Home Letersi Më sill pak det!

Më sill pak det!

u1_VasoPapaj Nga Vaso Papaj

Nën të njejtin qiell

Nën të njejtin qiell
Jetojnë e vërteta dhe gënjeshtra.
Nën të njejtin qiell
Flirtojnë dashuria dhe urrejtja.
Nën të njejtin qiell
Vdes dhe ngjallet ëndrra.
Nën të njejtin qiell
Shpesh më tepron dhe dhembja.
Nën të njejtin qiell
Buzëqeshja, lot që pikon më ngjaka.
Djaj dhe engjëj më rëndoni kot
Me ide të mbrapshta.

Në djall vafshi!…
Rreze drite në pasqyrë,
Nuk ngjasoj me atë që shkoi:
Më i plakur, më i fryrë,
Por më i pasuri nga soj.
E vërtetë e hidhur kjo
E poetit të vonuar.
Të qëllon dhe ja, provo,
Nga vetja të jesh lehtësuar.
Isha një nga ata që s’bije,
Ëndrrimtarë, agim me vesë,
Që kërkonin dritë në hije,
Mëndja kurrë të mos i vdesë.
Dhe përherë mbetur në këmbë,
S’i donin vështrimet bosh.
U përgjigjeshin ndër dhëmbë:
“Në djall vafshi! Gjë s’na josh.”

Ngjizjet shpesh janë dhe të këqija,
Janë si gropat me gjarpërinj.
Mbërritur vonë, të ze pleqëria
Dhe dështimet shpesh të mpijnë.
Ndaj më thonin shokë e miq:
“Mos limo vargje të mjera.
Këmbëngul, mos u tërhiq,
S’ka poeti armë të tjera.”
Dhe i ruhesha së keqes.
Vjen e keqja kot së koti.
Si poet i thoja vetes:
Në djall vafsh, në s’je i zoti.

Shpesh tërë gaz, i çensuruar,
Sikur shigjetoj pushtetet.
Veç në vargje kam tentuar
Dashuri pafund të mbetet.
Në një botë prej dimërakësh,
Vargu mbase sjell pranverën.
Ajo sjell funde dështakësh
Dhe poetin deh me erën.
Ndaj nuk gjendem qoftë një ditë,
N’asnjë rresht nëpër gazeta.
Faqet i kanë zënë orgjitë.
Vallë të jenë gjithë të vërteta?!…
Por kronika e zezë ka zbritur,
Ndaj i urtë prita sa prita,
Botës për t’i ulëritur:
“Në djall vafsh, moj, me të gjitha!”

Nuk dorëhiqem. Jam poet.
S’jam profet i kësaj bote.
Desha t’ jua mësoj këtë jetë,
Nga përvoja, mote e mote.
Ndaj do të ec mes fishkëllimash,
T’u çliroj nga vetja ime.
Fundja ky është një trill trimash,
Ëndërrim mbi ëndërrime.
Jam një i çmendur që bërtet,
Dashurinë kërkon të lidhë.
“Mjaft më, mjaft, se ndihem keq!
Në djall vafshi që të gjithë!”

Po ç’të bëj?!…Nuk jam një tjetër.
S’kam ndryshuar që i mitur.
Shpirtin kam mik më të vjetër
Se kjo maskë që po mbaj ngjitur.
Si armiq e miq t’ju kem,
Me dëshpërimin që s’e shqita.
Nuk do t’mundem kurrë t’ju them
“Në djall vafshi, me të gjitha.”

E gjeta njeriun
Miq, njeriu ka kohë që ka humbur,
Nuk lashë vend pa kërkuar këtej,
Gjer shtigjet e shpirtit kam shkundur
E prapë nuk po mundem ta gjej.

Të urtin, të aftin, të ndershmin,
Ku është fshehur? Atë po kërkoj.
S’lashë shtigje të shpirtit pa shkelur
E më duket se kot po rrëmoj.

Po zënë qënkan shtigjet e shpirtit,
Ndaj terri më ndjek gjithandej.
Edhe pyes, mos veten kam humbur?
A mos veten më kot po gënjej?…

Po ja, që zbardhi një ditë dhe e gjeta.
Sytë e saj me lot si dy diej.
Putha lotët dhe i dehur seç mbeta.
Drit’ e tyre m’kish shkuar ndër dej.

Misis Mickonjë
Misis Mickonjë
S’ndahesh,
Rrotull vjen,
Shpirtin më verbon.
Mirë kur dielli shkëlqen,
Por dhe në terr më gjen,
S’më le,
Më helmon.

S’ je ajo e para,
Racë anofele.
Në këtë kohë moderne,
Di veç përkedhelje.
Nuk e sjell malarjen prapa,
Ke ndërruar luk,
Ke ndërruar hapa…
… Ah, misis Mickonjë!
Lus të iki vapa.

Kënga e refugjatit
Emri im është bërë si parja e kuqe.
Del në sheshe tragetesh, mbin në aerodrome.
Gjatë e lënë në rresht si të ish njeri me huqe,
Sikur kish dalë motelesh veshur me kondome.

I ngjan fytyra ime një pasqyre të krisur.
Veç refugjatë me sy të ndritshëm pasqyron.
Sa herë flasim në skype s’rri pa të përsëritur:
“Dije, kurrë s’kam qenë dhe s’do të jem demon.”

Pranë s’mund të më mbaje në këtë kohë të keqe.
Jam zot i vetes, tjetërkujt nuk i takoj.
Një qiell të thyer copë kam marrë me vete.
Sa shumë e desha! Kurrë s’do ta harroj.

I heshtur endem, thith ajër me vegime.
Me natën puthem, ndukem dhe bëj dashuri.
S’paska pasur një plis nga ajo toka ime
Të më shtrëngojë fort e të më mbajë në gji?…

Mendimi im i ngjan një zogu të shtegëtuar.
Ikën në prag vjeshte, të gjejë pak ngrohtesi.
Se rruga është e hapur, telat me dhëmbë rrëzuar.
Mos më kërko. S’më mban. I lidhur dot nuk rri.

Tashmë, e di. Kjo rrugë është rruga ime.
S’e zgjodha unë, dhuratë ma dhanë të tjerë.
Nuk ka tabela, as semaforë, ka vetëm ëndërrime.
Ndaj ti pa drojë më thuaj: “Ec edhe më merr!”

Po rrugën time e ka zënë një gjumë i thellë.
Në fund të saj s’më jep qoftë dhe një yll.
Për dashuri gjithmonë më jep të njejtën gjellë:
Një çantë shpine shtegut, nëpër të njejtin pyll.

Ah!…
Në muret e zemrës time
Vallëzo sonte tallava.
Dhe krahë engjujsh ngjitmë në sup.
Të mbërrijmë gjer tek portat e parajsës,
Me shpirt edhe me trup.

Ah!…
Shpirti im, brenda tëndit
Tej qiellit, dha gjithçka.
Fshehur, në një mbrëmje pa mbarim,
Që në botë të mos e shihte kush,
Timin përgjërim.

Kisha…
Kisha brenda vetes një muzikë të vdekur
Muzikë të dremitur … ëndërr, poezi
Ndoshta mund të ishte dhe shaka e thekur.
Por i ngjante diellit në një kohë me shi…

Kisha brenda vetes një muzikë të vdekur
E mora me ajrin, kur atë e ngrinë
Desh ngriu dhe mua, prapa më ka ndjekur
Por më mbeti zemra, më ngjalli besim.

Kisha brenda vetes muzikë të përndjekur
Zemra i dha ritmin, i dha ngrohtësinë.
Kapur jele kali, i gjallë dhe i vdekur
Në rrugëtim pafund, të puthja lirinë.

Shi i shpirtit tim
Shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga…
Zbutmë plagët,
Plagët e përgjakura të mundit,
Mos i lerë të zenë merimanga.

Miku im i mirë,
Shi plot hir.
Shuama grahmën e dhembjes.
Freskomë qelizat e mendjes.
Të mos rend kuturu.
Ngreje vetullën tënde,
Ylberin,
Ja, kështu:
Bashkoja kreun dhe fundin,
Mirësinë dhe mëshirën…
Shi i shpirtit tim,
Për mua,
Bëje më të mirën!
Se je shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga.
Ndaj,
Do m’i zbusësh plagët,
Mos të kem më danga…

S’dashka të mbarojë
S’dashka të mbarojë edhe kjo natë.
S’dashka të ma marrrë racionin e dashurisë.
Si një mace më fërkohet në krevat,
Në fytyrë,në qafë, me bisht më gudulis.

S’dashka të mbarojë edhe kjo natë.
Do ta ha dhe ajrin. S’e le të ma grabisë.
Veten të dorëzuar e shoh pak e nga pak.
Këtë natë nuk ka asgjë që t’më çudis.

Njeri, i bukur
Si duket
Të takon ty të kujdesesh për ditët e mia.
Të më zgjosh me një kafè
Të më zgjidhësh
Pikëpyetjet që kam përbrenda
E të më thuash: mos u plaksh kurrë.
Të më përzësh trishtimin armik,
Që më rreh në mendje si tambur.

Si duket
Më takon dhe mua, I përvuajtur në vite,
Si ithtar, për ndryshim i etur,
Të bëj çfarë s’mundem për të mos vdekur.
Gjer tek më e madhja:
Të të besojë, pafundsisht të të besojë.
Zemrën të të dorëzojë,
Që dhembja kurrë
Mos mund ta pushtojë.

Si duket
Më takon po mua e gjithë lumturia jote.
Ashtu si ty lumturia ime.
Po ta arrij, s’ngutem.
Pse ta fsheh!?…
Për këtë
Gjer Zotit do t’i lutem…
Nesër, pasnesër, tjetërpasnesër
E prapë nesër, e prapë pasnesër.

Si duket
Unë si një hije do të të ndjek.
Armë kam të madhen dhemshuri
Dhe s’do të të zhgënjejë,
Do të jem ashtu si më do ti.
Do të kthehem
Si një herë e një kohë:
Hamall, mekanik…
Në rast nevoje do t’i provoj përsëri.
Le të më kthenin përsëri armik.
Asgjë s’më tremb
Nëse matem me dashurinë për liri.
Do t’ia arrij, ta dish,
Do t’ia arrij.
Atëherë në sy do të të shihja pa u skuqur.
Dhe veç atëherë do të quhesha njeri,
I bukur.

Më sill pak det!
Më sill pak det!
Nga ai që përkëdhel brinjët e qytetit tim.
E dua nga ai të jetë.

Më sill pak det!
Në valixhe ndrydhe, si përrallat me qilim,
Si suferinë mbi retë.

Ta derdh mbi faqe e flokë.
Të ngopem e të dehem me aromë e kripë,
Ta përqafoj si shok.

Më sill pak det!
Të lutem, më sill pak det! Të vras vetminë.
Vetmia po më vret.

Sa shumë!…
Sa shumë e dua atë cast!
Sa shumë më deh një përqafim!
Nuk e harroj as në atë rast,
Kur valet puthen me tërbim.
Sa befasisht ky cast më mund,
Kur yjet treten në agim
E sytë e mi me sytë e tu
Janë ngërthyer gjer n’amëshim.
Sa fat më zbret kur më je pranë!
Sa më kushton një përkëdhelje!
Sa shumë më ther një sy zeshkan,
Që nuk më çon kurrë gjer në velje.
Sa shumë gëzim ndër dej më tretet!
Sa ma ndryshon humorin tim!
Sa shumë gëzim tek ty do t’mbetet,
Se krahë të jep gëzimi im.

Do jem me ju
Sa here që thoni: Po na pushton mërzia,
S’do jem me ju, me kuje të vajtoj.
E në rastistë,shpërtheni fjalë më të këqia,
S’do jem me ju, më shumë t’ju nervozoj.
Por unë do jem me ju, në të vërtetën do t’kërkoni.
Me ju, kur çmendurisht do të doni dashurinë.
Do jem me ju, në do të zgjidhni së mirës t’i besoni,
Kur shpirti në çdo hap t’u njohi Perëndinë.

Sa herë që thoni , se “një nesër” nuk do të ketë,
Nuk do jem unë, ai që ua mësova.
Sa herë që zemra s’do të mund t’u rezistojë në jetë,
Nuk do jem unë, ai që ua shkaktova.
Por unë do jem me ju, kur të kërkoni rrugë të tjera.
Do jem me ju, kur burrërisht do t’adhuroni lirinë.
E prapë me ju, kur s’do të doni ligje të mjera,
Që nuk mbështesin ëndrra mbështjellë me urtësinë.

Unë jam Poet. Për ju do të desha veç mirësinë.
Një këngë do jem, gjithnjë, në mendjen tuaj.
Do jem një ledhe nëpër trup, t’u heq egërsinë.
Do jem e qeshura, që s’le askënd në botë të vuajë.
Se çdo Poet, ta dini, ka një histori më vete:
Kurr’ nuk do jetë dhembja që lumturin’ e merr me vete.

A do të dime të qeshim?…
Vërtet,
A do të dimë të qeshim një ditë?
A do të dimë të qeshim, vallë?
Kur t’i nxjerrim nga dheu dëshmitë
Mijëra kafka me vrima në ballë?

Vërtet,
A do të dimë të qeshim një ditë?
E lotët t’i mbajmë veç për mall…
Do të dimë mos t’i shohin fëmijtë:
Brinjët-shoshë, ngatërruar me zall?

Vërtet,
I dëgjoni? Rënkojnë thellësitë.
Më thoni, do t’meken një ditë vallë?
Thuamë, dheu im, në ç’shekull, në ç’vit?
Më thuaj: shpirtin tënd si ta ngjall?

Vërtet,
A do të dimë të qeshim një ditë?
Do t’arrijmë mos ta kemi këtë hall?…
Do t’më duhej t’i vija të gjitha fuqitë,
Vetëm shpirtin ta mbaja të gjallë.

 

Previous articleRama: Me votën e 23 qershorit do ndalojmë barbarinë ndaj trashëgimisë kulturore
Next articleDaniel Xhafaj pranë rekordit të golave