Kulla Veneciane në Durrës është shndërruar në një qendër informuese për historinë. Kjo bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që thotë se falë programit “EU4Culture” u restaurua Kulla Veneciane në Durrës. “Kulla Veneciane, një thesar që jo vetëm ka dalë në dritë, por ka fituar edhe më shumë vlerë falë teknologjisë. Bashkë me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell përuruam punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane në Durrës, falë programit “EU4Culture”, zbatuar nga UNOPS dhe shijuam një performancë befasuese, e cila tanimë është e prekshme për vizitorët. Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë kanë se ç’të mësojnë”, shkruan Margariti në rrjete sociale që ka ndarë dhe disa foto nga kulla në Veneciane. Kulla Veneciane është pjesë e kalasë së Durrësit, e cila në mesjetë konsiderohet si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut. Në gjysmën e parë të shekullit të XV-të kur Durrësi ishte nën pushtimin e Venedikut, kulla u rindërtua dhe mori pamjen e sotme. Kalaja e Durrësit u ndërtua nga perandori i Perandorisë Bizantine Anastasi I. Në atë kohë, ai e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273. Muret mesjetare aktualisht rreth 4.6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala. Kalaja u përforcuar me disa kulla roje nga Republika e Venedikut dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane muret u përforcuan. Kështjella e Durrësit është shpallur monument kulture, që në vitin 1948.