Home Ekonomia Më shumë peshk në vitin 2021/ Rritet sasia me 9.53% si pasojë...

Më shumë peshk në vitin 2021/ Rritet sasia me 9.53% si pasojë e peshkimit, peshku i rezervateve i vetmi me rënie

Sasia e peshkut përgjatë vitit 2021 është rritur me 9.53%, referuar publikimit të “Institutit të Statistikave” mbi statistikat e peshkimit. Peshkimi në të gjitha kategoritë ujore regjistrohet në 18,503 tonë nga 16,893 tonë që ishte gjatë vitit 2020. Sipas shifrave, akuakultura është kategoria ujore e peshkimit e cila zë përqindjen më të lartë të peshkimit me 43.60%. Kjo kategori pasohet nga peshkimi detar me 28.06% të peshës dhe nga peshkimi në ujërat e brendshme me 19.15% të peshës. Nga analiza e të dhënave shohim se kategoria ujore “ Akuakultura” ka pësuar rënie të sasisë me 8.31%. Rikujtojmë se përgjatë vitit 2020, akuakultura zinte 52.09% të peshkimit dhe se kishte rritjen më të lartë të sasisë së peshkut. Kështu, nga ky raport i të dhënave për vitin 2021 kuptojmë se sasia e peshkut të zënë është rritur si pasojë e peshkimit dhe jo nga rezervatet. Gjatë vitit që lamë pas rritjen më të madhe e ka shënuar kategoria “Laguna” me 248% të peshkimit gjithsej, pasuar nga kategoria “Bregdeti” me 127% dhe Kategoria “Molusqe” me 108%.