Home Politike Masakra e Krushës/ Dashamir Peza: BBC e mori filmimin, Bellanica u mor...

Masakra e Krushës/ Dashamir Peza: BBC e mori filmimin, Bellanica u mor në pyetje nga OKB

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Dashamir Peza hodhi dritë në lidhje me një ngjarje të 22 viteve më parë, masakrën e Krushës së Madhe, e rikthyer në vëmendje pas akuzave të artikuluara edhe nga kryeministri Rama, se kasetën me filmime të kameramanit amator Milaim Bellanica, e ka Lulzim Basha, në kohën kur punonte për UNMIK-un në Kosovë. Ndryshe nga sa thuhet, Peza, në atë kohë përkthyes i një ekipi të BBC-së tha se është takuar vetë me këtë kameraman dhe se kasetën ia ka dorëzuar BBC-së.

“Po, kanë bërë një intervistë për dëshminë e tij, se çfarë kishte parë ai. Unë do thoja që akti i tij është tepër heroik. Të gjithë u impresionuam, pasi vuri jetën e vet në rrezik dhe të nënës së tij që mbajti kasetën. Deri dje isha krenar që isha pjesë e kësaj historie edhe pse sot lajmi ka marrë një rrjedhë të padëshiruar. Jetojmë në një periudhë ku loja me fatin dhe personalitetin e tjetrit është kthyer në të pacipë, dje po thoja pse më qëlloi fati të isha pjesë e saj”, tha ai për “News 24”.

Ish-deputeti deklaroi se nuk është informuar mbi këto zhvillime të fundit.  Ai ka hedhur poshtë zërat se kameramani është paguar për filmimet.

“Është kaq e papritur për mua, jam shkëputur nga mediat e lajmet duke jetuar edhe në fshat, por po të them që deri dje se kam pas idenë që kjo histori ekziston dhe unë qenkam i akuzuar. Nëse do kishte ndonjë pagesë, të pyetet BBC nëse ka akorduar ndonjë shumë për të dhe ka dashur t’ia japë përmes meje, por që unë s’ ja kam dhënë kjo nuk qëndron. Por unë besoj që media të tilla të fuqishme nuk paguajnë për lajme, e ka kriter BBC”, tha ai.

Ai po ashtu tha se beson që kjo kasetë mund të jetë dorëzuar nga ekipi i BBC-së, pranë OKB-së, pasi kjo e fundit edhe e ka marrë në pyetje kameramanin që filmoi masakrën ku shfaqen të vrarë më shumë se 250 vetë.

“Di që përfaqësuesit e OKB kanë bërë një intervistë me Milaimin, mbaj mend që është intervistuar. Këtë përshtypje kam, por kanë kaluar 22 vite. Kështu besoj se ka ndodhur se ka pas kontakt mes tyre. Nuk do habitesha ta kenë marrë përfaqësues të OKB”, tha ai.

SOURCEbulevard news
Previous articleNga mbërritja e Enver Hoxhës me tren te nënshkrimi i deklaratës së bashkëpunimit/ Fotot e rralla të PK-së në Moskë
Next articleÇfarë ndikimi do ketë e shkuara në marrëdhëniet ShBA-Rusi? Publikohet disa nga fjalët që Biden i ka thënë Putin-it