Home Slideri Maradona-Murinjo, spektakël në Dubai

Maradona-Murinjo, spektakël në Dubai

mouDiego Armando Maradona dhe Zhoze Murinjo kanë qenë protagonistë të një seminari ndërkombëtar të organizuar në Dubai, ku kanë folur edhe figura të tjera të shquara të futbollit botëror. Por ish futbollisti argjentinas dhe trajneri i Real Madrid kanë vendosur të shfaqen bashkë në panel, duke treguar pjesë nga eksperienca e tyre në një intervistë mjaft argëtuese.

“Me Zhoze kam folur për futboll dhe kam mësuar shumë, më bëhet qejfi që jam këtu pranë tij”, ishin fjalët e para te Maradonës, ndërsa nuk ka vonuar as kundërpërgjigja e portugezit. “Futbolli është i të gjithëve dhe të gjithë janë të dashuruar me të. Jo për shkak të trajnerëve, por për shkak të lojtarëve si Diego. Unë mund të kem pasur sukses si trajner, por ai është futbolli”.

“Ndryshimet mes kombëtareve dhe klubit? Në kombëtare zgjidhje çdo lojtar që kishe dëshirë, në klub është ndryshe. Këtu në Dubai mungon formimi i lojtarëve, edhe pse ka shumë të mirë. Kjo është arsyeja pse nuk më eci mbarë dhe më shkarkuan nga puna”, tha Maradona.

“Skuadra duhet të dijë se po ndërtohet duke menduar për lojtarët dhe duhet që t’i krijohet atyre një habitat natyral. Do të ishte dramatike të ndërtojë një skuadër dhe të mos u krijojë atyre kushtet më të mira për lojtarët më të talentuar. Argjentina e Diegos është shembulli më i mirë”, vijoi Murinjo. “Të drejtosh Çelsin nuk është njëlloj si të drejtosh Interin, ashtu si nuk është njëlloj të drejtosh Real Madrid. Një trajner nuk duhet të humbë cilësitë si lider. Të drejtoj një kombëtare? Do të më pëlqente shumë, mësoj nga të tjerët. Nga Ferguson për shembull kam mësuar një frazë fantastike, ai ka thënë se është shumë i vjetër për të pushuar veten nga puna. Edhe unë dua ta mendoj si ai. Do të dëshiroja shumë të drejtoja Portugalinë, por vetëm kur të vijë momenti i duhur”.

Më pas fjala kalon te Maradona, i cili kujton kohën kur ishte futbollist. “Fillova të fitoja kur u largua Platini nga futbolli”, ishte batuta e tij duke shkaktuar ilaritet në sallën ku pak minuta më parë ishte vetë presidenti aktual i UEFA-s që mbante një fjalim. “Por jam i lumtur për karrierën që kam bërë. Të shkoje të një skuadër si Napoli dhe të fitojë ishte e vështirë, para se të transferohesha unë atje, ata luftonin për mbijetesë. Cilët kundërshtarë kujtoj më shumë? Ndeshjet e mëdha me Juven, Interin apo Milanin e Sakit. Pak a shumë ata ndeshje që çdo napolitan i cilësonte prioritet, mjafton të fitojë ato se të tjerat nuk i interesonin”.

Më pas fjala i kalon përsëri Murinjos, të cilin e pyesin për sfidën në Ligën e Kampioneve kundër Mançester Junajtid që drejtohet nga miku i tij Aleks Ferguson. “Do të më duhet të shpenzoj 500 euro pasi ai pi vetëm verë cilësore”, tha Murinjo mes të qeshurave në sallë. “Sinqerisht, të gjithë presim një ndeshje të tillë. Si Real Madrid e dimë që këtë ndeshje mund ta fitojmë, por edhe ta humbim, ndonëse jemi të motivuar. Për ata, të luajnë në stadiumin tonë do të jetë fantastike, ashtu siç do të na pëlqejë ne të luajmë në fushën e tyre”.

“Italia? Një kampionat që dëshiroja medoemos të kisha në CV. Trajnerët italianë, para se të jenë mbrojtës, janë taktikë. Ndërsa Spanja përfaqësonte një ambicie tjetër, më mungonte fitorja e kampionatit aty. Real Madrid është një klub special,. Në Itali isha unë që sfidoja veten, ndërsa në Spanjë është Barcelona që është favorite. Unë futbollist, isha kot. Po më mirë futbollist kot sesa futbollist mesatar”, ishte batuta e Murinjos që e mbyll me një thumbim ndaj mediave.

“Raporti me mediat? Unë jam një tmerr, por shtypi bën punën e vet”. Maradona vijon të njëjtën linjë bisede. “Sa mirë ti, unë nuk e kam kuptuar ende si funksionon”./lajmeshqip

 

Previous articleMisteret e pazbardhura të vdekjes së Mehmet Shehut
Next articleGuardiola drejt Anglisë, mister emri i klubit