Home Aktualitet Mbyllet hetimi! Kontrolli i pompave te karburantit, ‘Konkurrenca’: S’kishte kufizime!

Mbyllet hetimi! Kontrolli i pompave te karburantit, ‘Konkurrenca’: S’kishte kufizime!

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin për kompanisë koncesionare ‘Noa Control’ me pronar Gentian Sulën lidhur me ndikimin që ka në çmimin e karburantit në treg. Pas disa javësh hetim, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë me dije se gjatë punës në terren nuk kanë evidentuar shenja të kufizimit të konkurrencës për kompanitë e tjera. Por gjithashtu kanë dalë edhe në disa propozime për Ministrinë e Financave, miratimin e një metodologjie për llogaritjen e ndryshimit të tarifave të shërbimeve të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, tarifa këto të cilat duhet të jenë të argumentuara dhe të orientuara drejt kostos.

Në thelb, ankesa e shoqërive: Alcert shpk, Ecit shpk, Swiss Approval Albania shpk, ST2 shpk dhe M.F.M shpk, lidhur me pasojat në treg të krijimit të pozitës dominuese të shoqërisë NOA CONTROL, lidhej me faktin kompania po përdorte të drejtat ekskluzive për shërbime që mund të ofrohen edhe nga kompani të tjera. Nëpërmjet kontratës koncesionare të miratuar në vitin 2019, ndërmarrjes NOA CONTROL i është dhënë e drejta ekskluzive të kryejë shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për një afat 20-vjeçar.

Njoftimi i plotë:

Komisioni i Konkurrencës morri në shqyrtim raportin e Sekretariatit mbi hetimin paraprak ndaj ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, në tregun e ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm.

NOA CONTROL SHPK, në bazë të Kontratës së Koncesionit “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm” të nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka të drejtën e vetme dhe ekskluzive të kryejë shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë gjithë periudhës koncesionare.

Në përfundim të procedurës hetimore, nuk u evidentuan shenja të kufizimit të konkurrencës nga ana e ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK në ofrimin e shërbimit të verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe GLN-së, në kuptim të nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës mori Vendimin nr. 884, datë 18.05.2022, nëpërmjet të cilit vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak dhe detyrimin e ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, si një ndërmarrje me të drejta të veçanta, që gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj të respektojë parimet dhe rregullat e konkurrencës, veçanërisht parashikimet e nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në vijim të mbledhjes, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 70, pika 2 e ligjit, vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si vijon:

a) Miratimin e një metodologjie për llogaritjen e ndryshimit të tarifave të shërbimeve të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, tarifa këto të cilat duhet të jenë të argumentuara dhe të orientuara drejt kostos;

b) Në çdo rast të ndryshimit të tarifave të ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm dhe çdo shërbimi tjetër të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, të merret paraprakisht vlerësimi ligjor i Autoritetit të Konkurrencës;

c) Miratimin e një metodologjie për vendosjen e përqindjes për instrumentat matës të verifikuara që rezultojnë me probleme, duke implementuar rekomandimin e dhënë nga Komisioni i Konkurrencës exante me vendimin nr. 646/2019, “Për dhënien e disa rekomandimeve në lidhje me Draft Kontratën e Koncesionit me objekt “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”, pika II/2/a).