Home Ekonomia Mbiprodhimi i vajit të ullirit në Shqipëri dhe sfida me eksportin

Mbiprodhimi i vajit të ullirit në Shqipëri dhe sfida me eksportin

Shqipëria po shënon nivele të larta të prodhimit të vajit të ullirit, por eksportet mbeten tejet të ulta. Prodhuesit e vajit nuk kanë siguruar çertifikimin për të eksportuar ndonëse vendi ka dhjetëra fabrika të përpunimit të ullirit.

Ndërkaq tregu vendas po shënon nivelet më të ulta të çmimit të vajit të cilat nuk justifikojnë tek fermerët kostot e shërbimeve dhe të vjeljes së ullirit.

Në fabrikat e përpunimit të vajit në Vlorë, një nga zonat më të njohura për kultivimin e ullirit në Shqipëri, fermerët vijojnë të dërgojnë sasitë e fundit të këtij sezoni.

Treguesit flasin për këtë vit për një mbiprodhim të vajit të ullirit në Shqipëri në raport me kërkesat e tregut të brendshëm dhe më të lartin, krahasuar me te gjitha vitet e mëparshme

Drejtori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë Meno Besimaj thotë se në rritjen e prodhimit këtë vit kanë ndikuar kushtet klimaterike, shtimi i sipërfaqeve me ullinj dhe rritja e teknologjive të shërbimeve të ullirit.

“Në vend nga rreth 11 milionë rrënjë me ullinj janë në prodhim rreth 9 milionë dhe sipërfaqet vijnë duke u shtuar vit pas viti. Në një sondazh që ne kemi bërë në shkallë kombëtare dhe nga të dhënat statistikore pretendojmë se mund të jenë këtë sezon rreth 150 mijë tonë ullinj kokërr nga të cilat është prodhuar rreth 20 mijë tonë vaj ulliri”.

Rreth 90% e vajit të ullirit tregëtohet në Shqipëri jo në supermarket, por nga vetë fermerët dhe prodhuesit e vegjël dhe mbiprodhimi i vajit ka sjellë ulje të ndjeshme të çmimit në treg.

Enerik Xhaferaj , një përpunues ulliri në Vlorë, thotë se çmimi i vajit të ullirit ka arritur deri në rreth 4 dollarë për litër që nuk justifikon mundin e fermerëve dhe kostot e tyre.

Cmimi i vajit të ullirit ka pësuar një rënie të ndjshme, është pothuajse në minimalet e tij dhe nën kosto. Fshatarët i ka dëmtuar shumë ky çmim pasi imputet bujqësore janë rritur, kostot e punëtorëve janë rritur dhe cdo gjë është në rritje. Kur shikojmë që ka arritur të tregëtohet edhe 400 lekë një litër vaj ulliri kjo është në kosto. Të mbledhësh 100 kilogramë ullinj kushton vlera e punës për punëtorët 3 mijë lekë. Kjo sasi nxjerr 18 deri 20 litër vaj dhe nëse vë edhe shërbimet vjetore dhe koston e pëprunimit dhe nëse një fermer përdor punëtorët për vjeljen dhe nuk e bën vetë me familjen del nën kosot duke e shitur vajin me atë çmim.

Ndërsa në Shqipëri prodhimi i vajit shihet i lartë nivelet e eksporteve janë tejet të ulta. Eksportet e vajit të ullirit në vitin 2021 ishin vetëm 119 ton, me një vlerë rreth 550 mijë USD ndërsa edhe në vitn 2022 eksportet u mbyllën gati në shifra të përafërta.

Drejtori i Qendrës Bujqësore në Vlorë, e cila ka shërbyer më parë si një Institut Kombëtar për Ullirin, thotë se mungesa e bashkimit të fermerëve që prodhojnë ullinj vështirëson kapacitetet për eksporte.

Mënyra e vetme e eksportit të vajit në sasi të mëdha është vetëm kooperimi dhe çertifikimi në bazë grupi, në bazë kultivari. Ne kemi kultivarë shumë të mirë, autoktonë, siç është “kalinjoti” që është vaj me cilësi shumë të mira dhe kërkohet gjithandej. Nëse e çertifikojmë edhe si kultivar, edhe si zonë kultivimi, edhe si cilësi prodhimi, atëherë tregjet do të jenë të hapura.

Ndërsa Enerik Xhaferaj thotë se një nga sfidat e prodhuesve për të eksportuar është certifikimi.

E para duhet të çertifikohet produkti. Produkti nuk çertifikohet akoma se fermerët nuk e trajtojnë prodhimin në atë mënyrë që duhet, e sjellin në thasë, e mbajnë me ditë në shtëpi ullirin, nuk e mbledhin pastër, etj dhe kjo humbet cilësinë e vajit.

Një tjetër sfidë që sipërmarrjet shqiptare të sigurojnë eksportin e vajit të ullirit është edhe forcimi i kapaciteteve laboratike për të çertifikuar si varietetet e bimëve të ullirit edhe cilësinë e vajit.

Qendra bujqësore në Vlorë siguror analizat biomolekulare të varieteteve autoktone të bimës së ullirit dhe disa analizat bazike për vajin, por ka ende shumë hapësirë për shtimin e kapaciteteve me pajisje dhe trajnime për të përmbushur gamën e gjerë të analizave laboratorike që duhen, thotë Melaize Yzeiraj, që punon në këtë laborator.

“Lidhur me laboratorin biomolekular jemi drejt përfundimit të idnetifikimit molekular dhe kemi arritur të marrim rezultate për kultivarët autoktonë në koleksionin që ne kemi studiuar dhe kjo i shërben kryesisht çertifikimit të kultivarëve.”

Certifikimi i laboratorëve shqiptarë në nivele ndëkombëtare dhe forcimi kapaciteteve të tyre për t`iu përgjigjur analizave komplekse mbetet nje sfide për të siguruar eksportimin e vajit të ullirit.

Gati gjysma e eksporteve shqiptare të vajit të ullirit shkon drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër në vendet fqinje si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut , ndërsa në vendet e Bashkimit Europian eksportet e vajit të ullrit janë të papërfillshme.

Previous articleDy tërmete të fuqishme shkundin vendin fqinj, tmerrohen banorët, ja sa ishte magnituda
Next articleManchester United ka një listë me dy lojtarë për ta zëvendësuar Ronaldon