Me një bilanc tragjik është mbyllur sherri për pronën mes disa kushërinjve në fshatin Garunjas të Lushnjes, ku mbeti viktimë një person dhe u plagosën tre të tjerë. Ngjarja u regjistrua mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:15, ku bëhet me dije se viktimë ka mbetur Romeo Hasalla, ndërsa janë plagosur babai i tij, Shaip Hasalla ,65 vjeç dhe dy vëllezërit Emiljano dhe Laert, të dy 31 vjeç.
Autorët e dyshuar të ngjarjes janë identifikuar si Kastriot dhe Afrim Hasalla, 33 vjeç, vëllezër, të cilët qëlluan me çifte në drejtim të kushërinjve të tyre të largët pas sherrit dhe më pas u arratisën! Dyshohet se ata janë të armatosur me armën me të cilën kryen krimin, pasi nuk u gjet në vendngjarje, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë vënë në kërkim të tyre.
Mësohet se kushërinjtë Hasalla kishin konflikt prej vitesh në lidhje me një tokë në fshatin e tyre, ndërsa ngjarja u regjistrua pikërisht në këtë truall. Ndërkohë babai dhe dy djemtë e tjerë janë dërguar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Për momentin nuk bëhen me dije të tjera detaje për ngjarjen, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.