Home Rajoni Loja e Beogradit: Ukraina i bën thirrje Serbisë që t’i bashkohet sanksioneve...

Loja e Beogradit: Ukraina i bën thirrje Serbisë që t’i bashkohet sanksioneve ruse

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach i bëri thirrje Beograd-it zyrtar që t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Ukrinform”.

Tolkach, së bashku me kryetarin e Kuvendit Kombëtar të Serbisë Ivica Daçiç dhe kryetarin e Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë Dragan Çormaz, morën pjesë në hapjen e konferencës “Vendi i Serbisë në Komunitetin Euro-Atlantik” në parlamentin serb.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Ukrainës vuri në dukje se vendi i tij po lufton kundër agresorit rus, duke mbrojtur jo vetëm veten, por edhe vlerat dhe lirinë demokratike, si dhe të ardhmen e Evropës.

“Serbia ka zgjedhur rrugën evropiane, që do të thotë se ne po e mbrojmë të ardhmen e Serbisë”, theksohet në mesazhin e tij.

Ambasadori falënderoi gjithashtu Serbinë për mbështetjen e rezolutave të OKB-së që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe për mikpritjen e saj ndaj qytetarëve ukrainas që gjetën strehim në Serbi.

Në të njëjtën kohë, Volodymyr Tolkach i bëri thirrje palës serbe që t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, si dhe të forcojë përpjekjet e përbashkëta për të ndaluar agresorin, i cili përbën një kërcënim për Evropën e bashkuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, beson se presioni ndaj vendit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë nuk duhet të pengojë rrugën e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian.