakë e 6 mjekë. Por në këtë 100 vjetor njerëzit e kulturës dhe të dijes janë shtuar edhe më shumë. Ata janë fiksuar në kujtesën e të gjithëve. Për tu njohur më thellë se si do të përjetohet ky 100 vjetor, vizitën e parë e bëjmë; … Në shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini”. Shkolla ndodhet në qendër të komunës së Ishmit. Rruga e pastër dhe e asfaltuar të çon deri tek hyrja. Përballë ndërtesës dy katëshe të rikonstruktuar plotësisht, shohim dy çezma me ujë të bollshëm e të kulluar. Ndërsa kundrojmë këtë bukuri romantike, mendja fluturon tutje në thellësi të kohës. Na dalin si në ekran: patriotët arsimdashës të Ishimit si: Jakup Xheraj, Ibrahim Kaloshi, Ibrahim Shabani, Ali Veliu, Sheh Adem Roda, të cilët dhanë ndihmesën e tyre për përhapjen e mësimit shqip. Më pas atë e vazhduan mësuesit Asllan Ademi, H. Gjyli, G. Agasi, I Mezini, I. Shtufi, R. Veliu që lartësuan e ndriçuan udhët e arsimit shqip. Ne duam të vazhdojmë më tej, por drejtori i shkollës Agim Muharremi e zv/drejtori Bajram Taipi na ftojnë të futemi në shkollë. Befasohemi! Mjedisi i këndshëm na mbush me krenari. Në koridor nuk ka lëvizje. Zërat e nxënësve nuk dëgjohen. Ata kanë hapur librat e të përqëndruar mbi ta nisin betejën e radhës me rrugët e dijës. Ngjitim në heshtje shkallët për t’u futur në katin e dytë. Shikojmë stendat me kujdes. Ato janë të shumta e të larmishme. Na tërheqin vëmendjen dy prej tyre: “100 vjetori i shkollës, 5 prill 1913 – 5 prill 2013”. këtu është përshtatur shkurt rruga 100-vjeçare. E dyta ka diploma të shumta, çertifikata të fituara në veprimtari të ndryshme kulturore, artistike e sportive. Pra duket qartë, puna a palodhur e mësuesve dhe nxënësve. Ngado që të hedhësh sytë, kultura ndihet kudo: në mjedis, në veshje, në komunikim, në veprimtari, etj. Futemi në drejtori. Drejtori Agim Muharremi, ndonëse i sëmurë qëndron në krye të detyrës. E ha meraku për punën. Kërkon me çdo kusht që 100-vjetori i shkollës të kurorëzohet me sukses. Ai na tregon për veprimtaritë që janë zhvilluar e ato që do të zhvillohen. Na vendos para në tavolinë një plan të veçantë pune dhe veprimtarish, që do të kulmojnë më 5 prill 2013. E gjen aty konkurse, biseda, ekspozita, mbasdite letrare, vizita, konçerte madje edhe të gërshetuara me vidio-projektor. Ne s’patëm mundësinë të ndjekim nga afër një orë model në anglisht në vidioprojektor nga mësuesja Elda Dinushi dhe një koncert me këngë e valle nga trevat e zonës. Dhe vërtet në Ishëm ka talente. Ata nuk do të bëhen poetë të mëdhenj si Naimi apo Migjeni, aktorë si Tinka Kurti, këngëtarë si Vaçe Zela apo piktorë si Ibrahim Kodra, por do të ecin në gjurmët e tyre, për t’i thelluar dhe kultivuar më tej vlerat e rralla të kësaj zone. Zilja tashmë dëgjohet. Nxënësit dalin e nisen drejt shtëpisë. Por shumë të tjerë vazhdojnë veprimtaritë. Ne i lëmë ata në punën e tyre dhe vazhdojmë rrugën për…… në Komunë. Është ditë pune. Administrata vazhdon punën. Kryetari i Komunës z. Sulejman Ibrahimi vazhdon pritjen e popullit. Disa hyjnë e të tjerë dalin. Fytyrat e tyre duken të qeshura. Kjo dëshmon se ata kanë dalë të kënaqur nga pritja, ç’ka do të thotë se problemet apo hallet e tyre janë zgjidhur. Ne presim në koridor të shoqëruar nga Kryetari i Këshillit të Komunës, mësuesit të talentuar z. Mark Proja, Kryetarit të Komisionit për arsimin, mësuesin e shkathët e të zgjuar z. Indrit Berberi. Pritja mbaron. Ne futemi në zyrë. Z. Sulejman Ibrahimi, një djalë i qeshur, i etur për punë, na pret përzemërsisht. Në fillim bisedojmë për punët, hallet dhe problemet e komunitetit. Kryetari i Komunës z. Sulejman Ibrahimi në bisedë e sipër thotë: “Kur bëj diçka të mirë për të tjerët, më duket shëndet për vete. Probleme ka. E rëndësishme është zgjidhja. E ne i kemi zgjidhur drejt e në kohë”. – Po, për 100 vjetorin e shkollës, ç’keni menduar?! – i themi ne. – E kemi në qendër të vëmendjes. Kemi ngritur një grup pune për organizimin e 100 vjetorit. Do bëhet ndriçimi i rrugës, do të shtrohet rruga deri tek shkolla, do të zëvendësohet çdo gjë e vjetër. Për këtë ditë kemi vënë në dispozicion 4 milionë lekë (të reja). Vetëm për ditën e ceremonisë kemi rezervuar 500 000 lekë (të reja). Pra gjithçka do të eci shumë mirë. Ndahemi të kënaqur me kryetarin e komunës z. Sulejman Ibrahimi. Të shoqëruar nga drejtori i shkollës 9-vjeçare Vait Bushi, Lalëz, z. Islam Hasani drejtohemi tek…… Familja Kërtusha. Nga kjo familje kanë dalë plot 14 mësues ku përfshihen, prindër, djem, vajza, nipër, mbesa. Hashim Kërtusha. Për 43 vjet ka punuar si mësues, ku falë pasionit të mësimdhënies dhe nivelit të lartë shkencor e pedagogjik si dhe arritjeve të larta në proçesin mësimor edukativ ka merituar titullin “Mësues i dalluar”, medaljen “Naim Frashëri” dhe urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe në vitin 2008 shpallet nga DAR e Durrësit “Mësues i Vitit”. Ka botuar librat: “Miq mirësejugjeta!” (Poezi), “Patrioti Dan Rrahmani.” (Jetëshkrim), “Trevë me jetë sa vetë njerëzimi.” (Poezi), “Nga Torino në Rodon.” (Tregime dhe kujtime). Ferhat Kërtusha, Makbule Kërtusha, Xhemaile Kërtusha, Agron Kërtusha, Alfred Kërtusha, Lindita Kërtusha, Blerim Kërtusha, Myzejene Kërtusha, Fife Kërtusha, Olgert Shehu, Bashkim Resuli, Shefqet Shehu dhe Shezahir Kërtusha, një mësues me vlera të madha në fushën e arsimit dhe të kulturës. Në shtator 1975 çertifikohet si aktor dhe regjizor në trupat amatore e profesioniste. 1972-1984 emërohet përgjegjës i Pallatit të Kulturës, Ishëm. 1977 kualifikohet për punën me librin, pranë Bibliotekës Kombëtare Durrës dhe asaj në Tiranë. Dhe në fakt puna e tij duket në bibliotekën e shkollës. Falë punës së Shezahir Kërtushës dhe duarve të tij të arta Biblioteka është model. Ajo ka mbi 5000 ekzemplarë ose gati 30.000 copë libra. Inventarizimi është i plotë: është bërë skedimi, ndarja sipas gjinive. Ka edhe libra shkencorë të cilët janë ndarë: literaturë shoqërore, historike, gjuhësore, metodike, mjekësore, fjalorë, etj. Inventarizimi është i kompjuterizuar. Gjen rençensione të punuara nga vetë nxënësit. Për punën plot përkushtim të mësuesit Shezahir Kërtusha, flasin jo vetëm kolegët, por edhe vetë nxënësit. Në fushën e arsimit ka dhënë një kontribut të veçantë, si mësues në ciklin e ulët, në ciklin e lartë e në shkollën e mesme; në fushën e letërsisë, gjuhësisë, historisë, gjeografisë e sociologjisë. Kontributi i tij është i shumanshëm: ka përgatitur dhjetra kabinete, sidomos për klasat e para, ka kontribuar për Muzeun e Ishmit, i cili është model. Ka në dorë mjaft studime si: “Etnografia e zonës, veshjet, traditat e zakonet”, “Fjalët e rralla, humori dhe anekdotat e zonës”, “Turizmi për zonën e Ishmit” (turizmi detar, i gjelbër, qytetar). Po cili është mësuesi Shezahir Kërtusha?! Ka lindur më 28 gusht 1950, në Kërtushaj, Ishëm. Për afro katër dekada ka punuar si mësues në fshatrat e zonës së Ishmit. Është dalluar për nivel të lartë shkencor e pedagogjik në mësimdhënie duke përdorur forma të larmishme bashkëkohore. Për gjashtë vite rresht ka kryer detyrën e informatorit në ciklin e ulët në zonën e Ishmit, nga viti 1992-1998. ka marrë vlerësime si mësues i spikatur i vitit nga DAR-ja e Durrësit. Aktualisht banon në vendlindje, në Ishëm. Del para lexuesve me vëllimin me poezi “Jetë e trazuar”.
Libri përmbledh 61 poezi: njera më e bukur se tjetra, njera më tërheqëse se tjetra. Poezitë janë të të gjitha gjinive dhe me tematikë të ndryshme. Ka poezi për atdheun, për dëshmorët, për vendlindjen, për piktorin e madh Ibrahim Kodra, për shkollën e parë shqipe, për natyrën, etj.
Të mbush me frymëzim poezia “100 vjet shkollë shqipe” (në Ishëm). Ja një strofë e saj:
Shqipja e bukur në Ishëm ligjëroi,
Një shekull fare pa pushim,
Mëndjen e njerëzve ndriçoi,
Djem, vajza mësuan me përkushtim.
Vazhdojmë më tej leximin e librit. Ndalemi tek poezia “Shtatë Marsi”. Në të lexojmë:
Sot është shtatë Marsi,
Dita e madhe e diturisë,
Fëmijëve me lule dita u nisi,
Urojnë festën e mësuesisë,
Festën sot e ka mësuesi,
E bukur dita e diturisë,
Në Korçë udhën ajo nisi,
Veç për mua ditë e mërzisë!
Vargu “Veç për mua ditë e mërzisë”, jo vetëm më trishton, por edhe më fut në mendime të thella. Ç’ka dashur të thotë?! Ku e ka hallin?! Pse të jetë i mërzitur?! M’u mblodh një lëmsh i madh në grykë. Me sytë gjysmë të përkulur i hodha një vështrim tavolinës ku isha ulur. Çdo gjë m’u duk e veshur me mjegull. Trurin e kisha të shpërndarë e s’mbaja mënd asgjë. Kujtimet më qenë fshirë. E mblodha veten. Ngrita kokën lart e pashë në sy Shezahirin. Vështrimet u kryqëzuan. Çdo të thuash me vargun “Veç për mua ditë e mërzisë”? S’të pëlqen profesioni i mësuesit? – i thashë duke ngritur zërin. Shezahiri uli sytë mbi tavolinë, e duke lotuar me gjysmëzëri u përgjegj: “Pse më pëlqen, prandaj jam i mërzitur. Unë s’jam më pranë nxënësve. Më kanë pushuar nga puna”! Në dhomë ra një heshtje varri. Gëzimi u shua krejt si fije kashte. – Po si ndodhi? – E çava unë heshtjen. – Më ndodhi një aksident. U operova në Itali. Më pas isha me raport. Pas raportit mjekësor, më caktuan në shkollën e mesme. Më dhanë bibliotekën dhe orët e lëndës së fiskulturës. Sigurisht, këto orë unë nuk mund t’i realizoja si duhej. Dikush, si duket u ankua në DAR. Ata më pushuan, pa asnjë motivacion dhe nuk më afruan asnjë punë tjetër. – Sa vjeç je? – Kam mbushur 63. më duhen edhe dy vjet të dal në pension. – Do kishe dëshirë të punoje këto dy vjet në arsim? – e vazhdoj unë më tej bisedën. – Do të ishte vërtet një mrekulli. Gëzimi më i madh i jetës sime. – Ndoshta, dikush do të mendojë edhe për ty.. – Shpresa është fare e pakët, por ajo s’vdes kurrë. Dielli tashmë e kishte marrë të tatëpjetën. Ne duhet të largohemi nga kjo familje me tradita të mëdha kulturore e arsimore. Përqafohemi me të gjithë si shokë, miq e kolegë. Emocionet rriten. Ne dalim afër rrugës automobilistike. Aty ku na pret makina. Shezahiri ngre edhe një herë dorën lart e na përshëndet duke thirrur fort: – Mos na harro Bashkim! Nuk i dhashë dot përgjigje, makina ishte larguar mjaft. Unë tunda kokën në shenjë aprovimi dhe e përshëndeta me dorë. Rrugës, nga xhamat e dritares shikojmë pamjen e mrekullueshme të fshatit Ishëm. Vështrojmë gjithçka: ujët e ftohtë, drurët e lartë, pemët e shumta, që ia zbukurojnë edhe më tepër pamjen. Herë pas here shoferi i ndërron marshet dhe makina duket sikur fluturon. Kthesat e shumta që vijnë njera pas tjetrës, kalojnë pa u ndier. Kur mbrrijmë në qytetin e Durrësit, dielli është ulur poshtë në perëndim, ndërsa qielli ka marrë një ngjyrë të kuqërremtë. Në bulevard vinë zëra njerëzish, të qeshura, më të rrallë dëgjohet edhe boria e ndonjë veture, që kërkon me këmbëngulje që t’i hapet rruga. Unë, me çantë në krahë misem për nga shtëpia. Sapo i afrohem stadiumit, dikush më kap nga prapa. E njoha menjëherë. Është mësuesi i ciklit të ulët të fshatit Rrotull, komuna e Ishmit, Përparim Taipi. Është një djalë energjik, me flokë kaçurrel, i gjallë e i shkathët, bujar e dashamirës, model e i përkushtuar. – Hajde të pimë kafe, – më thotë me dashamirësi. – Patjetër, – i përgjigjem unë. Ashtu të përqafuar e buzagas futemi në kafene. Me njerëzit e dijes e të kulturës është kënaqësi të rrish e të bisedosh. Kultura i ngjall njeriut në shpirt pasionet më të zjarrta, përmes kulturës çmohet vlera e mëndjes, që është e para nga vlerat shpirtërore. Kultura nuk është as luks, as stoli, por mënçuri dhe modesti. Herakliti ka thënë: “Dinakëria është armë e të dobëtit, mënçuria është armë e njeriut të kulturuar”. E pra nga vlerat e zonës së Ishmit, e veçanërisht të familjes së Shezahir Kërtushës, kemi nevojë të marrim të gjithë nga pak, sikurse jemi të prirur të përfitojmë nga përkushtimi, pozicioni e vullneti, që i karakterizon ata.

 

Previous articleTeuta ruan vendin e parë për fair play
Next articleKonventa e kryemitingashit të mitingashëve të partisë demokratike