Home Opinion Mazhoranca shkel ligjet nga paniku i ikjes

Mazhoranca shkel ligjet nga paniku i ikjes

Klodiana-Spahiu-LSANga Klodiana Spahiu  / Largimi nga detyra i anëtarit të KQZ nuk është gjë tjetër vetëm se dëshmia e mosmirënjohjes dhe panikut që e ka kapur këtë maxhorancë në ikje. Është mosmirënjohje për votuesin shqiptar, është mosmirënjohje për të gjithë ata që menduan se tashmë do të kemi një komision i cili do të arrinte të plotësonte standartet e tij në zgjedhjet që janë përpara. Por është dhe mosmirënjohje për vlersimet që kanë bërë faktorët ndërkombëtar në këtë drejtim. Ai është tregues i qartë se maxhoranca e konsumuar deri në maksimum, po aq më shumë tashmë që nuk është as e e tillë ka vetëm një qëllim që të nxijë gjithçka që bëhet në këtë vend në drejtim të institucioneve vetëm për të qëndruar në pushtet me çdo mjet qoftë dhe duke shkelur kushtetutën dhe duke shkatërruar institucionin. Ju në fakt nuk e keni për herë të parë këtë gjë. Jeni çjerrur për miratimin e tre ligjeve ndërsa i shkelni ato sa herë të doni. E keni kërkuar këtë edhe në emër të ndërkombëtarëve, po në fakt tani që ndërkombëtarët po ju bëjnë thirrje për të gjetur konsensus politik dhe për të respektuar kushtetutën keni një tjetër standart vlerësimi si mosmirnjohës dhe natyrisht injorues ndaj tyre. Të gjithë e dimë anën teknike se çfarë ndodh në të tilla raste, të gjithë e dimë anën ligjore dhe kushtetuese, të gjithë e dimë se sipas Kodit atij mund t’i nderpritet  mandati para plotesimit te afatit ne rastet kur (neni 18 i Kodit Zgjedhor):

a)kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së;
b) mbush moshën për pension;
c) vdes;
ç) jep dorëheqjen nga detyra;
d) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
dh) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për
përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të
bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre;
e) mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në
periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë;
Termi “lirim” ne Kod përdoret vetem kur anëtari plotëson afatin e mandatit te tij, si dhe për rastet e shprehura në gërmat “b”, “c” dhe “ç” me siper. Në këto raste anëtari i KQZ-së lirohet me vendim të Kuvendit, pas njoftimit nga ana e KQZ-së (neni 18, pika 2).Në çdo rast është KQZ ajo që duhet të fillojë proçedurën për “lirim” apo “shkarkim” të anëtarit të saj, por kuptohet të pasigurt në marrjen e votave për një vendim në KQZ përsëri ndoqën rrugën e Kuvendit. Proçedura që i referohet PD në kërkesën e saj (pra zgjedhja e anëtarit te KQZ me propozim të partisë së dytë në radhën e shumicës) është e vlefshme vetëm në momentin e krijimit të KQZ, pra kur ajo konstituohet. Sipas Kodit Zgjedhor ky moment tashmë ka kaluar, bazuar në parashikimet e nenit 14 të Kodit, janë përzgjedhur anëtarët e propozuar nga palët të cilat ishin në shumicë apo pakicë në momentin e ngritjes së KQZ. Për më tepër për këtë KQZ, Kodi kishte vendosur edhe një afat për ngritjen e saj, duke parashikuar në një nen të posacem (neni 181 i ndryshuar ne Kod ne vitin 2012) që ”Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi”. Pra shumica dhe pakica në mënyrë të shprehur kur kanë miratuar këtë dispozitë, kanë pranuar që anëtarët e KQZ do të zgjidheshin nga të propozuarit e partisë së parë dhe të dytë, te shumices dhe pakices, qe ishte ne momentine afatit te parashikuar në kod për zgjedhjen e anëtarëve (30 dite pas shpalljes se ligjit, shtatori i viti 2012). Kjo pjesë teknike që natyrisht u tha nga shumë parafolës është eqartë për maxhorancën mosmirnjohëse, për maxhorancën që e kapur nga paniku i humbjes kërkon të mbahet edhe duke shkatërruar një institucion të rëndësishëm që është KQZ-ja. Të keqqeverisesh për tetë vite dhe pjesë të kësaj keqqeverisje të bësh edhe shkatërrimin e institucionëve sic keni bërë në disa raste të tjera, tregon qartë se jeni në panik dhe mendoni si ai i mbyturi që mund ta shpëtoje qoftë dhe një fije bari. Jo fija e barit, po juve nuk ka rimorkiotor që ju shpëton dot nga mbytja politike pasi atë e keni gatuar vetë. Asnjëherë në këta 8 vjet shkeljesh të përsëritura kushtetuese e ligjore nga ana e kryeministrit, deklaratat e partnerëve të mëdhenj të Shqipërisë nuk kanë qenë më të drejtpërdrejta. Sepse asnjëherë më parë, shkelja e Kushtetutës dhe ligjit nuk ka qenë më e hapur se sa përmes kësaj nisme brutale, për të zëvendësuar forcërisht një anëtar të KQZ. Ju po ndërrmerni sot veprimin e fundit të turpit si mazhorancë. Ju po kërkoni sot të shkatërroni KQZ duke shkelur hapur ligjet dhe këtë e bëni me shpresën se do të ndikojë me 23 qershorë. Si deputetë dhe kolege ju bëj thirrje zonja dhe zotërinj të mazhorancës. Mos e ndërrmerni këtë hap si veprimi i radhës i marrëzisë suaj politike . jam e bindur se forca juaj e kartonit , forcë që vjen nga sajesa dhe jo nga të qenurit shumicë nuk do tu bëjë asnjë nder, thjeshtë do ti trefgojë elektoratit se jeni të gatshëm që edhe ai institucion që kishte marrë një tjetër standart veprimi po e shkatërroni. Ju mund të merrni një anëtar me votim të paligjshëm, po nuk mund të merrni votat e shqiptarëve në mënyrë të paligjëshme. Ata e kanë vendosur t’ju përzënë nga qeverisja se vetëm qeverisje nuk keni bërë. Në panikun e kësaj situate ku ndodheni, kryeministri ka vendosur të shkatërrojë institucionin e administrimit të zgjedhjeve duke zgjedhur rrugën më të keqe për t’u larguar nga pushteti. Rrugën që turpëron përfundimisht atë vetë si një njeri kundër votës së lirë. Rrugën që turpëron çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë që do ta ndjekë deri në fund, qorrazi, këtë njeri të lodhur nga keqqeverisja. Hiqni dorë nga rrugën që turpëron vetë shtetin shqiptar në sytë e botës.

Previous articleÇamëria pjesë e ndërgjegjes kombëtare
Next articleKrizë edhe me figura dështakësh