Një video në media ndërkombëtare, shfaqen mercenarë serbë që stërviten krah ushtarëve rusë të kompanisë “Wagner” për të luftuar në Ukrainë. Në të shikohet një ekip serb në pyjet e Donbass para se të shkojë në front kundër ukrainasve.
Më herët, këtë shqetësim në nivel zyrtar e ngriti edhe diplomati i lartë amerikan Derek Chollet gjatë takimit me presidentin Vuçiç.
Kompania private e afërt me Kremlinin po rekruton vullnetarë nga Beogradi. Ajo që i josh shumë serbë të bashkohen është paga e lartë dhe sigurimi i mirë në rast vdekjeje.
Vitet e fundit ka pasur prani të serbëve në misionet e Wagner-it në Siri dhe Libi, ndërkohë që lufta në Ukrainë ka zgjeruar oreksin e oligarkut Prigozhin që zotëron Wagnerin, për të ndërtuar një ushtri të vërtetë.
Sipas medieve italiane, muajt e fundit, ardhja e “vullnetarëve” sllavë në Ukrainë ka vazhduar të rritet. Por kjo nuk i ka pëlqyer presidentit serb Aleksandar Vuçiç, që reagoi publikisht duke thënë “Pse i telefononi bashkëqytetarët tanë kur e dini se kjo është e ndaluar me ligj?”
Beogradi e ka të ndaluar me ligj që qytetarët nga t’i bashkohen konflikteve të huaja, ndërsa ka pasur edhe 20 dënime gjyqësore për qytetarët që shkuan të luftojnë me rusë.