Home Kulture Mbyllet Teatri Kombëtar/ Dy aktorë rezultojnë me Covid, pezullohen aktivitetet

Mbyllet Teatri Kombëtar/ Dy aktorë rezultojnë me Covid, pezullohen aktivitetet

Teatri Kombëtar është mbyllur për shkak të Covid-19.  Lajmi bëhet i ditur nga Teatri Kombëtar, i cili njofton se pezullohen të gjitha aktivitetet deri në një njoftim të dytë duke parë dhe rritjen shqetësuese të infektimeve kohët e fundit.

Sipas Teatrit Kombëtar, ata që posedojnë bileta për shfaqjet e datave 13-14-15 dhe/ose 16 janar mund të rimbursohen, ose bileta e tyre do të jetë e vlefshme për shfaqjen “Coriolanus” në momentin e parë që do të rikthehet në skenë.

NJOFTIMI I PLOTË

Të dashur miq, Duke marrë në konsideratë rastet e konfirmuara të dy prej aktorëve protagonistë në produksionin “Coriolanus”, rritjen shqetësuese të infektimeve kohët e fundit, numrin e madh të aktorëve të angazhuar në këtë produksion, si dhe dyshimet për raste të tjera në stafin e Teatrit Kombëtar, jemi të detyruar të pezullojmë të gjitha aktivitetet tona deri në një njoftim të dytë. Pavarësisht zbatimit të masave dhe protokolleve të miratuara kundër përhapjes së infeksionit dhe dëshirës sonë të mirë, e kemi të pamundur të vijojmë me aktivitetet tona artistike pa rrezikuar shëndetin e publikut, aktorëve dhe stafit tonë, e për këtë arsye shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.Në kuadër të masave tona, të gjithë punonjësit që, për shkak të funksionit të tyre, kanë kontakt me publikun do t’i nënshtrohen testimit. Këtu përfshihet edhe biletaria jonë, e cila, arsyet e sipërpërmendura, do të qëndrojë e mbyllur deri ditën e hënë, datë 17 Janar 2022.

Duke ju bërë me dije se shfaqja e parë që do të zbresë në skenë pas kësaj periudhe pezullimi do të jetë “Coriolanus”, njoftojmë të gjithë spektatorët që posedojnë bileta për shfaqjet e datave 13-14-15 dhe/ose 16 Janar se:

1) Bileta e tyre do të jetë e vlefshme për shfaqjen “Coriolanus” në momentin e parë që do të rikthehet në skenë.

2) Mund të rimbursojnë biletën e tyre pranë biletarisë tonë duke filluar nga data 17 Janar 2022, brenda orarit zyrtar [9:00-13:00 & 16:00-19:00].Dëshirojmë t’ju falënderojmë për durimin, mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj gjatë gjithë kësaj periudhe mjaft të vështirë për teatrin dhe artin në përgjithësi, e jo vetëm! Shpresojmë të rikthehemi sa më shpejt në skenën e të hedhim pas krahëve këto kohë të vështira!