Home Kosova Mandati i deputetit:Të votojë për, kundër ose të abstenojë

Mandati i deputetit:Të votojë për, kundër ose të abstenojë

f1_17vota1368776327Edhe një herë është aktualizuar çështja nëse deputetët që janë të pranishëm në sallën e Kuvendit kanë të drejtë apo jo që të mos marrin pjesë në votim. Në seancën e djeshme është rikthyer prapë në votim projektligji për burimet e informacioneve, pasi që kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kishte vërejtur se dikush prej deputetëve të pranishëm nuk kishte marrë pjesë në votim.

“Është vendim i Gjykatës Kushtetuese që secili deputet i pranishëm është i obliguar që të marrë pjesë në votim”, ka thënë Krasniqi para deputetëve, disa prej të cilëve janë dëgjuar duke kundërshtar këtë deklaratë të tij.

Por, përgjigjja e kryeparlamentarit ka qenë e drejtpërdrejtë.

“Ju deputetët jeni shumë të përkushtuar në deklaratat për ta respektuar Kushtetutën. Respektojeni edhe në këtë rast kur është çështja për juve”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, Driton Selmanaj nga KDI, e cila e monitoron punën e Kuvendit, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë mendimin e vet për këtë çështje, edhe pse nuk i ishte kërkuar diçka e tillë (por kanë parë se kishte raste të tilla).

Sipas Kushtetueses, mandati i deputetit nuk mund të kuptohet ndryshe përpos pjesëmarrjes në votim, qoftë për të votuar për, kundër apo abstenim.

“Kjo është mirë, sepse shumë herë ka ndodhur që deputetët në Kuvendin e Kosovës ose t’i lënë kartelat e të ikin, ose të votojë dikush në emër të tyre, ose të qëndrojnë aty e të mos votojnë fare. Votimi është i domosdoshëm për ta qartësuar shumë çështje, për ta ditur edhe nëse ka apo jo kuorum”, ka thënë Selmanaj për Telegrafin.

Sipas tij, përveç misionin ligjvënës dhe mbikëqyrës, ata e kanë edhe rolin përfaqësues të popullit, për çka nuk ka formë tjetër përveç që të marrin pjesë në votim.

Selmanaj ka thënë se Gjykata Kushteuese ka reaguar kur është shtruar çështja e Ligjit për Mikrofinanca, sepse në një variant është thënë se kanë qenë 61 deputetë, sipas procesverbalit kanë qenë 49 deputetë, e ndërkohë Sekretaria ka thënë se kanë qenë 62 deputetë.

 

Previous articleZgjedhjet lokale me apo pa reformë zgjedhore
Next articleHollande, Franca do ta shpëtojë BE-në