Home Opinion Mbi “rëndësinë” e pjesëmarrjes së Metës në festën e Ambasadës dhe “parëndësinë”...

Mbi “rëndësinë” e pjesëmarrjes së Metës në festën e Ambasadës dhe “parëndësinë” e SHBA për opozitën

Nga Mero Baze

Ka ngjallur një debat të pazakontë dhe ka nxitur imagjinatën për dhjetëra teori konspiracioni fakti që Ilir Meta në festën zyrtare të SHBA mbajti fjalimin. Për 24 orë kam dëgjuar gjithë teoritë e mundshme për atë që ka ndodhur.

Kam dëgjuar që SHBA po përçan Berishën nga Meta, që Meta ka lobuar dhe ka paguar shumë para të rehabilitohet në SHBA para një muaji, që SHBA nuk do të hapë shumë fronte përveç atij të Berishës etj, dhe deri tek fakti që Meta nuk do të gjykohet më nga drejtësia e re, se e “ka mbyllur me SHBA”.

Nuk dua t’u hyj debateve qesharake që bëjnë histori me protokollin e shtetit, pasi një president që prodhon lajm vetëm se ka arritur të marrë pjesë dhe të flasë në festën e Ambasadës së SHBA në vendin e tij, është padiskutim presidenti me stekën më të ulët në botë të respektimit si institucion.

Ilir Meta është presidenti që nuk është ftuar nga asnjë vend perëndimor për pesë vite, dhe që dy vitet e fundit, asnjë zyrtar perëndimor apo nga SHBA nuk ka vizituar zyrën e tij, edhe kur objekti i vizitës ka qenë tërësisht politik dhe ka qenë e nevojshme të takoheshin me të.

Në fakt, nuk është se ka një strategji amerikane për të poshtëruar Ilir Metën deri në këtë pike, që ai është vet-poshtëruar në raport me  SHBA. Vetë Ilir Meta për shkak të problemeve disa herë të dukshme psikike, ka dalë nga kontrolli dhe ka sulmuar si president i vendit SHBA, duke bërë krahasime banale dhe shpesh të rrezikshme me miqësi të tjera të mundshme të Shqipërisë me Rusinë apo Korenë e Veriut.

Thjesht Ilir Meta është bërë një figurë e parespektueshme dhe jo serioze për vendet perëndimore dhe SHBA. Fakti që ai po prodhon lajm vetëm se është ftuar si president në festën e Ambasadës së SHBA dhe ka folur aty, tregon shumë për pritshmërinë që ka opinioni publik shqiptar, por dhe vetë opozita, për raportet me SHBA.

Në fakt, në festë është ftuar çḑo vit, por vitin e shkuar meqë festa ishte e kufizuar për shkak të covidit, nuk pati fjalime zyrtare, përveçse një përshëndetje nga një vajzë e re e forumit rinor të Ambasadës së SHBA.

E vetmja gjë e rëndësishme e këtij debati, është se për opozitën, ndryshe nga çfarë predikon, SHBA qenka e rëndësishme.

Deri më dje Sali Berisha, Ilir Meta dhe mbështetësit e tij, tezë kryesore në përballje me shqiptarët kishin faktin që SHBA nuk ka asnjë rëndësi për politikanët shqiptarë dhe ne nuk duhet të varemi nga SHBA.

Berisha e Meta ngritën teoritë e tyre për sovranitet kundrejt SHBA dhe të mos i lejojmë ata të ndërhyjnë në punët e brendshme. Aq shumë u ngarkua elektorati i tyre me këtë teori, sa atë e kishin argument kryesor sa herë u përmendje SHBA.

Madje dhe mitingu i 7 korrikut po bëhet nën moton e fitores së sovranitetit të PD ndaj SHBA. Sulmet ndaj ambasadores Yuri Kim dhe zyrtarëve amerikanë shpesh herë kanë qenë vulgare vetëm për të dëshmuar që SHBA nuk ka rëndësi.

Por ja që SHBA paska shumë rëndësi. Ka aq shumë rëndësi dhe krijon aq shumë vëmendje, edhe kur të fton në një koktej për festën e pavarësisë dhe të jep fjalën. Ky mendoj se është dëshpërimi më i madh i opozitës së Berishës në këtë moment.

Me buzëqeshjen e tij krah ambasadores Yuri Kim dhe “përfilljen” e tij nga protokolli i Ambasadës, aleati kryesor i Berishës i ka zhbërë për 5 minuta gjithë teoritë sovraniste dhe gjithë vetëbesimin se SHBA nuk ka rëndësi për opozitën.

Të gjithë po flasin për “rëndësinë” e pjesëmarrjes së Metës në festën e Ambasadës, në atë festë, ku plot prej të ftuarve nuk shkojnë fare, për shkak se s’ka vende për parkim.

Mendoni si ndihen tani populli i 7 korrikut që është përgatitur të na mbushë mendjen të gjithëve se “nuk pyesin për SHBA”. Dhe përgjojnë sy e vesh, një koktej të saj në Ambasadë.