Home Politike Lubonja: Në Shqipëri mbizotëron varfëria ideore, pse nuk e pyet njeri Saliun...

Lubonja: Në Shqipëri mbizotëron varfëria ideore, pse nuk e pyet njeri Saliun çfarë do të thotë konservator

Analisti Fatos Lubonja mendon se ka një varfëri ideore në Shqipëri dhe se mendimi neoliberal i degjeneruar nuk lë të zhvillohet asnjë ide tjetër. Në një bisedë në studion e News24 me gazetarin Edvin Parruca, Lubonja u ndal dhe tek qëndrimi si konservator nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Ke dëgjuar ndonjë gazetar t’i bëjë pyetje Saliut ore ti thua konservatorë, ke ndonjë ide çfarë do të thotë. Je me Merkel, me Le Pen, me Orbanin, apo je liberal, që ta kuptojmë. Asgjë, nuk diskutohet fare. Ka dhe një varfëri ideore që është pjesë e injorancës së këtij populli. Le Pen ka jelekët e verdhë me vete. Ajo ka bërë gjuhën e jelekverdhëve që është antisistem, është parti antisistem. Në Francë dy parti antisistem morën gjysmën e votave, ekstremi i majtë dhe ekstremi i djathtë. Macroni është sistemi. Ky që është i qendrës që të fitojë kundër Le Pen i duhen votat e këtij që është antisistem. Kjo çështja e së majtës që u bë shumë e djathtë, është problem dhe në Europë, ne kemi dhe këtë problem që e kopjojmë Europën në mënyrën më banale”, tha Lubonja.

Sipas tij, lindja e të gjithë këtyre partive që cilësohen si ekstremiste duhet parë si krizë e sistemit.

“Ky sistemi liberal global ka krijuar shumë probleme dhe problemi kryesor është që pjesa që nuk përfiton nga ky sistem, ndihet më e pasigurt, më e atomizuar dhe kërkon më shumë siguri tek komuniteti, tek shteti që e mbron.
Si reagim ndaj kësaj kanë dalë parti që thonë ne jemi komuniteti fetar dhe i japin një lloj sigurie. Është një përgjigje ndaj problemeve që ka krijuar liberalizmi dhe globalizmi. A është e drejtë apo jo, kjo është pyetja.
Ky moment fillestar çlirues (i liberalizmit), filloi ama të krijojë problemet e veta që ishin problemet që sollën socializmin si kundërpërgjigje. Filloi shfrytëzimi i njerëzve dhe lindi socializmi. Në SHBA kriza e viteve ‘20 që erdhi Neë Deal i Rusveltit erdhi nga problemet që krijoi sistemi liberal. Duhet gjithmonë të funksionojë kundërsistemi. Kompeticioni apo barazia, ose ndjenja komunitare, apo ka më shumë rëndësi individi, janë dy anë të qenies njerëzore që duhen në dialektikë, jo hajde ta përsosim. Ata që besonin tek komunizmi në perëndim, thoshin komunizmi i vërtetë nuk është Bashkimi Sovjetik po një tjetër, mirëpo thotë Zhizheku ata nuk e kuptonin që teoria e prodhon këtë. Ajo teori prodhon këtë degjenerim. Sistem të përsosur nuk ka, por balanca dhe korrigjimi i vazhdueshëm është më mirë. Problemet që ka krijuar neoliberalizmi ka nxjerrë këto lëvizjet e majta dhe të djathta ekstreme”, deklaroi Lubonja.

Ai theksoi më tej se mbi të gjitha ka rëndësi të ketë dinamikë, ide dhe liri që të zhvillohet kjo luftë idesh që nesër pasnesër të dalë një sinteze më e mirë.

“Problemi ynë është ky që ai mendim neoliberal i degjeneruar nuk lë të zhvillohet asnjë ide tjetër.
Ata po bëjnë një luftë të vazhdueshme për të mbajtur pushtetin, klasa dominonte, sistemi dhe kur i kualifikojnë ata të tjerët, ekstremistë, është dhe mbrojtja që i bëjnë vetvetes për të mbrojtur interesat e veta.
Dhe në Amerikë këta janë sistemi, Trump ishte në një farë mënyre antisistem. Këta e përmbysën nga pushteti. mediat kryesore ishin të këtij sistemi. Zhizheku që ishte antisistem, kur e pyetën para zgjedhjeve, kë do votoje, tha unë për Trump do votoja, sepse problemi është Clinton, jo Trump. Sepse ai mendonte që me Trump mund të merrte goditje dhe e majta të zgjohej”, tha Lubonja./BW