Home Opinion Maska e majtë e së djathtës!

Maska e majtë e së djathtës!

Nga Prof.As. Artan Xh. DUKA

Sot pabarazia ekonomike, hendeku i rrogave, rroga minimale, shpërfillja e pensionistëve, të papunëve, natyra e reformave, privatizimi masiv etj nuk lënë dyshim se kush qeveris. U bë kohë që debatohet fati i së djathtës ndërkohë që ajo gjatë gjithë tranzicionit dhe ende sot me qeverinë Rama, është në pushtet!
Kriza reale e demokracisë tek ne është boshllëku majtas sepse deri tani e majta është thjesht e vetëm një maskë që për fat të keq fsheh pas edhe atë të djathtë të djeshme për të cilën historia e ka thënë fjalën e saj.
Dallimet majtas-djathtas historikisht shkojnë përtej marrëdhënieve qytetar-shtet, politikave ekonomike e përkujdesjes shoqërore. Tek ne ajo lidhet edhe me qëndrimin ndaj së shkuarës dhe kur ajo shihet bardhë e zi, partitë merren peng prej saj me ndikim edhe në kohezionin shoqëror.

Ringjallja e dhjetorit!

Qasja më ekstreme është ajo e PD. Për të gjithshka antikomuniste është me rregull “treshi” demokratike! Pavarësisht pritshmërive si parti e studentëve dhe rinisë, përvojës së partive simotra në perëndim, ajo zgjodhi të betonizohej si parti e revanshizmit të tejskashëm historik duke dalë përtej së drejtës morale e historike të vënies në vënd të padrejtësive reale të së shkuarës.
E kjo nga dekorimi e përkujtimi i kolaboracionistëve, monarkisë, diversantëve të strehuar nga agjentura serbo-greke, rikthimet e pronave të tyre, trazimi në një thes i disidencës me fajtorët ordinerë, mohimi e anatemimi i vlerave të luftës, 29 nëntorit etj. Me këtë pozicionim PD zgjodhi të përfaqësonte pakicën në shoqëri ndaj dhe nuk arrin të gëzojë mbështetje në popull me fitoret e saj thjesht anomali (92 ndërrim sistemi, 96 vidhet vota, 05 përçahet e majta).
Sot PD e Bashës ka shans të rigjejë vetveten tek idealet e dhjetorit 90 dhe identifikuar me vlerat përparimtare perëndimore dhe ato të historisë. PD e re duhet të heqë dorë nga vështrimi bardhë e zi historik duke çmuar çdo vlerë historike, kombëtare, qytetare e sociale pavarësisht sistemit që u mbruajt ajo. Në këtë mënyrë PD jo vetëm mund t’i mbijetojë sfidës non-grata por dhe mund të jetë realisht një parti gati për pushtet. Le t’a nisin me një kurorë këtë 29 nëntor! Kryebashkiaku PS në Shkodër e bëri këtë në Postribë.

E majta që i ha busulla djathtas!

Një rishikim në PD do të reflektojë edhe tek pozicionimi i PS. Sot PS ka luksin të shihet si e majtë dhe e djathtë njëkohësisht – programe, kandidatura etj, duke mbledhur vota gjithandej por edhe hutuar po ashtu.
E kompleksuar politikisht nga anatemimi që PD e Berishës i bëri së shkuarës dhe duke e marrë të mirëqënë votën popullore pas degradimit të PD, PS e qeveria e saj e ka zbehur vëmëndjen ndaj vlerave të së shkuarës që i bëjnë nder si identitetit politik të saj ashtu dhe atij kombëtar. Nga formalizmi me 29 nëntorin, përkujtimi sa për sy e faqe i ngjarjeve e protagonistëve të luftës, harresa ndaj kontributit e sakrificave sublime gjatë luftës e shtet-ndërtimit në socializëm, shpërfillja ndaj familjeve të dëshmorëve etj.

Bile duke kaluar edhe “ylberin” djathtas. Nga lënia pa pavion e monizmit tek Muzeu Kombëtar, përkujtimi i protagonistëve të kolaboracionizmit e ceremonitë publike për ta, nderimi i Postribës, shndërrimi në muze i asaj që ishte normale edhe në perëndim gjatë luftës së ftohtë (nga Shtëpia me Gjethe ku ilustrohet si përgjohej ambasada jugosllave(!) e anatemohet Sigurimi i Shtetit sikur agjentura greko-sërbe të hante bar, Bunk-Art etj), kompenson ethshëm ish të përndjekurit (harrohen dëshmorët e luftës e punës) pa ndarë shapin nga sheqeri mes disidencës e ordinerit, përdëllohet e rikthen pronat monarkisë etj.

Kjo nuk është rastësi kur mendon se në krye PS ka një antikomunist të viteve 90. Me fjalë, veprime dhe botime dhe koha tregon se më kollaj ndryshon partia se bindjet personale të dikujt.
PS ka nevojë sigurisht për reflektim djathtas sepse një parti në pushtet duhet të qeverisë për të gjithë. Qoftë historikisht sepse padrejtësia në çdo sistem duhet vënë në vënd, qoftë ekonomikisht sepse reformat e përkujdesja shoqërore shpien ujë në një burim.
Ajo që rëndon sot PS nuk është vetëm përshkallëzimi e intensiteti ekstrem i reformave e privatizimeve të denja për një parti të djathtë me “letra” por sehiri, deri bërja palë, në rishikimin bardhë e zi të historisë. Për shumicën e shoqërisë e shkuara ka vlerat e saj dhe kushdo që shpërfill apo denigron ato, luan me ndjenjat e shumicës dhe herët a vonë, humbet votën e saj.

Mes demon-kratikes dhe social-ishtes!

Politika ka plot paradokse në “dukje” me një PD të djathtë historikisht nën hyqmin e një ish-të majti dhe një PS e majtë që ka gjetur rehat me një ish-të djathtë të viteve 90. Ndoshta kështu funksionon! Ndoshta reformat e djathta kalohen kollaj kur i bën një parti e majtë që drejtohet nga një i djathtë me moton “i yti … kockën t’a lë!”. Ndoshta retorikën e revanshizmit në PD mund t’a shpinte deri në skaj vetëm një parti e djathtë që drejtohet nga një i majtë në kërkim të “katarsisit” personal!
Askush nuk pret një program zgjedhor partiak të ndarë majtas-djathtas me thikë. Nuk ndodh as në perëndim ku hedhim sytë. Ajo që qytetari pret është oferta e barazpeshës mes reformave të nevojshme dhe përkujdesjes sociale njëkohësisht (të drejtat e punonjësve, rrogat minimale, pensionet, të papunët etj).
Mbi të gjitha dallimet majtas-djathtas në politikë duhet të jenë tek qasja ndaj së ardhmes e jo vështrimi bardhë e zi i së shkuarës si shkop nën rrota të tanishmes e ardhmes bashkë. Koha e historianët do të bëjnë të tyren dhe politika nuk ka pse heq vija të kuqe sot.

Një emër me zë i së djathtës në vitet 90 si Edi Rama sot në krye të një partie të majtë dhe anasjelltas, në parim nuk është “kontrapedal” por pasuri për partinë. Fundja janë aty për t’u shërbyer të gjithëve si qeveri. Mirëqënia e qytetarit i bën bashkë dhe është e udhës që diversifikimi e ballafaqimi i vlerave dhe reflektimit ndaj historisë të fillojë së pari nga brënda në parti. Boll që drejtuesi të mos kandisë e katandisë partinë në sozinë e tij për të parë me syze të “errta” ato vlera të shkuarës që i japin partisë identitet!

Qytetari e pikas dhe e vlerëson sinqeritetin në politikë. Hamëndje qeverisja e PS nuk ngre nga prania e vlerave e qasjeve të së djathtës moderne por maska e majtë që tenton të shpërqëndrojë kur pas saj struket e djathta revanshiste që historia e refuzoi. PS nuk mund t’a marrë votën gjithnjë të mirëqënë dhe qorri më i madh është ai që i pandeh të gjithë rrotull qorra!

Previous articleMali i Zi, akuzohen 21 persona për kontrabandë me kokainë, përfshirë kryetarin e Budvës dhe zyrtarë të policisë
Next articleZbardhen përgjimet e operacionit “Tempulli”, ja si agjenti “fundosi” shpërndarësit e drogës në Elbasan