Home Kulture Margariti: Përvoja e Altin Bashës dhe Gjergj Prevazit do të shërbejë për...

Margariti: Përvoja e Altin Bashës dhe Gjergj Prevazit do të shërbejë për të ngritur nivelin e teatrit

Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” kanë nisur aktivitetin artistik me dy drejtues të rinj. Në praninë e trupave artistike ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantoi dy drejtuesit  e rinj të TK dhe TKE “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha dhe Gjergj Prevazi.

Në konferencën për prezantimin e drejtorëve të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, Margariti njoftoi dhe rikthimin e “Fondit të Teatrit për të Rinj”. Në këtë prezantim Margariti foli mbi politikat e Ministrisë së Kulturës në lidhje me teatrin, ndërsa drejtorët Prevazi e Basha, disa nga pikat kryesore të platformave të tyre. Ato lidhen kryesisht me ngritjen e nivelit artistik, hapjen në rang kombëtar e ndërkombëtar, mbështetjen e të rinjve, shpërblimin e aktorëve dhe reformimin e sistemit teatror mbi bazën e një ligji të posaçëm për teatrin. Margariti tha se me dy drejtorët e rinj do të çojnë përpara dhe zgjidhjen e problemeve.

“Jam e bindur se përvoja e z. Basha dhe z. Prevazi do të shërbejë për të ngritur nivelin e teatrit dhe së bashku të çojmë drejt zgjidhjes problemet që shqetësojnë komunitetin artistik”, u shpreh ministrja Margariti. Në vitin që lamë pas aktorët e TK iu drejtuan Ministrisë së Kulturës me kërkesën për rritjen pagave. Një ditë më parë ministrja Elva Margariti premtoi rishikimin e tyre. “Të rishikojmë më gjerë të gjitha pagat dhe të gjitha buxhetet e dedikuara për paga apo honoraret artistike”, tha ajo ndër të tjera. Sipas drejtorit të TK Altin Basha ky vit do të ketë lajme të mira, që lidhen pikërisht me hapjen e “kufijve” të institucionit, si organizimi i Festivalit Mbarëkombëtar “Moisiu”, ardhja në Tiranë e 4 veprave të teatrit të Prishtinës, etj. Nga ana tjetër drejtori i TKEKS Prevazi foli për hapjen e institucionit drejt bashkëpunimeve rajonale, drejt eksperimentit dhe organizimin e nismës “Fondi i Teatrit për të Rinj”.

“Kjo platformë synon përshtatjen me një qasje më bashkëkohore të produksioneve, çka do tu jepte një hapësirë edhe jashtë vendeve produksioneve tona. Kjo përmes përmirësimit të estetikës dhe rritjes së nivelit për përshtatjen me tregun ndërkombëtar. Pra, pavarësisht tregut të vogël brenda kufijve, do të synojmë që shfaqjet tona, të shkojnë fillimisht drejt festivaleve rajonale, e më pas në Evropë e më gjerë”, u shpreh Prevazi.

Thirrja për “Fondin e Teatrit për të Rinj” u hap një ditë më parë dhe  dorëzimi i aplikimeve  do jetë deri më 23 mars 2023. Ministria e Kulturës shkruan në faqen e saj se projektet teatrore përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në bashkëpunim me teatrot e rretheve, duke sjellë në vëmendje dramaturgjinë bashkëkohore edhe shqiptare në rang vendi; gjithëpërfshirjen e artistëve të rinj në disiplinën e teatrit; pasurimin e fondit të teatrit nga të rinjtë. Mosha e krijuesve dhe interpretuesve të veprës të jetë deri në 35 vjeç. “Fondi i Teatrit për të Rinj” këtë vit ka një shumë prej 10,000,000 lekësh. Fondi do të përmbajë një repertor prej 10-14 shfaqjesh, të dramaturgëve shqiptarë dhe bashkëkohorë.  Periudha e realizimit të shfaqjeve prill-nëntor 2023. Në kuadër të “Paktit me Universitetet”, të rikonfirmuar ndërmjet Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Universitetit të Arteve, Fakultetit të Artit Skenik, institucionet angazhohen të jenë partnerë në zhvillimin e kulturës së artit skenik, duke promovuar kapacitete të reja krijuese dhe artistike.

Previous articleAndresa bëhet nënë për herë të parë, publikon foton e ëmbël
Next articleI kallëzuar për vrasje më 21 janar, Berisha: Budallallëqe të Ulsiut, Rama ishte përgjegjësi kryesor i asaj ngjarjeje