Mozaiku i Tiranës është fotografuar në detaje me teknologjinë gigapiksel. Ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se asnjëherë më parë nuk e kemi parë Mozaikun e Tiranës në kaq shumë detaje. “Më në fund mozaiku u fotografua në detaje të mahnitshme, duke përdorur teknologjinë e fundit gigapiksel. Kjo vepër arti historike, një simbol i trashëgimisë kulturore të qytetit tonë shpaloset në hollësi dhe me ngjyra të gjalla”, shprehet ministrja e Kulturës në një reagim në rrjete sociale, ku ka ndarë dhe foto gjatë punës në mozaik. Për ministren e Kulturës, ky proces do ti shërbejë dhe qendrës së informimit që do të ngrihet aty. “Një proces dokumentimi dhe digjitalizimi, që i shërben ruajtjes së trashëgimisë dhe qendrës së informimit mbi mozaikët, që po ngrihet këtu”, shprehet Margariti. Më parë në këtë mozaik në vitin 2020 u kryen dhe punime restauruese dhe konservuese. Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.