Home Dossier Mehmet Spahiu nuk është më ndërmjet nesh!! Topkëmba durrsake humbet një tjetër...

Mehmet Spahiu nuk është më ndërmjet nesh!! Topkëmba durrsake humbet një tjetër përfaqësues të saj

Nga Bujar Qesja

Pemës së futbollit durrsak, i hiqet edhe një degë. Hiqet një degë që të djeg, që të sjell dhimbje dhe trishtim. Një krasitje natyrale kjo e kësaj peme, që drejt me thanë është dëndësuar kohët e fundit. Gjithsesi historia e futbollit durrsak, bëhet me të gjallët dhe të vdekurit e saj. Por popullariteti që kanë futbollistët, sikur nuk i fashit lehtë nga kujtesa e jonë, aq sa mund ti bëj të vdekur. Ato vërtet mbarojnë fizikisht, por në psikologjinë tonë, ato janë ulur dhe nuk mund ti spopstoj kurkushi për ti vendosur në një tjetër vend. Është vendi që kanë krijuar me punën e tyre, me sjelljet dhe veprimet e tyre, me përkushtimin dhe pasionin e tyre, me sakrificat dhe përpjekjet e tyre. Është kjo dhe vetëm kjo arsyeja, që kur qendron para një afisheje ku lexon emrat e tyre, në çast flet në mëndjen tënde: “Jo, jo, nuk është e vërtetë. Si mund të vdesë një futbollist, që ka ngritur peshë zemrat e sportëdashësve dhe i ka gëzuar ata pa masë. Ato janë memorie. Janë kthyer në referim. Nuk mund të zbehen”. Kështu fola edhe unë me 25 janar 2018, me zërin e kujtesës, të kënaqësisë për rrugën e gjallë, të bukur dhe aktive, kur u ndodha përballë Mehmet Spahiut. Fillova të flas me të, aty ku e pashë të vendosur. Dhe Meti im dhe Meti ynë, më vështronte me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, sikur kërkonte të më thonte: “Bujar nuk do të shihemi më. Në shënimet tuaja, në kohën kur luanim ne, mud të më shikosh. Në përvjetorë të shokëve kur jemi ndodhur bashkë, mund të ndjekësh fotot. Mua nuk më takon dot më, por po të lej kujtimet e mia. Lamtumirë, lamtumirë!”

Ikën miqtë. Po ikin shokët. Por po na lenë të gjallët e tyre, në foto, vidio dhe kujtesë. Pse kaq shumë humbje kohët e fundit! U largua pak më parë Nazmi Maxhuni. Njeriu korrekt dhe serioz i futbollit. Dhe më vonë Teli Ciko, portjeri simpatik dhe elegant i Lokomotivës. E ironia e fatit, shkoi më pas tek zëvëndësuesi i tij, Naim Dollaku, siç është quajtur ndryshe portjeri i pritjes së penalltive. Pastaj na la edhe legjenda e sulmit Niko Bespalla, goditësi i enceve pasi numëronte 9 metra e 30 centimentra distancë, për të bërë më pas atë goditje vrastare për portjerët. Iku edhe veterani Fiqiri Dervishi, për tu pasuar nga një mbrojtës shumë i fortë fizikisht, që vinte në mos gaboj nga Shijaku me emrin Mersin Sijoni. Dhe tani na la edhe Met Spahiu. Miku ynë i mirë, shoku ynë i shtrenjtë. Sa të lidhur ishim vitet e fundit. Kujtonim shokët e futbollit, me të cilët qendronte vazhdimisht. Vjen dhe më flet për të, Feti Golashi, sulmuesi i krahut të djathtë të Teutës. Një futbollist teknik, i shpejtë dhe hera herës edhe spektakolar. Fetiu qante si fëmij, pasi ishte i fundit që u nda nga Meti atë ditë, që ai u dëmtua. Igli Goga i kishte dhënë një kalendar të Diamantit dhe tërë gëzim ka ngjitur shkallët e shtëpisë, për të pushuar disi e për të vazhduar më tej jetën e përditshme. Por pa dashur pengohet në njërën prej shkallëve dhe është përplasur fuqishëm në mur. Koka i është dëmtuar shumë rëndë dhe në çast ka humbur ndjenjat, apo siç thuhet në kësi rastesh, ka rënë në gjendje kome. E shoqja me shpejtësi e ka ndarë shqetësimin me Igli Gogën, njeriun e dashur dhe të respektuar të sporteve, i nipi i Dhimitraq Gogës, të cilit po i kushton edhe një pallat sporti modern dhe me shokun e tij më të ngushtë Feti Golashin. Nga data 13 janar në këtë gjendje, Met Spahiu ka mundur të mbijetojë deri në datën 24 janar, i shtruar dhe në terapi itensive në spitalin amerikan në Tiranë. Por kaq ishte shkruar, kur thotë populli dhe Meti ynë nga ajo ditë, mbylli sytë për jetë. Lajmi na ra si “bombë”, pasi Met Spahiu ishte shumë aktiv në jetën e përditshme. Pranë shokëve të sportit, pinte kafenë e mëngjesit dhe kujtonin kohën e bukur të rinisë, duke mos iu shmangur edhe dukurive dhe realitetit të ditës. Igli Goga e kishte shoqëruar Met Spahiun me 13 janar 2018, në mjediset e investimit të tij më të fundit, duke pritur 18 marsin për të përuruar pallatin e sportit, me emrin mitik Dhimitraq Goga. Madje Igli, i kishte thënë Met Spahiut, ja ku e ke edhe karriken tënde. “Të gjithë veteranëve të sportit, do tu vendos emrin në karrike dhe janë të ftuar nga unë sa të munden, të jenë të pranishëm.” Dhe Meti ishte larguar nga kompania Diamant, me gëzimin e madh për të pritur datën historike të 18 marsit 2018, ku Durrësit do ti shtohet një tjetër pallat sporti, pjesë e investimit të Akademisë Goga Basket.

-Me Metin, jemi bashkëmoshatarë. Jemi të një vitlindje 1942. Nisëm futbollin së bashku dhe ishim pjesë e Lokomotivës së të rinjve me trajner Tom Gjirin. Përsëri së bashku edhe në Gjirokastër, ku shkuam të kryejmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. U bëmë pjesë i ekipit të Luftëtarit. Pas një viti, Meti transferohet në Fier, ku e kërkonte i mirnjohuri Skënder Dedja. U aktivizua me këtë rast me Apoloninë. Dhe më pas bashkohemi në Durrës me Lokomotivën.

Këto fjalë më thonte sot Feti Golashi, për shokun e tij të ngushtë Mehmet Spahiu dhe nuk i përmbante lotët. Takoheshnin përditë bashkë dhe po së bashku bënin planet e pleqërisë së tyre aktive dhe sportive. Mehmet Spahiu e mbajti fanelen e Lokomotivës për gati një dekadë, ku luajti në rolin e mesfushorit sulmues. Ishte një futbollist i shpejtë dhe shumë luftarak. Me lojën teknike që zhvillonte, duke qenë tejet produktiv, ai do të kujtohet gjithnjë nga sportëdashësit durrsakë. Mehmet Spahiu deri në fund të viteve 60-të, luajti përkrah futbollistëve të njohur të Lokomotivës si Met Myshku, Omir Topçiu, Shyqyri Hasa, Kristaq Godo, Zyhdi Daja, Skënder Zalla, Nysret Shyti, Nderim Hoxha, Pask Bardhi, Kristaq Ikonomi, Safet Berisha, Filip Disha, Nazmi Maxhuni, Bardhyl Kalaja, Osman Kapidani, Feti Golashi, Kujtim Kika, Flamur Qojle, maksut Leshteni, Abdulla Duma, Petraq Ikonomi, Orest Grami, Mustafa Saraçi, Niko Bespalla, Muharrem Kadiu, Teli Ciko etj. Humbja e Met Spahiut na ka tronditur thellë, për vetë natyrën prej masoviku dhe njeriut shumë popullor në Durrës. Ky njeri korrekt, me një natyrë të qeshur, miqësor dhe i afrueshëm, me një komunikim dhe humor për tia patur zili, prej 24 janarit nuk është më ndër ne. Me 25 janar 2018, iu dha lamtumira e fundit këtij njeriu të shkëlqyer dhe futbollisti të njohur, nga familjarët, të afërmit, miqtë, shokët,. Lamtumire Met Spahiu.