Home Editorial Më mirë kështu: “I vdekur, por i pakallur”

Më mirë kështu: “I vdekur, por i pakallur”

Nga Ilir Yzeiri

Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkoi Ilir Metën nga detyra e Presidentit të Republikës pas ankimimit që kishtë bërë Kuvendi i Shqipërisë në këtë institucion. Reagimet që erdhën pas këtij vendimi kanë qenë të shumta dhe, në tërësinë e tyre, ato kanë tentuar të zëvendësojnë gjykatën duke marrë kështu rolin e prokurorit publik. Në disa herë të tjera, thjesht për një sport popullor e për të qenë pjesë e manisë së përgjithshme që të flasësh e të diskutosh çdo gjë, rrjetet sociale apo të mëdhenj e të vegjël e kanë bërë temë të ditës Ilir Metën, duke treguar me këtë rast se politika në këtë vend është më shumë një formë spektakli dhe politikanët janë aktorë ose personazhe të një « Big Brother»-i kombëtar dhe se për fatin e tyre në këtë lojë duhet të vendosë publiku me votim.

Në anën tjetër ka pasur edhe reagime institucionesh që kanë qenë përgjithësisht korrekte. Ajo që dua të veçoj është reagimi i ambasadës së SHBA-ve që jo vetëm nuk shprehej për rezultatin e votimit, por inkurajonte Gjykatën Kushtetuese për punë të mirë dhe e nxitte atë që të vazhdonte në këtë hulli duke përmendur me këtë rast se reforma në drejtësi ka nisur të japë rezultatet e veta.

Po çfarë ka ndodhur realisht ?

Përpara se të shkruaja këtë tekst kam zhvilluar biseda me miq të mi juristë konstitucionalistë dhe prej tyre kam marrë mbështetjen për opinionin tim që e kam shfaqur më parë sidomos në emisionin e datës 9 shkurt në ReportTV (https://www.youtube.com/watch?v=7tTyIkNuHVQ&t=509s) ku, i pyetur për vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese në ngarkim të Ilir Metës, kam thënë se ky është një vendim i vështirë dhe ajo që po ndodh është një nga ngjarjet më të rënda në jetën politike të një vendi. Një jurist konstitucionalist më tha se kjo ngjarje mund të jetë e vetmja në jetën e Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, në atë emision pata deklaruar se nëse do të isha unë si ata gjyqtarë do të jepja një vendim hermafrodit pra as kështu as ashtu, pra një vendim që ta shpallte fajtor, por mos ta shkarkonte, në një farë mënyre ta bënte të vdekur politikisht por mos ta kallte në dheun e përjashtimit nga posti i presidentit. Në historinë botërore mund të gjenden vetëm tre ose katër raste kur është vënë në diskutim mandati i presidentit. Në SHBA me Adams, Nikson, Klinton dhe Trump. Nikson dha dorëheqje ndërsa ata të tre nuk kaluan në Gjykatën Supreme sepse Kongresi nuk e pranoi kërkesën për impechement. Ne do të bëheshim rasti i parë në botë me këtë shkarkim dhe do të perfshiheshim në manualet shkollore të botës si precedent i rrallë.

Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë se ne jemi republikë parlamentare jo presidenciale dhe dëmi që mund t’i sjellë çekulibrimi ligjor, mendor apo social i presidentit jetës kushtetuese te ne është i papërfillshëm. Në fakt, të gjitha veprimet e Ilir Metës ishin nul dhe, në një kuptim, ai me veprimet e tij nuk prodhoi prishje të rendit kushtetues. Në të gjitha rastet ai tregoi se më shumë ishte një rast klinik, psikologjik dhe jo juridik. Gjykata Kushtetuese u tregua shumë dinjitoze dhe shpalli një vendim që e vizaton Ilir Metën ashtu siç ai është. Ajo nuk tha dhe nuk u shpreh që Ilir Meta nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Gjykata tha që Ilir Meta nuk e ka shkelur rëndë. Arsyetim më të bukur dhe më tallës se ky nuk mund të ketë. Me këtë togfjalësh ajo e shpalli Ilir Metën një delinkuent ordiner sepse i tregoi atij që ti për të gjitha akuzat që të bën Kuvendi i Shqipërisë je fajtor, pra e ke shkelur Kushtetutën, por nuk e ke shkelur rëndë, pra nuk ke prodhuar me vendimet e tua prishje të rendit kushtetues, sepse atë mundësi nuk e ke. Dhe kjo është krejtësisht e vërtetë. Ai vendim i Gjykatës Kushtetuese nëse lexohet me kujdes ka një sarkazëm të thellë dhe një ironi therëse. Ai tregon se Ilir Meta moralisht është një president i diskredituar pa asnjë integritet moral e politik.

Gjykata i njeh dhe i pranon të gjitha akuzat që i bëhen atij nga ankimimi i Kuvendit të Shqipërisë, por thotë se ato nuk janë shumë të rënda. Pse ? Sepse Presidenti i Republikës te ne është vërtetë numri një i shtetit por nuk ka asnjë fuqi ekzekutive. Ai është më shumë një simbol, një frymë, është identiteti ynë, pasqyra ku duhet të shihemi të gjithë. Mirëpo Ilir Meta jo vetëm që nuk është një i tillë, por në këtë mandat ai u shfaq si ana më e zezë e natyrës së shqiptarit, si njolla më e rëndë e identitetit të një kombi. Ai është gjithë ajo që ne nuk duhet ta shfaqim në publik.

Dhe këtë anë Gjykata Kushtetuese ia vuri në dukje duke i thënë se ti je një delikunet i vogël, ti nuk je as president, as burrë shteti, ti nuk je rast juridik ti je një delinkuent opozitar që koniunkturat politike të çuan në atë post, ti, nga pikëpamja politike je një kufomë që nuk ke asnjë fuqi që të bësh dëm, pra të shkelësh rëndë kushtetutën ti jë i parrezikshëm dhe i panevojshëm. Ndaj duhet të rrish aty ku je që t’u tregosh të gjithëve se si nuk duhet të jetë një President i Republikës së Shqipërisë, pra i vdekur politikisht, por i pakallur.