Home Kulture Margariti: Kalaja e Krujës po bëhet gjithnjë e më e bukur dhe...

Margariti: Kalaja e Krujës po bëhet gjithnjë e më e bukur dhe ftuese për këdo që viziton këtë qytet-muze

Bonusi i Rijetëzimit bën bashkë shtet e privat për ti dhënë jetë trashëgimisë kulturore. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Bonusi i Rijetëzimit është një nismë e suksesshme e ministrisë, ku sipas saj në kalanë e Krujës modele të reja investimi po rrisin cilësinë e shërbimeve. “Falë njërës prej nismave më të suksesshme të Ministrisë së Kulturës, Bonusit të Rijetëzimit, që bën bashkë shtet e privat për t’i dhënë jetë trashëgimisë kulturore, Kalaja e Krujës, kjo krenari kombëtare po bëhet gjithnjë e më e bukur dhe ftuese për këdo që viziton këtë qytet-muze në qiell të hapur. Modele të reja investimi e biznesi po rrisin cilësinë e shërbimeve dhe mirëqenien e banorëve të saj”, shprehet ministrja Elva Maragriti, që ndau në rrjetet sociale edhe pamje nga restaurimi i shtëpive të Kalasë së Krujës. Bonusi i Rijetëzimit synon restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve monumente kulture, por edhe ato që nuk mbajnë këtë status, por gjenden në qendra historike e arkeologjike, lagje-kala, etj. Ministria e Kulturës shpalli në janar të këtij viti thirrjen e Bonusit të Rijetëzimit. Nga 173 aplikime këtë vit, lista përfundimtare e aplikantëve fitues të programit të Bonusit të Rijetëzimit 2023-2024  në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës ka 58 fitues. Për vitin që lamë pas Ministria e Kulturës pati një fond prej 10 milionë lekësh të reja për projektet e Bonusit të Rijetëzimit, ndërsa këtë vit buxheti është 50 përqind më i madh se një vit më parë dhe harta gjeografike e projekteve fituese është më e gjerë, duke prekur edhe ato zona ku nuk kishte shkuar në vitin 2022,  ndërkohë që numër i madh i përfituesve numërohet në qytetet nën mbrojtjen e UNESCO-s, si Gjirokastra, Berati apo qytetet me trashëgimi kulturore të spikatur si Kruja.

Previous articleKievi në telashe, Amerika ngre alarmin, në shtator ushtria mund të përballet me një “katastrofë”, ja çfarë pritet
Next articleRikthehen tensionet në Veri, BE dhe SHBA shprehin “rezervat” për kreun e Komunës në Mitrovicë, ja vendimi që nxiti polemika