Home Kulture ‘Luba’ te Eksperimentali, një histori dashurie në diktaturë

‘Luba’ te Eksperimentali, një histori dashurie në diktaturë

Krahas drejtuesit të ri të teatrit, koreografit Gjergj Prevazi, mes të pranishmëve në sallën e ‘Arturbinës’ janë njerëz të letrave si Helena Kadare, ambasadorë, por edhe politikanë, si Lulzim Basha.

“Eksperimentali” mbrëmjen e së premtes foli në gjuhën e teatrit ‘playback’. Atij alternativ, jo origjinalit që lindi në ’75-ën, kur prej audiencës, një histori e rrëfyer improvizohet nga aktorët në skenë.

Kësaj here, ndonëse publiku ftohet të bashkëveprojë, historinë e ‘Lubas’, sovjetikes së dashuruar me një inxhinier shqiptar gjatë diktaturës, e sjell aktorja Xhoana Karaj, që zbret nga radhët e publikut.

Është një histori e trazuar që shtrihet në vitet ’61-70, kur prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, do të vinte ‘në shënjestër’ ata që kishin studiuar jashtë, a qenë martuar me të huaj.

Autori Ylljet Aliçka rrëfen se gjatë mësuesisë në zonat veriore të Shqipërisë, ia pat rrëfyer një gardian burgu, se si një burrë i dënuar në diktaturë, linte mënjanë ushqimin e binte në dëshpërim teksa lexonte letrat e të shoqes.

Skenografia është minimaliste, disa kokore mbi një arkë, që krijojnë idenë e një uzine e 5 karrige, prej nga ‘Lubaja’ do të zgjedhë Kristian Koroveshin, aktorin që ngjan me të shoqin Dragush Gjergon, për të vijuar dramën.

Të ndihmuar nga muzika në 90 për qind të shfaqjes, imazhet në ledëall, gjuha e trupit ku nga koreografja greke, ndihen edhe elementë tipikë të valleve të shtetit fqinj, i japin ritëm zhvillimit të ngjarjeve, nga klubi i qytetit, në torturat e hetuesisë, vuajtjet në burgun e Spaçit, e më tej momente tronditëse, të bashkëshortes sovjetike, që në dëshpërimin për të takuar të dashurin e zemrës, pëson të gjitha format e dhunës./Shqiptarja.com

Previous articleMbyllet Machu Picchu, një nga ikonat e turizmit botëror
Next articlePo pastronte betonieren, por u shtyp nga mekanizmi, ndërron jetë 44-vjeçari