Home Sport Mancaku: Objektivi i vetëm janë tre pikët

Mancaku: Objektivi i vetëm janë tre pikët

mancakuKëtë javë Teuta do të udhëtojë drejt Ballshit, ku priten vetëm tri pikët. Bledar Mancaku e konsideron këtë takim si një finale: “Përpara na pret një ndeshje delikate, e cila kërkon përqendrim dhe impenjim të madh. Dihet që Bylisi në shtëpi është një skuadër shumë e fortë, prandaj duhet të marrim masa paraprake dhe ta përgatisim ndeshjen deri në detajin më të vogël. Kjo përballje ka rëndësi të veçantë për ne, sepse përcakton fatin tonë, kështu që alternativa e vetme është fitorja. Gabuam në Shkodër dhe për pasojë tashmë na duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura. Kemi një kalendar, i cili na favorizon, ndaj jo pa arsye shpresojmë të kapim vendin e dytë. Ne kemi mjaft besim se do t’i fitojmë të tria ndeshjet e mbetura. Gjithashtu, besojmë verbërisht se kundërshtari ynë do të ndalet dhe se do të jemi ne ata që do të shpallen nënkampionë”, – tha Mancaku. Duke vijuar më tej, sulmuesi theksoi se skuadra e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe se është më e motivuar se kurrë për këtë transfertë. “Me Bylisin jemi ndeshur disa herë këtë sezon dhe kemi hasur mjaft vështirësi, si në shtëpinë tonë edhe në Ballsh. Ballshiotët kanë lojtarë cilësorë dhe gjithashtu një grup kompakt, që mund t’i krijojë probleme çdokujt. Megjithatë kjo nuk na tremb aspak, përkundrazi na motivon akoma më tepër. Ne do të udhëtojmë drejt Ballshit për të marrë tri pikët. Fitorja e fundit në shtëpi ndaj Apolonisë ka kthyer optimizmin në kampin tonë dhe do të përpiqemi që të mposhtim edhe komshinjtë të tyre. E vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, por u bëjmë me dije se këtë radhë nuk do të na ndalin dot. Aktualisht po përgatitemi intensivisht për këtë ndeshje dhe kemi besim se do t’ia dalim. Vendi i tretë është vetëm momental, sepse shumë shpejt do të rikthehemi aty ku qëndruam për gjatë gjithë kampionatit. Për ne, tashmë vendi i dytë është kthyer në çështje nderi dhe zotohemi se shumë shpejt do të vëmë dinjitetin në vend. Ne do të bëjmë gjithçka për ta realizuar synimin. Sikur të na duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura për të rimarrë vendin e dytë, të jeni të sigurt se do ta bëjmë edhe këtë. Tani dhe deri në fund të kampionatit jemi të dënuar vetëm me fitore. E siguroj tifozërinë e zjarrtë të Teutës se nga skuadra do të presin vetëm 3 pikë”, – përfundoi Mancaku.

Previous articleShënime për djemtë e mi
Next articleMagani: Vendi i dytë është objektivi ynë