Home Rajoni Marrëveshja me Serbinë, Bislimi tregon tre kushtet për formimin e asociacionit

Marrëveshja me Serbinë, Bislimi tregon tre kushtet për formimin e asociacionit

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i ka thënë të martën Parlamentit Evropian në Bruksel se ekzistojnë tri kushte kryesore për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”.

Ai ka thënë se sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ekzistojë autonomi territoriale e serbëve në Kosovë.

Bislimi ka përmendur se 60 për qind e serbëve në Kosovë jetojnë jashtë pjesës veriore të vendit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Bislimi e ka përmendur Asociacionin kur e ka diskutuar marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën është arritur pajtueshmëri të hënën në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se marrëveshja e përfshin edhe një pikë që parasheh zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën në dialog, por që ajo duhet të sqarohet.

“Ky paragraf duhet të detajohet. Së pari të bëjmë një analizë të marrëveshjeve nga e kaluara. Sepse nuk ka kuptim të diskutohet për disa marrëveshje që janë tejkaluar dhe të cilat tash zgjidhen me marrëveshjen e fundit. Si për shembull marrëveshjet për njohjen e vulave, kadastrat, e tjera, nëse me këtë marrëveshje njihen të gjitha dokumentet.

Pra, duhet të shohim se cilat marrëveshja janë akoma të vlefshme, e cilat janë tejkaluar tashmë”, ka thënë ai.
Në debatin e zhvilluar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shumica e euro-deputetëve e kanë përshëndetur arritjen e pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt.

Bislimi ka thënë se tani fokusi mbetet te darkodimi për planin për zbatimit të marrëveshjes.

“Ajo për çfarë u pajtuam është se nuk do të diskutohet më propozimi, por do të fokusohemi në pjesën e dytë, që është edhe më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me implementimin. Duhet ta fokusojmë energjinë që të dizajnojmë planin për të shmangur paqartësitë, si dhe për të sqaruar obligimet e të gjitha palëve që dalin nga kjo marrëveshje, si dhe sekuencimin e aktiviteteve që do të pasojnë.

Duhet të caktohen edhe afatet kohore dhe modalitetet e monitorimit të zbatimit”, ka thënë Bislimi teksa u është përgjigjur deputetëve.
“Vetëm plani i duhur i zbatimit do të sigurojë se kjo nuk do të mbetet vetëm një nga 34 marrëveshjet që janë arritur deri më tash, por ajo do të krijojë një ndryshim pozitiv në raporte”, ka thënë mes tjerash Bislimi.

Bislimi ka përmendur edhe se Kosova pret që të diskutohen edhe obligimet që ekzistojnë për shuarjen e të gjitha strukturave paralele

Duke diskutuar për zhvillimet e 27 shkurtit, Bislimi ka thënë se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – të ndryshojnë qëndrimin e tyre pas kësaj marrëveshjeje.

“Duhet të ketë unifikim të qëndrimit në BE edhe nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nëse vendet e BE-së kanë arritur të kenë qëndrim unik rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, e kanë edhe më të lehtë të pajtohen për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëse Serbia ka obligim që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, nuk ka më arsye as nga ndonjëra prej pesë vendeve të BE-së që të mos e mbështesin Kosovën, për shembull në anëtarësim në Këshillin e Evropës, apo në procesin e integrimit në BE”, ka dekaruar Bislimi.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL

Previous articleTë dehur dhe me shpejtësi ‘skëterre’, 19 shoferë të arrestuar dhe 107 patenta të pezulluara në Tiranë
Next articleU zu me familjarët dhe u largua nga shtëpia, si ra 24-vjeçarja në kurthin e Mehmetit dhe u shfrytëzua për prostitutë