Home Sport Mancaku: Teuta do të jetë nënkampione

Mancaku: Teuta do të jetë nënkampione

mancakuHumbja në Shkodër ndaj Vllaznisë ka ndërlikuar situatën në Durrës, por sulmuesi Bledar Mancaku është I bindur se vendi i dytë i takon Teutës. “Hodhëm një hap të gabuar në Shkodër, por nuk do lejojmë kurrsesi që të na marrë askush diçka që na përket. Jemi të sigurt se do ta rifitojmë sërish vendin e dytë dhe do të rishpallemi nënkampionë të vendit, edhe pse një objektiv të tillë e kanë disa ekipe. Na u dha mundësia për t’i mbyllur hesapet, por nuk e shfrytëzuam si duhet këtë moment dhe tashmë vuajmë presionin për t’i fituar ndeshjet e mbetura në mënyrë që të kompensojmë humbjen e Shkodrës. Disfata ishte e papritur për të gjithë ne, pasi ishim përgatitur për ta fituar atë përballje. Megjithatë, duhet që këtë humbje ta harrojmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të hapim një faqe tjetër, duke menduar për ndeshjet e mbetura dhe mënyrën se si t’i fitojmë ato. Çështja e vendit të dytë është kthyer në një çështje nderi për ne. I kemi mundësitë dhe të jeni të sigurt se shumë shpejt Teuta do ta rimarrë vendin që i takon”. Sulmuesi I cili edhe pse kishte një dëmtim të lehtë ju bashkua grupit në stërvitje gjithashtu u shpreh se autokritika do vijë që në takimin e radhës ndaj Apolonisë. “Kanë mbetur edhe katër ndeshje, të cilat kërkojnë vëmendje maksimale nga të gjithë. Duhet të përkushtohemi dhe të kthehemi te fitorja, duke nisur që nga ndeshja e radhës. Këtë javë presim në shtëpi Apoloninë, ndaj së cilës do të kërkojmë vetëm fitore. Çdo rezultat tjetër do të ishte humbje për ne. Tashmë kemi nisur përgatitjet në kuadër të kësaj sfide dhe shpresojmë që gjithçka të ecë mirë. Kemi mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur, ndërsa do punojmë intensivisht, në mënyrë që të jemi gati për fitoren ndaj fierakëve. Nuk duhet të mendojmë se Apolonia e ka prerë biletën dhe luan pa pretendime, pasi e njëjta gjë ishte edhe me Vllazninë, por dolëm me humbje nga ‘Loro Boriçi’. Dua t’ju them se nuk duhet të merremi me problemet e të tjerëve, por të ndreqim gabimet tona. Të impenjohemi maksimalisht dhe të shpresojmë vetëm te forcat tona, pasi vetëm kështu mund të triumfojmë dhe të arrijmë objektivin”, – përfundoi sulmuesi durrsak.

Previous articleHomazh pêr elitarizmin…
Next articleMagani: Duhet të rimarrim vendin e dytë