Zogjtë sozie
Ç’janë këta zogj me sandale floriri,
Që shfaqen befas mbi semaforë trafiku,
Mbështjellë me dritë dhe kukurizma hiri,
Mërguar nga mistika e një romantiku?
Ç’janë këto zogj me sandale argjenti,
Që s’i njohin as mitet, as arti i piktorëve?
Që s’i di as toka, as qielli, as deti,
As kibernetika e ordinatorëve?
Ç’janë këta zogj me sandale bronzi?
Imazhe vetmie nga Gjyqi i Mbramë?
Ç’i solli tek unë? Mes valle kaosi?
Shpejtësia e dritës i ka diagramë?
Ç’janë këta zogj, as të Parajsës, as Ferrit,
Mes substancës dhe shpirtit pezull në zgrib?
Soziet e mia? Klonime të emrit?
Shembëlltyra në një tjetër Atlantidë?
Hani i botës së çudirave
Shpura alienësh nisin florudhat
E njerëzimi nuk e njeh vetveten.
Në terr Fati ka zbathur këpucët,
Fshehtas vjen të na vjedhi Jetën!
O, grataçielat e larta betonojnë dhe Hënën,
Epoka e robotëve në humbëtira kohore,
Dhe parqet me statuja idiote më çmëndin –
Rezervate mërzie dhe trullosje!
Trena në ndalesa infarkti në yrt,
Një shi metaforash bëhet flur.
Në haxhillëkun e shpirtit vit për vit
Guri i Qabesë më bëhet skulpturë!
Demonët e vjeshtës shaloj për të mbritur
Tek mbretëria e përrallës nëpër natë.
Tek Hani i shkallmuar i Botës së Çudirave
Liza plakaruqe më servir verë të thartë.
Fabul urbane
Boshllëk dhe pasione, vetmi dhe andralla,
Gjallon veç ankthi i krijimit në shpirt,
Sa fjalë rebele m’i ka dëbuar sintaksa,
M’i ka koruptuar morfologji e dyshimtë!
Cinizmi i vrazhdë, mosbesimet e egra,
Përleshen në lojën e paradoksit të hapur.
Flegra kanalesh të ujërave të zeza
S’nuhasin më dete ekologjikë të pastër!
Tani dhe semaforët sikur venë helmeta,
Përplasje makinash e përgjakin sheshin.
Dikur edhe mëngët m’ushtonin si trumpeta
Dhe nga xhepat veç zambakë më delnin!
Udhëkryqet po vërtiten, gati si helikë,
Befas për të marrë shpejtësi plot vrull.
Klyshët e hijeve pa zë ulërijnë
Nën sisët e llambave të neonëve në rrugë.
Komploti
Në bibliotekat e mëdha Mefistofeli u fut
Të ringjallë dituri rreziku të sekretit.
Në sheshe ca engjej stenografojnë me ngulç
Përçatjet e lypsave të planetit.
Mefistofeli në ag fluturon mbi glob –
Princi i Errësirës dhe i mjeshtrave!
Mua më arrin papritur, më tmerron,
Me tërsëllima karnavali i eshtrave.
Një “lingua causa” në mugëtirën verbim
Ikën dhe zhduket, prangosur në mjegulla.
Pse befas më përflaket i tërë trupi im
I një race kozmike me kometat?
Projektin e Gjenezës kush po e prish?
Kush i dha liri triumfit të vrasjes?
Tani Eva rrit një mbretëri gjarpërinjsh
Ndaj Jahovait, – komplotin hakmarrës!
Prokusti
Rini e humbur, – tek ty s’kthehem prap!
I pafuqishëm djersitem në rropatje ecjesh.
Rri dhe shikoj në dritare jashtë
Lëkura të shkulura mëngjesesh!
Në studion e librave tymon një kllapi
Dhe gnostika e motiveve endet,
Fusha e shahut,- katrorët bardhë e zi
Si goja ku kanë humbur dhëmbët.
Në orbita yjesh humbet malli im
E ndjesitë mpiksen si ndryshku i shpatës.
Një Prokust i pashpirt shkurton papushim
Gjymtyrët e mia të imagjinatës!
Hyu i panjohur
Spektakli i krizantemave u prish,
Pranverat s’arrijnë tek magjia e gjelbër.
Ky ajër dhe ky mal janë shpirt edhe mish
I një Hyu të Panjohur pa emër.
Më ka sfilitur dhe molepsur Arti,
Estetika e lirisë kaq kohë e munguar!
Përplaset nata e dehur si Khajami
Me broken e thyer të Hënës në duar.
Vetë Krishti nuk mundet Apokalipsin ta shpallë,
Parabolat e tij janë harruar qyshkur.
E di: vdekja ime është pëlhura e bardhë
E filmit të djegur të mijëvjeçareve në mur!
Penelopa e shiut
Një trumcak vetëvritet për një mit të ri
Në mëngjeset shterpë plot pluhura.
Me fizarmonikën e dhëmbëve të mi
Muzika buzëqeshjesh shpërndaj, -overtura!
Tek njerëzit nuk zbres nga ashensori i yllit,
Çdo turmë pelegrinësh e kam grishur tok!
Flokët-meridiane të trurit, më ndrisin
Të magjepsura në ajrin me smog!
Gjykoj plot dyshime për esencën e jetës,
I thumbuar nga çdo germë si grerë!
Penelopa e shiut në avlëmentin e vjeshtës
Diellin Odise e ka harruar përherë!
Fiq deti plot shpirtra
Lëviz gjeli i teneqes mbi çati si Fati,
Si roletë kazinoje me delire paraje.
Unë e ngjall një kalë diamanti,
A një luan kuarci në shkretëtirat abstrakte.
Libri i shpellave pa asnjë dorëshkrim,
Kripa e praron me shkëlqimin e egër.
Do të ik, do të ik prej zërit tim
Si refugjati prej atdheut të vjetër.
Fiq deti viganë të mbushur me shpirtra,
I presin stuhitë, të veshur me pancirë!
Dhe përrejtë lëvizin si filmat
Në kinemanë e braktisur të fëminisë.
Në akrokeraune
Në Akrokeraune – e miteve shtjellë
Vërtitet ngadalë dhe në Jon u gremis
Mbase një sy Polifemi do ta mbjell,
Ta rris Pemën Kozmike prej sysh!
Po buzët e mia s’thonë dot asnjë këngë
Dhe shoh i sfilitur gurët mosfolës.
Në gjeologjinë e muzgut arkivohen retë –
Skeletë dinosaurësh të mbramë të botës.
S’fërgullon mbi çati koha me flatër,
U rrëzua suvaja e murit të dhomës
Si pasqyra nga duart e nuses së plakur –
Mos ta shohë fytyrën e fillimit të moshës!
Palloj fosfori
Nën tavanin e qiellit engjejt kthehen në ëndrra,
Kërmilli u mbyll në guackë i sigurt.
Si vallë me celular t’i telefonoj vetë shekujve
Si femrave të bukura që i desha dikur?
Nga na u fut ky Çernobil befas në kafkat?
Metafora përpëlitet e paralizuar krejt
Kur netët rrëzohen, ngrihen kukuvajkat
E diturisë time universale, të fshehtë.
Kush flet për poezinë në media e aula?
Ç’poet i vërtetë mirënjohjen e mori?
Në miniatura unë shoh e studioj molekulat,
Që ndritin e lëvizin si pallonj fosfori!
FSHATI I JONIT
Fshati i Jonit në erë plot ilqe dhe dushqe
Kacaviret dhe pret mos avullojë krejt deti.
Zogjtë hukatin me frymë hyjnish të padukshme,
Jashtë dritares sajojnë video-clipe misteri.
Gaforet e bregut enden në rërë.
O hyu Redon nga thellësitë pse s’shfaqesh?
Qershitë dhe shegët befas ndizen në terr
Prej fenerndezësve të përrallës.
Një dallëndyshe çuket brenda kishës afresket.
Mos vallë këtu ka pikturuar Onufri?
Shoh në bodrum një shishe vere të vjetër,
Mbase fsheh një etyd mozartian që humbi.
ALKIMIA E RE
Malet e Himarës si një epos në gur
E përshëndesin Noen me dy krahë pëllumbi
Dora ime është si e mbretit Artur,
Por shpata në shkëmb nuk është asgjëkundi!
Tufa e dhive mes portokajve zbardh,
Vetë Hëna nga brirët e cjepve u çorr,
Po zogjtë e vegjël të sigurtë sipër janë
Në fortifikatat e reve në qiellin hyjnor!
Qiparizat përkulen si murgj bizantinë,
Xinxifet lëkunden mes kuarcesh plot kripë.
Do ta shpik, do ta shpik një alkimi të re
Në labikun e shirave të jugut magjik!
KAM VEç DETIN
Çdo të bëhet nesër? Askush nuk e thotë!
Dhe kanceri metastazat si përherë i mpleks
Pleqëria – banesë moshe e kotë,
S’ka nevojë ta ndërtosh, ta vesh në hipotekë!
Prej ëndërre është dhe kështjella e Artit.
Në vend të portës kam një plagë: Trokit!
Tek balli më godet mohimi i Ekleziastit:
“Hiçi në hiç prej hiçit veç hiç!”
Zgjohem dhe shkruaj – i pandalshmi rit!
“Cogito ergo sum” është një përrallë!
Këmishën magjike me gjakun e Krishtit
Kam veç detin sa herë futem dhe s’dal!
ADMIRALI PREJ FLAKE
Një admiral prej flake vetëtimë
Mbi det të mistershme u shtang.
E vjen të nuhasë lulet e shpirtit tim
Hunda e një avioni kryeengjëll lart.
Ëndërrat i kemi në lukthin e grykës
E asfiksohemi ngadalë -me shpejtësi.
Satanai – mjeshtër kapriçoz i grafikës
Botën dhe gjithçka i bën bardhë e zi.
Imazhet shqyhen e grisen në rebesh –
Tatuazhe fatale që i mbart vetë shekulli.
Me frymën time çdo qenie do ta vesh
Me kostume skafandri prej qelqi.
RRUFETË
Si afreskat e Pompeut lulëkuqet në vise,
Deti rri pezull – gjumë luani ajror,
Ca vajza të bukura me hire intime
Puthin shekujt, – i bëjnë ata dashnorë!
Koha majmet duke ngrënë hapësirat,
Si zemra jashtë trupit tani pulson fanari.
Shqiponjat e detit arratisen plot klithma,
Shpellat vishen me myshk si me petka meshtari.
Si t’i mërgoj kafshët e mia yjore
Në qiej metafizikë a matematikë?
Këto rrufe vërtiten me ankth në bregore,
Për idetë e mia janë filigram antik.
KATRAHURA
Këto lulekuqe magnetizojnë vetë erën
Në skajet e përfytyrimit përmbi gur.
Miljona pika vese janë kudo si vezë
Të një Djalli estet në miniaturë.
Metafizikat shprishen në agun e zi
E idetë kanë lëvozhga akulli.
Njerëz me sy qelqi, s’keni ndjeshmëri,
Aty ku lindin drurë me botanikë metali!
Katrahura e egër mbi enigmat zukat
E avujt lëvizin si fantazma të yllit.
Ji i guximshëm ashtu si një Sokrat
Me heshtën kërdisjellëse të Akilit!
SIZIFI I GURËZUAR
Ç’jehonë sekrete më ngjall dhe më grish?
Ç’grifon i metaforave më këlthet?
Çdo emër është një motor fantazish,
Që më ve në lëvizje idetë!
E fjalët e brishta i prarova pa ar
Në shkretëtirat e Hiçit dhe Humbjes kudo.
A s’bllokova për pesë mijëvjeçarë
Kaq mbretëri, kryqëzata tek fjala “jo”?
Shpirti im po më vdes tani në çdo germë
Dhe Zarathustra i Niçes ka vdekur i gjori!
Dhe gjej mes kacafytje debatesh në erë
Sizifin e gurëzuar në një shpat Tomori!
MUNGESA
Ajo që është fatale nuk shihet me sy,
Prej maske karnavali është çdo imazh.
Akrepi i vogël lëviz me saktësi,
Duke e bërë mat akrepin e madh!
Ku shkoi poetika? Utopia na vret!
Kudo na sulmojnë viruse kanibale!
Apostujt peshkatarë tani në internet
Kapin veç peshq informativë, virtualë!
Rrjetat e Historisë i çliroj në çdo nyje
Me paturpësinë rebele të horit!
Te dhomat e ideve mishi im s’do të hyjë
Dhe rri në shurdhëri si mungesa e Zotit!
KAPELJA E DORDOLECIT
Zogj që s’më gjetët para lindjes time,
Flutura të kalbura në laboratore flladesh,
Ligjet më të mëdha të botës padyshim
Janë germat mbi monedha e kartmonedha bankash.
Stralli kërcet mbi reshpe dhe pllaja
Dhe bëhet mjegull era e kaltër.
Ëndërrat i vesh si këpucë të arta
Për miliona Hirushet e vdekura këmbëzbathur.
Trenat ikin drejt stacionit”Askund”,
Në të gjitha pikat gjeografia lëviz,
Marr kapelen e shqyer të dordolecit në fushë
Për rolin tim në teatrin beketian të Vetmisë!
MBI METROPOLET E MËDHA
Mbi metropolet e mëdha kërleshet Tmerri,
Kallinjtë e Historisë Misteri i shkoq.
Dhe klonohet vetë truri i Homerit
Te detet, kopështet plot orkide dhe zogj!
Ballë meje rri Hiçi me kthetër
E rrokulliset Gjëma e Botës.
O, Pritja e Thinjur i bën fresk vehtes
Në ventilatorin e akrepave të orës!
Njerëzit mbajnë emrat si etiketa marketi
E petalja vyshket prej mardhjes.
Nga këpucët shkund kokrrat e rërës –
Shenja pikësimi për shkrimet e së Ardhmes!
VEGIMI I PELIKANIT
E pres në vegim një pelikan vigan
Në ujërat jonike të amëshimit prore
Dhe rri krejt i vetëm – realitet brutal,
Brenda ëndërrave të dikurshme flurore.
Kaktusë të lashtë me gjemba mitike,
Agavie që vdisni në mëngjeset e trishtë,
Pse rutina e ditëve është kaq e përsëritshme
Si filmat e programuar verbërisht?
Dhe Hëna në lëvizje bën mitologjinë
E endacakëve të vjetër të botës.
I ringjallin Foshnjat e Shenjta sërish
300 mijë magët – mbretërit kalorës!
ARTIKULIMI
Inflacioni i bursave si klepsidra e rërës
Dhe artet janë plot jashtëqitje dekadence!
Veç Njeriu është ligji i rëndesës
Për engjëjt e indiferencave të epërme!
Pafuqia e jetës, maratona e turpit,
Janë fshehur gjenitë si moluske fosile.
Veç orgazma e seksit e kthen mishin e trupit
Në inkandeshencë blu, mistike.
Tempuj madhështorë në gracka tërmetesh,
Pasiguria lëviz përreth në shkëmbenj.
Jehonat e të vdekurve në shekuj
Artikulojnë gjithë fjalët që ju them!
CENTAURI I RI
Ja humnera tek Bjeshkët e Namuna!
E shndroj në kinema me tri dimensione.
Elektriciteti vë në shitje ankandesh
Garderoba muzgu përrallore.
Në ca algjebra enigmash kam ngecur
Dhe ndjej ulërimat e egra të kobit.
Gozhdë yjesh ngul në mballoma këpucësh
Si ca stigmata hyjnore të kozmosit.
Me dendësi nocionesh e lëvizje fluksi
Misteri i së nesërmes po rimerr fuqi.
O, në këtë ngjizje të detit dhe muzgut
Shoh se si lind Centauri i Ri.
PËRJETËSIA SË PRAPTHI
Si mundet vallë që edhe zgjuar të flemë?
E na thermohen kauzat, përpjekjet.
Etër të braktisur si horoskope të rremë,
Ankthi i etur na i shteroi ecjet!
TV-të e planetit, kibernetika e krimeve
E bëjnë kaq virtuale dhe fantazmë epokën!
Na kërcënon, na tmerron plogështia e ditëve
Si pushtimet barbare Konstandinopojën!
Nën tokë bashkë me ne lëviz edhe varri
E jemi preha në kohë e në shqotë.
Përjetësia është një kërcim sëprapthi
I vetë vdekjes banale dhe të kotë!
NË PARQET E KOZMOSIT
Ju të pashpresë, të përshitur nga shkrumbi,
Që ende rezistoni tek vorbulla e fundit,
Veç me qeniet tuaja s’do të mund t’i mbushni
Humnerat e thella të Absurdit!
Kjo stuhi është personazh i rrallë
Nga librat e mëdhenj të Jonatan Swiftit.
Trupi im i rënduar prej plumbi bëhet ar
Nga muzgu – reaksion alkimisti.
Ethet i kam me temperatura Ferri,
Hiçi me pezhishka e thurr një projekt,
Ashti im do të derdhet në kallep monumenti
Për parqet memoriale të kozmosit vetë!
YLBER NË ARKIVOL
E gjeta një guackë – sahat argjenti,
Pa akrepa, pa numura, – por koha s’mungon!
Agimi është tors vigan prej qielli
Plot zemra Bukuroshesh të Fjetura në morg.
Ku ecën Milosao i pranguar përjetë
Nga hija prej Dielli dhe prej vdekjeje?
Çdo fotografi e vehtes jep dy identitete
E ndjejmë në fytyrë yllësitë prej mjekre!
O lulet e fëminisë praruar nga vesa
I copëtoi me kthetra një grifon.
Dhe emrin tim do ta mbyllë kujtesa
Si një ylber në arkivol!
SHNDRIMI
Dridhen dhe pulsojnë lulet e prillit,
Një kometë xixëllonjash qitrot përflaku!
Ilustroj vetë Biblën dhe librat e Shekspirit
Me akuarele shiu dhe gjaku.
Shpirti i De Radës është kjo laureshë.
Kozmosi plot yje mbi det hodhi rrjetën
Unë vetë tani po shndrohem në vjeshtë
Si dikur Zeusi në mjellmë për Ledën!
KOHA
Rrjedh dhe ikën koha tek lavomani me vrimë,
Katarsin s’e ka asnjë apokalips.
Tërë prostitutat e botës i shpall me nderim
Virgjëresha në një jetë të dytë!
Ç’marathonomak theu këmbën në shteg?
Ç’pishtar u shua në mjegulla honi?
Vithet e kuajve kanë mbetur në afresk
Si mobilje antike në një dhomë perandori.
DELFINI MADHËSHTOR
Stuhia përgjaket – thertore muzgjesh,
Ç’Atlantidë do të shfaqet nga valët në thellësi?
Ovidi i lashtë strehohet më në fund
Te shpella jonike e syve të mi!
Ishulli i Sazanit si kurorë mbreti,
Ç’mbretëri virtuale do të shpikë në fantazi?
Një delfin madhështor do të vijë nga deti –
Zbulues profetik i zodiakëve të rinj!
NJË TJETËR REALITET
Kush i ka mbyllur këto porta horizontesh?
Dafinat – zjarre mitike purpurojnë!
Retë rrinë grumbull si Koncil peshkopësh,
Debatojnë Trinitetin Qiell, Det edhe Tokë!
Fëmijë të lindur në shpërgejtë e stuhive,
Vdekja mbi ju pushtet s’do të ketë!
Në përmasat e ditës realiteti ikën
E vendoset befas një tjetër realitet!