Home Aktualitet “Më sulmuan me shkelma e grushta te Astiri”/ Si protestuesit dhunuan nënën...

“Më sulmuan me shkelma e grushta te Astiri”/ Si protestuesit dhunuan nënën me foshnjën në makinë

Qarkullimi prej gati 5 muajsh në aksin rrugor të Unazës së Re paralizohet pasditeve, pasi dhjetëra familje kundërshtojnë shembjen e shtëpive duke bllokuar rrugën.  Edhe pse dalin për të luftuar për të drejtat e tyre, cenimi i të drejtave të qytetarëve të tjerë ka ndodhur.

Edlira është ndeshur me protestuesit 200 metra poshtë rrethrrotullimit të Astirit, të cilët kanë zbritur nga trotuari  kur kanë parë lëvizjen e makinës së saj pas hapjes së semaforit jeshil. Ajo është gjendur e rrethuar nga protestuesit teksa së bashku me vajzën 16-muajshe po ktheheshin për në shtëpi.

Për këtë arsye, Edlira doli jashtë makinës duke u kërkuar të ndalnin shkatërrimin e makinës, por pre e dhunës ka rënë dhe ajo vetë.

“Më godet në fytyrë te syri dhe tek hunda. Dikush tjetër më shkuli flokët nga mbrapa dhe më tërhoqi, kthej kokën dhe ishte një vajzë jo më shumë se 15-16 vjeç. E humba fare, se nuk e prisja atë reagim dhe filloj të bërtas. Kam beben në makinë më lini të kaloj”.

Pasi ja ka dalë të largohet, e tronditur Edlira ka gjetur punonjësit e policisë 200 metra larg vendngjarjes. Rasti është denoncuar menjëherë në komisariatin nr. 6, por e papranueshme është se policët e pranishëm gjatë ngjarjes nuk kanë ndërhyrë.

“Bëra denoncimin, u shpjegova gjithë situatën si ndodhi. Nxorën fotografi të makinës, një polic më tregoi videon kur më rrethojnë. Dhe u munduan të më qetësojnë që nëse s’arrij t’i identifikoj do e bëjnë ata se ka pasur policë civilë që e kanë parë ngjarjen”.

Ndërkohë që ky nuk është rasti i vetëm, më shumë se 20 denoncime janë bërë në komisariate për dhunën e ushtruar nga banorët e Astirit.

“Në të njëjtën ditë pas meje erdhi një djalë në komisariat , që ishte goditur më keq në fytyrë dhe në këmbë. Edhe të nesërmen që vajta në spital për raportin mjeko ligjor më tha mjeku që para teje ishte dhe një djalë i ri që nga të njëjtët protestues ishte goditur. Domethënë nëse ata duan të nxjerrin dufin nuk kanë pse e nxjerrin te femrat, në fëmijë apo kush s’u ka faj…”