Home Opinion Luli, ose të përdorësh vdekjet e Covid për t’i ikur të shkuarës

Luli, ose të përdorësh vdekjet e Covid për t’i ikur të shkuarës

Nga Endri Kajsiu

Lulzim Basha prej ditësh është vënë në një pozitë të vështirë. Ai, Luli pra, e ka kyçur gojën në rastin më të keq dhe ka gënjyer në rastin më të mirë sa i përket të shkuarës së tij në raport me rolin e tij në Kosovën e pasluftës. Pavarsisht se të gjitha dëshmitë, nga dëshmitarë okularë deri tek gazetarë e politikanë konfirmojnë se Lulzim Basha është i përfshirë në mbledhjen e provave kundër UÇK-së, Lulzim Basha diku hesht, diku gënjen. Ai, duket si një njeri i tmerruar nga e shkuara e tij e këtë e konfirmoi edhe mbrëmë në emisionin ‘Opinion’, kur gazetarët i konfirmonin që ai ka qenë në sallë kur është marrë në pyetje shoferi i Rugovës në gjyqin kundër një ish zëvendës ministri serb.  Basha e mohoi, e kur ju tregua dokumenti që vërtetonte të kundërtën, iu sul gazetarëve se po trillojnë.

Pra, problemi i Lulzim Bashës është fakti se ai nuk e pranon dot të shkuarën e tij. Ai nuk pranon dot të vërtetën. Se çfarë ka bërë Lulzim Basha që e ka kaq problem të pranojë të shkuarën e tij, këtë e di vetëm ai, por për sa kohë ai do i shmanget të shkuarës së tij, vetëm sa do i rrisë dyshimet mbi vetë atë.

Pikërisht për sa thashë më lart, pra për faktin se Lulzim Basha është zënë ngushtë nga dëshmitë dhe faktet që e implikojnë në dosjet kundër UÇK-së, Lulzim Basha mbrëmë kaloi çdo limit duke bërë një deklaratë të fortë mbi vërtetësinë e numrit të vdekjeve nga Covid-19.  Sot, mjekët njëzëri shpjeguan se nuk ka asnjë mundësi që të manipulohet numri i të vdekurve nga covid, sepse çdo kartelë firmoset e vuloset nga mjeku që ka ndjekur rastin. Sipas logjikës së Bashës, të gjithë mjekët tanë i bie të jenë të përfshirë në një manipulim, që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore.

Thënë këtë, kuptohet qartë se deklarata e Bashës mbrëmë nuk ishte për të thënë një të vërtetë, por për të hedhur panik në komunitet dhe për të shpërqëndruar vëmendjen nga e shkuara e tij të cilës ai nuk i del dot përpara. Mbrëmë Lulzim Basha, duke bërë politikë me vdekjen dhe Covidin, tentoi të largoi vëmendjen nga e shkuara e tij, e cila për të mesa duket është shumë më e frikshme se Covid-19.  Megjithatë, pseudongjarjes mediatike që Basha tentoi të krijojë mbrëmë do i dalë shumë shpejt e vërteta, siç nisi t’i dalë që sot, ndërsa të shkuarës së tij në gatimin e dosjeve kundër UÇK, do i duhet ndoshta më shumë kohë. E kësaj të dytës, Lulzim Basha nuk i ikën dot as me Covid, as me histori morgjesh.

Previous articleNënkryetari i PD bën denoncimin: Ja si qeveria po fsheh numrin e viktimave te Covid-19!
Next articleKëto janë arsyet pse meshkujt pëlqejnë femra më të mëdha në moshë