Home Sport Mancaku: Do të luajmë për të dalë nënkampion

Mancaku: Do të luajmë për të dalë nënkampion

mancakuBledar Mancaku  beson se Teuta këtë vit do arrijë të kalojë turin e parë të Ligës së Europës. Pasi prenë “biletën” në zonën UEFA, tashmë në kampin durrsak është shtuar oreksi dhe duan që të shkojnë më larg në këtë kompeticion. “Tani që siguruam një vend për në Europë, duhet të përpiqemi të mos përsërisim të njëjtin gabim që bëmë një vit më parë kur u eliminuam turpshëm nga Europa Ligë. Jemi shumë të lumtur që për të dytin vit radhazi do të luajmë në këtë kompeticion. Tani përgjegjësia është mjaft e madhe, pasi nuk duhet të kënaqemi vetëm me pjesëmarrjen në këtë eveniment, i dyti për nga rëndësia pas Ligës së Kampioneve. Kështu që, duhet t’i shtrohemi punës në mënyrë që të jemi gati për të sfiduar kundërshtarin. Duhet të evitojmë gabimin që bëmë një vit më parë kur u larguam me tyre nga Europa Ligë, pasi u mundëm thellë nga një kundërshtar thuajse në nivelin tonë. Megjithatë këtë vit ne kemi një skuadër më të mirë dhe më të konsoliduar, ndaj besojmë se nuk do të ndodhë ajo çka ndodhi sezonin e shkuar”. Ndonëse skuadra e Teutës e ka arritur objektivin e saj, fantazisti durrsak shprehet se në Berat skuadra do të shkojë për fitore. “Do përpiqemi ta mbyllim me nder këtë sezon dhe kemi si synim që ndaj Tomorit të luajmë për fitore. Ndodhemi në vendin e tretë, por nëse do të kishim qenë më të kujdesshëm në disa ndeshje, mund të kishim marrë më shumë në këtë kompeticion. Nëse nuk do kishim gabuar, ndoshta mund të ishim shpallur ne kampionë”. Ndërsa janë në pritje të shortit për të njohur kundërshtarin me të cilin do të përballen në arenën ndërkombëtare, në kampin durrsak u ka mbetur peng që nuk e arritën vendin e dytë. Mancaku, ka pohuar se nga njëra anë janë të lumtur që arritën Europën, por nga ana tjetër të mërzitur që nuk mundën të shpallen për të dytin vit radhazi nënkampionë. “Falë një pune të madhe që skuadra ka bërë gjatë këtij sezoni, arritëm të presim një biletë për në Europë. Të jesh pjesë e këtij kompeticioni është një privilegj i madh, por gjithashtu edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Tashmë jemi në pritje për t’u njohur me kundërshtarin, ndërsa shpresojmë që shorti të na vendosë përballë një skuadre të të njëjtit nivel me ne. Nuk mund të flasim për objektivin që skuadra ka në Europa Ligë, pasi më parë duhet të njohim rivalin dhe pastaj mund të bëjmë planet. Kemi një skuadër me lojtarë mjaft cilësorë dhe shpresojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze në Europë”. Duke i bërë një rezyme kampionatit, Mancaku ka pohuar se skuadra ka bërë një paraqitje dinjitoze, por sipas tij, në tri takime duhet të kishte marrë më shumë. “Kemi bërë një paraqitje pozitive këtë sezon. E nisëm mirë kampionatin dhe e mbyllëm në të njëjtën mënyrë, duke arritur edhe objektivin që ekipi kishte për këtë sezon. Mund t’ju them se duhet të kishim bërë më shumë në disa takime, si ndaj Kukësit, Vllaznisë, por edhe ndaj Luftëtarit në Gjirokastër në fazën e parë. Me Kukësin duhet të kishim fituar, por fakti që në atë ndeshje skuadrës i mungonin plot pesë titullarë bëri që ndeshja të përfundonte në barazim”. Ndonëse ka mbetur edhe një ndeshje nga mbyllja e kampionatit dhe diferenca me kundërshtarin (Kukësin) është vetëm një pikë, durrsakët nuk besojnë se ai do gabojë, duke pranuar vendin e tretë. “Një tjetër objektiv që kishim për këtë sezon ishte që të zinim vendin e dytë. Ky objektiv tashmë duket i pamundur, pasi nuk është në dorën tonë. E kemi mbajtur për pjesën më të madhe këtë vend dhe e meritonim të shpalleshim nënkampionë”.

Previous articleEkzistencë si hije e pakuptimtë
Next articleEdmond Hasanbelliu: Do të ruajmë grupin dhe me trajner Maganin