Home Kulture Margariti: Rezultatet në sitin e Linit do të plotësohen me përmbylljen e...

Margariti: Rezultatet në sitin e Linit do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti

Ekspedita kërkimore arkeologjike në Lin të Pogradecit ka nisur që prej vitit 2021. Ministrja e Kulturës Elva Margartiti thotë se vendbanimet më të hershme bregliqenore në Europë zbulohen në Lin. “Rezultate mbresëlënëse dhe shumë të rëndësishme për vendbanimet prehistorike në vendin tonë vijnë nga Lini, ku një staf shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner po zhvillojnë një ekspeditë kërkimore arkeologjike. Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh që daton rreth 5900- 5800 para Krishtit”, shkruan Margariti në rrjete sociale. Sipas ministres Elva Margaritit, analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Europian. “Kjo ekspeditë ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqendruar në sitin e Linit nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti”, vijon Margariti më tej. Ministrja e Kulturës thotë se sipas specialistëve, mbështetur mbi dijet e deritanishme vendbanimet palafite bregliqenore në Lin, janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmet në llojin e vet në rang botëror. Prej disa ditësh rezultatet e ekspeditës në Lin të Pogradecit janë mirëpritur nga studiuesit, ku nuk kanë munguar dhe reagimet e zyrtarëve.

Previous articleE vranë jashtë marketit në Lezhë, sot përcillet për në banesën e fundit Nikolin Lekstakaj
Next articlePlas grushti në Gramsh për një vend parkimi, përfshihen 5 persona