“Unë i kërkova Zotit t’a ndalonte epideminë e koronavirusit”, tha Papa Francesku gjatë një interviste ekskluzive për La Repubblica.
Papa tregon se si po i kalon këto ditë të vështira, të shënuara nga epidemia Covid-19.
Ai, u largua ditët e fundit nga Vatikani për t’u lutur së pari në Bazilikën Santa Maria Maggiore dhe më pas në Kishën e San Marcello al Corso, zbulon për gazetën se i ka kërkuar Zotit t’a ndalojë epideminë: “Zot, ndaloje atë me dorën tënde. Unë u luta për këtë”, tha Papa.
Më pas, Bergolio e vendosi theksin se në këto ditë të vështira është e domosdoshme t’a gjesh të vërtetën tek rëndësia e gjërave të vogla, tek përditshmëria jonë, të shtojmë vëmendjen tek njerëzit që kemi cdo ditë përreth, familja dhe miqtë. Sipas tij, është shumë e rëndësishme për t’a kuptuar se pikërisht tek gjërat e vogla ekziston edhe thesari ynë.
“Këto gjeste butësie, afeksioni, dhembshurie janë minimale dhe priren të humbasin në rutinen e jetës së përditshme, por ato janë megjithatë vendimtare, të rëndësishme. Për shembull, një vakt i nxehtë, një përkëdhelje, një përqafim, një telefonatë … Ato janë gjeste të njohura për vëmendjen e detajeve të jetës së përditshme që e bëjnë jetën domethënëse dhe që krijojnë bashkësi dhe komunikim mes nesh”, tha Papa.
Sipas tij, “ndonjëherë, mes nesh, përjetohet vetëm një komunikim virtual. Përkundrazi, ne duhet të zbulojmë një lidhje të re. Një marrëdhënie konkrete të realizuar me përkushtim dhe durim. Familjet vazhdojnë të drekojnë së bashku, por nuk komunikojnë, ka shumë heshtje, pasi prindërit shohin televizor, ndërsa fëmijët merren me celularin. Ato familje duken si murgj, të cilët janë izoluar nga njëri-tjetri.”
Papa mendon se në mënyrën e jetesës së tanishme s’ka më komunikim, por në vend të kësaj, dëgjimi i njëri-tjetrit është shumë i rëndësishëm, pasi duhet të kuptojmë nevojat e tjetrit, përpjekjet, dhimbjet dhe dëshirat e tij.
“Ekziston një gjuhë e krijuar nga gjeste konkrete që duhet të ruhen. Dhimbja e këtyre ditëve është për këtë realitet të krijuar”, tha Bergolio.
Papa iu drejtua edhe punonjësve të shëndetit që po luftojnë këto ditë pa pushim dhe më një forcë të madhe për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore të jetë e mundur: Falenderoj të gjithë ata njerëz që shpenzojnë për të tjerët. Ata janë shembulli i kësaj kohe. Unë u kërkoi të gjithëve t’u qëndrojmë afër atyre që kanë humbur njerëzit e dashur. Ngushëllimi, tani duhet të jetë angazhimi i të gjithëve.