Home Sport Mancaku: Shkojmë për pikë në Korcë

Mancaku: Shkojmë për pikë në Korcë

mancakuTeuta, pasi ka marrë tri pikë të rëndësishme në përballjen me Kastriotin, ka tashmë sfidën më të rëndësishme, atë me Skënderbeun. Durrsakët gjatë fazës së dytë, konkretisht që nga marrja e drejtimit prej trajnerit Magani, nuk kanë pësuar asnjë humbje. Këtë “rit” Teuta duhet që ta ruajë edhe ndaj Skënderbeut. Në Durrës të gjithë janë të vetëdijshëm se përpara i pret një sfidë shumë e vështirë dhe kanë besim se do t’ia dalin. Një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës bregdetare, Bledar Mancaku, shprehet sedursakët do të dhurojnë një ndeshje të bukur. “Jemi shumë të lumtur që arritëm të fitonim ndaj Kastriotit. Ishte një ndeshje shumë e fortë, gjatë së cilës hasëm vështirësi të mëdha, sidomos në prapavijën e tyre, e cila ishte e vështirë të çahej. Fatmirësisht arritëm që t’i merrnim tri pikët, çka ishte e rëndësishme për ne. Kishim edhe mungesa të rëndësishme, prandaj jemi mirë edhe me atë rezultat. Nuk është se zhvilluam ndonjë lojë të bukur por, siç edhe e thashë, ka rëndësi trepikëshi”, – pohoi fillimisht Mancaku, ndërsa komentoi edhe ndeshjen e radhës me Skënderbeun. “Sigurisht që kjo përballje është e veçantë dhe pritet nga të gjithë me padurim, pasi luajnë dy skuadra që udhëheqin kampionatin, thuajse që nga fillimi. Si ne ashtu dhe Skënderbeu kemi kontingjentin e duhur për këtë superndeshje, e cila ka për të qenë një nga më të bukurat e këtij sezoni. Këtë javë skuadra është e plotë, ndërsa kthehen Sheta, Osmani, Xhafaj dhe Hodo, kështu që jemi blind. Ne do të shkojmë në Korçë me mendimin që të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe të marrim më të mirën prej asaj ndeshjeje. Gjatë kësaj kohe na duhet shumë punë, pasi duhet të jemi gati 100%. Korçarët janë nën presion përballë nesh, sepse ende nuk e kanë vulosur titullin. Kështu që të përfitojmë sa më shumë dhe pse jo të kthehemi edhe me fitore në Durrës. Ne jemi mjaftë të motivuar dhe gati për këtë përballje”, – deklaroi sulmuesi. Në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë pozitive, pasi lojtarët kanë besim se do ta ruajnë edhe pas kësaj sfide ecurinë e mirë në rezultate. Mancaku e cilëson këtë sfidë si të hapur, ndaj shanset janë të barabarta: “Jemi përqendruar vetëm aty dhe po punojmë intensivisht në mënyrë që të jemi gati. Në fakt, deri ditën e takimit kemi në dispozicion mjaftueshëm kohë, pasi kampionati për këtë javë do të ketë pauzë. Prandaj duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për t’u forcuar akoma më shumë. Besoj se do të jetë një ndeshje mjaft e fortë, sepse luajnë dy skuadrat pretendente. Ato kanë pak a shumë të njëjtin nivel. Secila prej tyre ka qëllimet e saj për këtë përballje. Korçarët kanë një skuadër të kompletuar, e cila nuk ka nevojë për koment, por nuk duhet të harrojmë se edhe ne kemi potencialin e nevojshëm dhe mund t’i surprizojmë në Korçë”, – u shpreh Mancaku. Më tej sulmuesi në prononcimin e tij foli për gjendjen e skuadrës dhe ecurinë e saj. “Fazën e dytë të këtij kampionati e kemi nisur mjaft mirë, ku në pesë takime kemi mundur të grumbullojmë plotë 11 pikë. Skuadra po kalon një moment të mirë, por e rëndësishme është të mbajmë këtë ritëm deri në fund të kampionatit. Përpara na presin sfida tejet të vështira, prandaj duhet të përgatitemi dhe të shtrëngojmë dhëmbët për të marrë më të mirën nga kjo pjesë e mbetur e kampionatit. Ne synojmë të ruajmë vendin e dytë, por e vetmja mënyrë për t’u shpallur sërish nënkampionë është që t’i luajmë të gjitha ndeshjet e mbetura si një finale”, – përfundoi Mancaku.

Previous articleVolejboll Meshkuj/Teuta fiton në gjysëmfinalet e para
Next articleHapet “ Ekspozita vetjake” e Ardian Tragaj