Home Sport Mancaku: Pas biletës për në Evropë duam vendin e dytë

Mancaku: Pas biletës për në Evropë duam vendin e dytë

mancakuFill pasi prenë një biletë për në Europë, Teuta kërkon vendin e dytë por edhe një paraqitje sa më të mirë në Evropë. Duke vijuar më tej, mesfushori i Teutës u shpreh se tashmë duhet përqendrim maksimal dhe shumë punë për një paraqitja dinjitoze në ndeshjet ndërkombëtare. “Arritja e prerjes së një bilete për në Kupat e Europës nuk do të thotë se tashmë të jemi të qetë, përkundrazi, tani duhet më shumë punë dhe përqendrim, sepse nuk duam t’i zhgënjejmë sërish sportdashësit sikurse ndodhi një vit më parë, kur u eliminuam që në raundin e parë. Këtë vit kemi si synim kryesor të paktën të kalojmë një raund, ndaj shpresojmë që përballë të kemi një skuadër jo shumë të fortë. Po presim me padurim të mësojmë se cili do të jetë kundërshtari dhe kësaj here do përpiqemi të studiojmë pikat e forta dhe të dobëta të tij. Realisht kemi një skuadër mjaft të mirë, e cila po kalon një formë të shkëlqyer dhe kemi besim se nuk do të zhgënjejmë. Jemi të lumtur që për të dytin vit radhazi do të jemi pjesëmarrës në Europa Ligë. Kjo është një arritje e madhe, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi për të gjithë skuadrën. Nëse një vit më parë u eliminuam nga Metalurgu, këtë herë edhe pse nuk e njohim kundërshtarin, besoj se do e kalojmë turin e parë. Ne kemi një grup cilësor, si dhe një dëshirë të madhe për të korrur sukses. Shpresojmë që përballë të kemi një skuadër jo shumë të fortë, në mënyrë që ta kemi më të lehtë punën. Kemi mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur si dhe besim se do të jemi në topformë kur të vijë koha. Megjithatë, kampionati akoma nuk është mbyllur. Kemi edhe një ndeshje të fundit për të luajtur me Tomorin, me anë të së cilës duam të kapim vendin e dytë. Gjithashtu, kjo ndeshje do të na shërbejë edhe për të fituar lojtarët e rinj që kemi në ekip”. Teuta ka nisur përgatitjet në kuadër të ndeshjes së fundit të kampionatit, që do ta zhvillojë në transfertë kundër Tomorit, skuadër që e ka prerë biletën për në të Parën. Në kampin durrsak po shijojnë ende arritjen e objektivit, ndërsa po mendojnë edhe për sezonin e ardhshëm. Mancaku theksoi se, pavarësisht se skuadra e ka arritur objektivin, do impenjohet maksimalisht për ndeshjen e fundit. “Kemi nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku pa diskutim do kërkojmë vetëm fitoren. Sikundër edhe e nisëm këtë sezon, do mundohemi ta mbyllim me një trepikësh. Këtë fundjavë do të udhëtojmë drejt Beratit, ndërsa objektivi kryesor është vetëm fitorja, por edhe zhvillimi i një loje të bukur. Ne e kemi arritur tashmë objektivin për këtë sezon, që është pjesëmarrja në Europa Ligë, megjithatë nuk do të qëndrojmë indiferent ndaj Tomorit, i cili për fatin e tij të keq vitin tjetër do të luajë në të Parën. Jemi koshient që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi beratasit në fushën e tyre janë mjaft të fortë për t’u mundur. Gjithsesi kjo ndeshje, përveç të tjerash, do të na shërbejë për të fituar disa lojtarë dhe të mbajnë të tjerët formën e mirë që po kalojnë”.

Previous articleShah/ Durrës Open, Erald Dervishi vazhdon kryesimin
Next articleTeuta fiton dhe siguron Evropën